Merz u rizgjodh me pothuajse 90% të votave
6 Maj 2024Vëzhguesit flasin për një rezultat të mirë, por jo për rezultat fantastik. Friedrich Merz u rizgjodh në krye të CDU-së në kongresin e partisë me pothuajse 90% të votave. Ai falënderoi "për votën e jashtëzakonshme të besimit".
Kreu i CDU-së Friedrich Merz u rizgjodh me një shumicë të qartë. Në kongresin federal të Kristian-Demokratëve në Berlin, pothuajse 90 për qind e delegatëve votuan pro 68-vjeçarit, njoftoi kryesia e kongresit. Nga 1001 votues, 972 dhanë vota të vlefshme, prej tyre 873 qenë për Merz. Pati 99 vota kundër dhe nëntë abstenime.
Ndryshe nga partitë e tjera, CDU nuk merr parasysh abstenimet. Duke numëruar abstenimet, rezultati është 88.99 për qind. Merz falënderoi "për këtë votë të jashtëzakonshme besimi". "Mezi pres punën që kemi tani përpara për dy vitet e ardhshme,” tha ai. Këto vite do të jenë të vështira, por CDU do t'i kapërcejë me erën e mbarë në velat e këtij kongresi.
Vëzhguesit thonë se rezultati është i mirë - por jo i jashtëzakonshëm. Tina Hassel, drejtore e studios së ARD-së në kryeqytet, tha se rezultati njeh që Merz e kishte ngritur CDU-në përsëri në këmbë dhe i kishte rikthyer asaj vetëbesimin. Por tregon edhe se ai nuk ka arritur të bëjë për vete të gjithë anëtarët e partisë.
Për krahasim, Carsten Linnemann mori 91.4 për qind në zgjedhjen si sekretar i përgjithshëm i CDU-së. Linnemann konsiderohet arkitekti i programit të ri bazë me ngjyrime më konservatore që do të miratohet nesër të martën. Programi aktual është hartuar në vitin 2007.
Megjithatë, janë mbi të gjitha delegatët që mbështesin Merz-in ata që duhet ta konsiderojnë këtë rezultat si mbështetjeje për kryetarin e CDU-së.
Mbështetje nga drejtuesit e shtetit
Para rizgjedhjes së tij, Merz kishte marrë mbështetjen e hapur të kryeministrave të landeve të partisë së tij. "Le të mbështesim Friedrich Merz së bashku. Le të dërgojmë një sinjal uniteti," tha kreu i qeverisë së Rinit Verior Vestfalisë Wüst. Presidenti i landit të Hessenit, Boris Rhein tha se merita personale e Merz ishte se ai e kishte ngritur sërish në këmbë CDU-në pas rënies në zgjedhjet federale të vitit 2021.
Më parë, në raportin e tij të aktivitetit, Merzi e përgatiti partinë e tij për t'u rikthyer në pushtet pas zgjedhjeve të ardhshme federale. Me programin e tij të ri bazë, ai është "gati menjëherë dhe më së voni vjeshtën e ardhshme për të marrë përsëri përgjegjësitë e qeverisë për Gjermaninë," tha ai. "Gjermania mund të bëjë më mirë, por edhe Gjermania më në fund duhet të qeveriset sërish mirë”.
Një maksimum prej katër vjetësh të koalicionit tringjyrësh partiak në pushtet është i mjaftueshëm, tha Merz, mes duartrokitjeve nga delegatët. Merz theksoi se CDU po lufton për vendin e parë në zgjedhjet e ardhshme, duke përfshirë zgjedhjet rajonale në Saksoni, Turingi dhe Brandenburg shtatorin e ardhshëm.
Rezistencë kundër AfD-së
Sigurimi i paqes dhe lirisë është një nga detyrat më të rëndësishme në vitet e ardhshme, vazhdoi Merz. Për ta bërë këtë, Gjermanisë do t'i duhet edhe një herë të investojë më shumë në kapacitetin e saj për të mbrojtur territorin dhe aleancat e saj. Liria kurrë nuk është kërcënuar kaq seriozisht nga shumë palë për një kohë të gjatë.
Merz njoftoi "rezistencën e ashpër të kësaj partie dhe të gjithë anëtarëve të saj" kundër partive populiste si AfD, të cilat hedhin poshtë shumë nga vlerat demokratike dhe Evropën e përbashkët, i tallin ato dhe duan t'i shkatërrojnë ato nga brenda. CDU u shpall luftë.
Merz ka qenë kryetar i CDU që nga janari 2022. Në atë kohë, ai u zgjodh me 94.6 për qind të votave të delegatëve në një kongres partiak digjital për shkak të pandemisë së koronavirusit. Ai pasoi Armin Laschet-in, i cili dorëzoi postin pas zgjedhjeve federale të shtatorit 2021.
aud (dpa, tgsch)