Shkarkohet Ekipi Menaxhues i draft-statutit të Asociacionit
3 Maj 2023Vetëm një ditë pasi prezantoi në Bruksel draft-statutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, qeveria e Kosovës e shkarkoi nga detyra ekipin menaxhues që ishte themeluar nga qeveritë e kaluara të Kosovës në vitin 2016. Ekipi menaxhues përbëhej nga katër persona, pjesëtarë të komunitetit serb, Danijella Vujiçiq, Jellena Bolloviq, Igor Kallamar dhe Dejan Radojkoviq. Kordinatore e ekipit menaxhues ishte Danijella Vujiçiq, në atë kohë përfaqësuese e Listës Srpska, tani deputete në Kuvendin e Serbisë, nga partia e Presidentit Aleksandar Vuçiq. Lajmin për shkarkimin e ekipit menaxhues e bëri të ditur Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, Elbert Krasniqi. Ai tha se "ka marrë vendimin për lirim nga detyra, pasi ekipi në fjalë ka prezantuar tashmë draft-statutin gjatë takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, një ditë më herët në Bruksel”.
Beogradi e quan veprim të njëanshëm
I menjëhershëm ishte reagimi i Beogradit zyrtar përmes Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, e cila e cilësoi atë si vendim "të njëanshëm" dhe "të kundërligjshëm". "Mandati i Ekipit Menaxhues nuk përfundon me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit. Ekipi menaxhues ka një rol të rëndësishëm në vetë procesin e formimit të Asociacionit, deri në krijimin e tij", tha drejtori i kësaj zyre, Petar Petkoviq. Një ditë më herët, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit që zhvilloi në Bruksel me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ai "nuk e pranon draft-statutin e prezantuar, pasi nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën e Kosovës”. Nga ana tjetër, Presidenti Vuçiq, tha se është "shumë i shqetësuar, sepse është e qartë se Prishtina nuk dëshiron ta përmbushë obligimin e saj të dhjetë vjetëve më parë për formimin e Asociacionit”.
Kurti me një draft më vete 10 pikësh
Kryeministri Albin Kurti, në vend të statutit të prezantuar nga ekipi menaxhues, tanimë të shkarkuar nga detyra, menjëherë pas takimit propozoi një "draft-vizion” që e ka hartuar vetë e që, siç tha, "rregullon çështjen e komuniteteve jo-shumicë, përkatësisht të komunitetit serb në Kosovë”. Draft vizioni i Kurtit për "vetëmenaxhimin e serbëve përmban 10 pika. "Sot, Ekipi menaxhues prezantoi draftstatutin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Ata janë jofunksionalë tashmë. Unë fundamendalisht nuk pajtohem me draftin. Ai përfaqëson dëshirë për Republikë Srspka në Kosovë”, duke publikuar në fotografi vizionin e tij për implementimin e nenit 7 të Marrëveshjes bazë për "vetëmenaxhimin e komunitetit serb”.
Në letrën e publikuar nga Kurti theksohet, se kjo çështje duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, letrën e ish-ndërmjetëses Federika Mogherini dhe qëndrimet e SHBA-së. Kryeministri Kurti tha se kjo çështje duhet t'i përmbajë disa elemente kyçe: "Të burojë nga autorizimet e konventave të Këshillit të Evropës, përkatësisht Konventa Kornizë; Të ofrojë mundësinë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë të promovojnë dhe mbrojnë interesat e tyre përmes një kornize të vetëmenaxhimit; Të nxisë një projekt joterritorial, ku të gjithë serbët në Kosovë do të përfaqësoheshin funksionalisht (duke u mbështetur në të drejtën e votës dhe parimet e parapara në Kapitullin III, nenet 57, 58 dhe 59 të Kushtetutës së Kosovës) në përputhje me parimin e barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimin dhe mbi bazën e të cilave, të gjithë serbët në Kosovë realizojnë të drejtën e tyre për asociim të lirë për të mbrojtur apo avokuar për të drejtat dhe qëllimet politike, kombëtare, kulturore, sociale, ekonomike dhe të tjera”.
Me tej në tekstin e Kurtit thuhet se draft vizioni i tij, "Do të sigurojë kanal të drejtpërdrejtë të komunikimit me Qeverinë e Kosovës, ndër të tjera, përmes pjesëmarrjeve në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve; Do të ofrojë mundësinë që të financohet nga buxheti i Qeverisë së Republikës së Kosovës, organizata ndërkombëtare, institucionet e vendeve të treta dhe donacionet, përfshirë edhe nga Serbia, të cilat të gjitha duhet të kalohen përmes procedurave dhe rregulloreve të Ministrisë së Financave të Kosovës”, thuhet ndër të tjera në vizionin e Kurtit.
Në fund, si zotim shoqërues, përmendet se "duke u bazuar në frymën thelbësisht liberale të Marrëveshjes Bazë, e cila, në preambulë thekson se "mbrojtja e minoriteteve kombëtare është kusht themelor për paqe”, ky projekt duhet të personifikojë vendosmërinë e përbashkët të Kosovës dhe Serbisë që të mbeten të sinqerta dhe të angazhuara për të siguruar që komunitetet e tyre përkatëse jo-shumicë plotësojnë të njëjtat standarde për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, standarde që i kanë të përbashkëta shoqëritë demokratike dhe të bashkuara, e të cilat askënd nuk e lë prapa”.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në vitin 2013, ndërsa për parimet e tij janë dakorduar me një marrëveshje tjetër në vitin 2015. Por, marrëveshja për Asociacion nuk është zbatuar asnjëherë, për shkak se Beogradi zyrtar kërkon që Asociacioni të ketë kompetenca ekzekutive, ndërsa, Prishtina refuzon me arsyetimin, se mund ta kërcënojë funksionalitetin e shtetit dhe të ngjasojë me një Republikë Srpska në Kosovë.