Krishtlindjet në Kosovë
24 Dhjetor 2009Në sheshin "Nëna Terezë" në qendër të Prishtinës ndriçuar nga drita fosforeshente dhe me bredhin e Krishtlindjeve në mes dëgjohen nga larg zilet e kuajve të karrocës së Babadimrit. Edhe sivjet petkun e Plakut të Krishtlindjeve e ka veshur Ali Xhaka nga Llapi i cili përveçse me grupin e tij e kompleton këtë panoramë Krishtlindjesh duke ofruar shumë gjëra për familjet dhe fëmijët.
"Më së pari ofrojmë për njerëzit fjalë t´mira. E për fëmijët kemi pajtonin me kuaj ku i ulim fëmijët në mes të këtyre çikave, princeshës, lepurushit dhe ky djali na fotografon."
Pranë Plakut të Krishtlindjeve është edhe princesha, e cila në të vërtetë quhet Visare dhe studion për gazetari.
"Uroj më shumë dashuri mes njerëzve dhe më shumë ndihmë për të varfërit dhe fëmijët bonjak" - thotë princesha e Babadimrit, sepse ajo sheh në mëngjes e mbrëmje se këtu nuk ka vetëm fytyra të qeshura njerëzish që kremtojnë, por ka edhe fëmijë e prindër që në rrugë i nxjerr vetëm halli.
Fadili, një nga shitësit në rrugë, i cili e siguron ekzistencën e familjes së tij katëranëtarëshe duke shitur kikirikë e gështenja thotë:"Mu, baba m´ka punu tanë jetën me gështenja, misra e akullore. Gjithmonë kështu kena shit në rrugë. Po, edhe kështu mund të jetohet, por, shteti s´na i ka dhanë lejet qe dy vjet. E dëshira jeme do të ishte me ec puna mbarë për t´gjithë në Kosovë. Të punësohen njerëzia."
"Gëzuar Krishtlindjet!" edhe nga Peruja
Në rrugë janë dy muzikantë të rinj nga Peruja, me flokë të gjatë dhe veshjet e tyre tradicionale. "Ngaqë Kosova është vend i bukur dhe me njerëz të mirë që e pëlqejnë muzikën tonë, ne kemi filluar të mësojmë edhe shqip, p.sh. faleminderit dhe gëzuar" - thotë 33-vjeçari Percy Vilca Carbajal, i cili edhe na e uron në shqip festën e Krishtlindjeve, "Gëzuar Krishtlindjet!"
Mesazhin e Krishtlindjeve Dr. Don Lush Gjergji, prift katolik i Ipeshkvisë Shkup-Prizren, e shoqëron me dëshirën që çdo besimtar, pa dallim etnie apo feje të ushqejë dashuri ndaj jetës.
"Sepse, dashuria ndaj jetës ishte karakteristika e cila na ka bërë të mbijetojmë shumë sprova, shumë shekuj. Kemi pasur një flijim dhe një dashuri të jashtëzakonshme si për jetën e re, lindjen e fëmijëve si për jetën e të moshuarve me atë thënien e mrekullueshme se "nuk ka shtëpi pa pleq dhe pa fëmijë dhe aty ku ka pleq e fëmijë, vetëm aty ka shtëpi". E unë do të shtoja, aty ka edhe dashuri!"
Në Kosovë jetojnë mbi 65 mijë katolikë, pjesa dërmuese e të cilëve janë të vendosur në komunën e Gjakovës. Pjesa tjetër jetojnë në rajonin e Pejës, të Anamoraves dhe të Prishtinës, kurse rreth 45 mijë të tjerë jetojnë në diasporë.
Autor: Ajete Beqiraj
Redaktor: Pandeli Pani