1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kritikat ndaj zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në Kroaci

Sinisa Bogdanic / Bahri Cani12 Prill 2013

Kroacia më 1 korrik do të antarësohet në BE. Në zgjedhjet në fundjavë për herë të parë qytetarët mund të votojnë për përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian. Por ata nuk tregojnë shumë interes për këto zgjedhje.

https://p.dw.com/p/18Epm
Fotografi: dapd

Kroacia ka luftuar një kohë të gjatë që të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian. Kjo do të ndodhë në qershor, por për eufori nuk mund të bëhet fjalë. Ndaj ekspertët presin se shumë zgjedhës do ta bojkotojnë votimin e ditës së diel(14.04.2013) për Parlamentin Evropian.

Mungesa e interesit ka dhe shkaqet e veta. Berto Salaj, politolog në Universitetin e Zagrebit, thotë se shumica e kroatëve nuk është e informuar sa duhet dhe si duhet për proceset politike. "Studimet dëshmojnë se në veçanti ka mangësi në njohuritë për Bashkimin Evropian", shpjegon ai në një intervistë për Deutsche Wellen. Salaj thotë se kroatët deri tani nuk kanë pasur mundësi të konfrontohen shpesh me politikën dhe proceset politike brenda BE-së.

Edhe presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq mendon se në zgjedhjet evropiane do të marrin pjesë më pak zgjedhës se sa në zgjedhjet parlamentare nacionale, ku së fundi kanë votuar vetëm 54 % e personave me të drejtë vote. Por ai shpreson se gjërat do të ndryshojnë: "Sa më shumë që institucionet evropiane marrin vendime që influencojnë jetën në Kroaci, aq më i madh do të jetë interesi për pjesëmarrjen në zgjedhjet për Parlamentin Evropian".

Diskutimet për rrogat e larta

Vëzhguesit kanë shprehur shumë herë paknaqësinë e tyre ndaj rolit të mediave në fushatën parazgjedhore. Raportimi ka qenë i dobët dhe zgjedhësit nuk janë informuar sa duhet për këto zgjedhje si dhe për programet e kandidatëve. "Fushata ka qenë e mërzitshme", thotë Sanja Sarnavka, drejtuese e organizatës "Shtëpia e të Drejave të Njeriut". Ajo shton se politikanët kroatë kanë investuar shumë pak para në këtë fushatë, ndonëse përfitimet e tyre financiare mund të jenë të mëdha, në qoftë se zgjidhen si eurodeputetë.

Salaj mendon se zgjedhësit nuk e dinë sa duhet se për çfarë duhet të votojnë të dielën. Ndërkohë që në Kroaci po mbizotëron paknaqësi ndaj politikës dhe politikanëve në vend. Shumë kroatë i shohin këto zgjedhje si një garë për "12 rroga të majme në Bruksel", sipas motos: "Ju duhet të votoni që ne të marrin 8000 euro. Cili është përfitimi i zgjedhësit? S'ka asgjë!"

Parlamenti i Kroacisë në Zagreb
Parlamenti i Kroacisë në ZagrebFotografi: picture-alliance/dpa

Fushatat mjaft të shkurta

Të gjitha gjërat kanë mundur të organizohen më mirë, mendon Salaj. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme sepse Kroacia së shpejti do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe ajo duhet të përballet me zhvillimet në Bruksel. Kritikët thonë se presidenti Josipoviq i ka shpallur këto zgjedhje tepër herët dhe ka lanë shumë pak kohë për informim të mirë. Ndërsa Josipoviq përgjigjet se të gjithë kanë mundur të informohen sa duhet, nëse kanë dashur. Opozita është e mendimit se zgjedhjet do të duhej të zhvilloheshin në maj, së bashku me zgjedhjet lokale. Edhe eurodeputetja gjermane Doris Pack mendon se ka pasur mundësi të gjendej ndonjë zgjidhje më e mirë. "Kjo nuk është çështje e zonjës Pack", thotë Josipoviq duke shtuar se vendimin që zgjedhjet të zhvillohen më 14 prill e ka marrë për shkak të "idesë evropiane".