Kritika ndaj Trumpit pas trazirave në Charlottesville
13 Gusht 2017Kanë shpërthyer kritikat në SHBA pas trazirave në Charlottesville. Mjaft komentues të mediave amerikane shprehin kritika pas reagimit të vakët të Trumpit, fitorja e të cilit si president u festua në rrjetet djathtiste. Presidenti Trump e dënoi dhunën ashpër, por sipas kritikëve në mënyrë të përgjithshme.
Kritika e fortë vjen edhe nga republikanët. "Mr. President- ne duam t'i vemë emrin së keqes. Ata ishin racistë të bardhë dhe ajo që ndodhi ishte terrorizëm i brendshëm", u shpreh në twitter senatori republina, Cory Gardner. "Vëllai im nuk dha jetën në luftë kundër Hitlerit që qëndrimet naziste të vazhdojnë të jenë prezente pa asnjë rezistencë". shkruan senatori më i vjetër republikan në senat, Orrin Hatsch.
Trump dënon dhunën
Nga rezidenca e pushimeve në New Jersey Trump ishte shprehur se "e dënon në mënyrën më të ashpër shpërthimin e tmerrshëm të fanatizmit, urrejtjes dhe dhunës nga të gjitha anët". Para incidentit me makinë, ai kishte shkruar në Twitter se u bën thirrje amerikanëve të bashkohen e të dënojnë dhunë. "Nuk ka vend për këtë lloj dhunë në Amerikë", shkroi Trump. Demonstrata ishte thirrur krahas Ku Klux Klanit edhe nga lëvizja djathtiste Alt-Right, tek e cila reflektohen qëndrime naziste, dhe e cila mbështet Trumpin.
Tragjedia ndodhi gjatë një demonstrate të Ku Klux Klan dhe grupeve të tjera ekstremiste të djathta në shtetin federal Virginia. Të paktën tre veta humbasin jetën, 35 të tjerë plagosen, thonë autoritetet e qytetit Charlottesville. Ndër viktimat edhe një grua e shtypur nga makina. Një makinë është sulur qëllimisht brenda një grupi demonstruesish dhe ka plagosur disa vetë. Policia Federale, FBI ka filluar ndërkohë hetimet. Sipas FBI, ky incident shikohet si shkelje e ligjeve federale për të drejtat e njeriut.
Të vdekur pas rrëzimit të një helikopteri
Ndërkohë në periferi të qytetit Charlottesville u rrëzua një helikopter i policisë gjatë një demonstrate të ekstremistëve të djathtë e neonazistëve. Pamjet tregojnë re tymi që dalin nga një pyll i afërt. Dy vetë humbën jetën.
Ku-Klux-Klani dhe organizata të tjera ekstremiste kishin bërë thirrje për një tubim në shtetin federal Virginia. Marshi i ndaluar drejtohej kundër administratës së bashkisë së qytetit Charlottesville, që kërkon të largojë një përmendore të gjeneralit të luftës civile, Robert Lee. Lee drejtoi në mesin e shekullit të 19-të trupat e shteteve të jugut, që e mbështesnin skllavërinë.
Trazira mes ultra të djathtëve dhe kundërshtarëve të tyre
Ndërkohë më parë në qytet ishin zhvilluar përleshje mes grupeve të majta e të djathta. Demonstruesit me uniforma paramilitare valëvisnin flamuj me kryqet e thyer nazistë dhe mbanin kapuçët karakteristikë të Ku Klux Klanit. Ata lëshonin thirrjet "Gjak dhe truall” – thirrje të njohura të nazistëve.
Pak më vonë demonstruesit e ekstremit të djathtë e grupe të majta iu sulën njëri-tjetrit me shkopinj, shishe e sende të ndryshme. Përkrahës të grupeve militare kishin edhe armë me vete po nuk u dëgjuan të shtëna.
la/(afp, ap, dpa, rtr)