Krishtlindjet & Falsifikimi i studimeve mbi qelizat embrionale në Korenë e Jugut
24 Dhjetor 2005"Frankfurter Allgemeine Zeitung" komenton: "Nëse tani pas zbulimit të skandalit të falsifikimeve prej studjuesit korean Huang, shtrohet çështja e dëshmive për aftësinë funksionuese të sistemit të kontrollit shkencor, atëherë kemi iluzionin për rrethana më të moderuara, duke harruar historinë e vërtetë të zbulimit të këtij skandali. Rasti u zbulua prej bashkëpnëtorëve të zhgënjyer të studjuesit në fushën e klonimit. E me këtë harrojmë përmasat e vërteta të këtij rasti. Kjo pasi Huang Vo-suk ka qenë më shumë se sa një ikonë koreane. Sigurisht ai, që nga një djal bujku u bë shkencëtar i jashtëzakonshëm me famë botërore, simbolizonte ngjitjen e një vendi në pushtetin e shkencës. E konform kësaj ai edhe është shpërblyer - ndoshta më shumë se çdo studjues tjetër në botë", tërheq vëmendjen "Frankfurter Allgemeine Zeitung".
Po për këtë temë edhe një citat nga "Thüringer Allgemeine": "Huang nuk ndodhet në një linjë me falsifikuesit e rëndomtë. Ai lëvizte në një terren mjaft të ndjeshëm studimor, embrionet humane. Me këtë ai konfirmon të gjitha shqetësimet, që shkencëtarët në konkurrencën e ashpër për fonde financimi e sigurisht edhe për emër janë të gatshëm të shkelin ndonjëherë parimet bazë të etikës. Atij duhej t´i ndalohej menjëherë veprimtaria, sapo u morr vesh që pat përdorur qeliza të bashkëpunëtorëve të tij për punën që bënte. Padyshim që studjuesit e tjerë do të nxjerrin mësimet e duhura. Por konkurrenca për arritjen e rezultateve që hapin shtigje të reja do të vazhdojë", analizon "Thüringer Allgemeine".
Disa komentatorë fokusohen sot tek fjala e përshëndetjes së presidentit të Gjermanisë Horst Këler me rastin e Krishtlindjeve, të cilën ai ka publikuar pjesërisht përpara se t´u drejtohet qytetarëve sonte në mbrëmjen e shenjtë. Lidhur me këtë gazeta "Heilbroner Stimme" shkruan: "I shpenguar burri i parë i shtetit apelon për "virtytet e vjetra": "Nuk do të na bënte keq pak më shumë sinqeritet, modesti dhe ndershmëri në jetën e përditshme. Kjo pasi ekzagjerimi i përkujdesjes dhe i shtetit social e kanë shndërruar Gjermaninë në një shoqëri të egos. Luftohet ashpër për çdo pretendim. Por asnjë sakrificë nuk është aq e madhe nëse këtë duhet ta bëjnë të tjerët. Gatishmëria për më shumë reforma pritet prej të tjerëve. Ky është mesazhi i presidentit, paçka se përmban notat e Krishtlindjeve. Por nisur nga fakti që edhe koalicioni i gjerë midis kristiandemokratëve dhe socialdemokratëve po ndjek gjurmët e vjetra të shpërndarjes sociale, ekonomisti Këler në vitin e ri mund të jetë edhe më i qartë", komenton "Heilbroner Stimme".
"Schwarzwälder Boote" shkruan: "Presidenti na ka treguar në ditët e Krishtlindjes një rrugë qytetare për të dalë prej trishtimit të së përditshmes. Ne duhet ta ndjekim këtë rrugë! Sigurisht, që për këtë ende ka male që duhen kapërcyer në vend, e përse të mos fillojmë menjëherë pas festave ta bëjmë këtë? Tani këkrohet punë dhe jo magji, e çdo punë ka kohën e vet. Qëllimi është i qartë: Ne kemi qenë një herë ndër të parët, e pikërisht këtë duhet ta arrijmë sërish", nënvizon "Schwarzwälder Boote".
Ndërsa "Märkische Oder Zeitung" në sfondin e zhvillimeve globale vëren: "Jo, nuk është aq paqe dhe as kënaqësi, por është shpresa e mesazhit të Krishtlindjeve për paqë. Eshtë shpresa për kohë më të mira. Por e vërteta është, që vrasësit të verbëruar prej dhunës e gjakut nuk mund të zbuten me mjetet e dialogut politik. Shtetet dhe bashkësia e shteteve kanë për detyrë që të mbrojnë qytetarët e tyre, kur e kërkon situata edhe me ashpërsi e dhunë. Por është po aq e vërtetë, se një shoqëri e lirë duhet të heqë dorë, nëse për hir të mbrojtjes së vlerave të saj shkel vet me këmbë këto vlera duke kryer veprime të dyshimta", shkruan "Märkische Oder Zeitung".