1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: SHBA sërish për shtyrjen e vendimit për targat serbe

28 Tetor 2022

Më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave të makinave të lejuara nga Serbia. Përfaqësuesit e serbëve paralajmëruan bllokim të rrugëve, nëse veprohet për konfisikimin automjetesh.

https://p.dw.com/p/4InWC
SHBA sërish i kanë bërë thirrje qeverisë së Prishtinës për shtyrjen e vendimit për targat serbe në veri të Kosovës
SHBA sërish i kanë bërë thirrje qeverisë së Prishtinës për shtyrjen e vendimit për targat serbe në veri të KosovësFotografi: Milica Andrić/DW

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë t'i kërkojnë kryeministrit Albin Kurti që ta shtyjë afatin për konvertimin e targave në ato të Kosovës të makinave të lejuara për qarkullim nga Serbia. E gjithë kjo për të shmangur tensionet e mundshme në veri të Kosovës,  sidomos pas paralajmërimeve të serbëve të veriut se ata do të bëjnë rezistencë në rast se u konfiskohen targat dhe makinat. Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, zhvilloi të enjten vonë (27.10) një bisedë telefonike me kryeministrin Kurti nga i cili kërkoi shtyrjen e zbatimit të vendimit.

"Bisedova me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të diskutuar rëndësinë e shmangies së tensioneve dhe shtyrjes së zbatimit të rregullave të reja për targat, pa konfiskim apo gjoba. Gjithashtu diskutuam për partneritetin tonë dhe synimet e përbashkëta për çuarjen përpara të integrimeve evropiane dhe euroatlantike të Kosovës”, shkroi Chollet në Twitter. Edhe ambasadori amerikan në Kosovë Jeff Hovenier, shkroi se "është e rëndësishme të shmangen tensionet dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për targat”. Ai tha po ashtu se "ne dënojmë veprimet frikësuese apo hakmarrëse ndaj atyre që kanë konvertuar targat e tyre”.  Vetëm në 24 orët e fundit sipas policisë u regjistruan tri raste të djegies së makinave dhe dëmtimit të pronave të qytetarëve serbë, që kanë konvertuar targat e makinave nga ato serbe në të Kosovës. Të hënën më 31 tetor skadon afati i vendosur nga qeveria e Kosovës për konvertimin e targave me ato të Republikës së Kosovës për makinat e lejuara për qarkullim nga Serbia.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se serbët në Kosovë nuk do të heqin dorë nga targat KM (Mitrovicë e Kosovës), dhe paralajmëroi "rezistencë" nëse pas 31 tetorit, Kosova konfiskon targat dhe makinat. Këtë deklaratë, Vuçiq e bëri pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, ku morën pjesë edhe përfaqësuesit e serbëve të Kosovës. Sipas Vuçiq,  "Plani i Kosovës është që ato vetura të largohen nga Kosova duke moslejuar që të kthehen në territorin e saj”.

"Ajo me siguri do të hasë në rezistencën demokratike nga populli serb dhe shteti i Serbisë nuk do të lejojë persekutimin dhe vrasjen e popullit të vet”, tha Vuçiq, duke shtuar se ai "është i gatshëm t'i vazhdojmë bisedimet”.

Megjithë kërkesën e komunitetit ndërkombëtar drejtuar Kurtit që ta shtyjë zbatimin e vendimit për targat, kryeministri nuk duket që po lëviz nga qëndrimi i  tij për zbatim të vendimit. Ai thotë se qeveria e Kosovës i merr shumë seriozisht sugjerimet e aleatëve, por, ka për detyrim respektimin e ligjit. Sipas tij,  Kosova e ka bërë një shtyrje të afatit për targat nga 31 korriku deri më 1 nëntor. Ka kohë edhe pak ditë që të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë automjetet me targa të kohës së Millosheviqit, do të mund t'i konvertojnë ato në targa legale e legjitime RKS”, tha Kurti.

"Këto nuk janë masa kundër serbëve, por për serbët. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk është as hakmarrje, as inat, e as urrejtje. Por, zbatim i ligjit. Kur aleatët e partnerët tanë na japin sugjerime ne i marrim ato shumë seriozisht dhe i analizojmë me kujdes”, thotë Kurti. Sipas tij, moskonvertimi i targave ilegale në ato të Kosovës origjinën e ka tek "fushata negative e Beogradit dhe aktet kriminale të dhunës në veri që po e vështirësojnë fushatën për konvertim të targave”. Sipas të dhënave të Ministrisë së Rendit të Kosovës afro 10.000 vetura me targa me akronime serbe të qyteteve të Kosovës, qarkullojnë në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe. 

Një ditë më parë ndërkaq, Bashkimi Evropian u bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që në ditët në vijim të përmbahen nga veprimet, të cilat mund të çojnë në përshkallëzim të situatës të sigurisë.

"Ajo për të cilën më së paku kanë nevojë Serbia dhe Kosova në këtë moment është të ketë më shumë tensione. Ato kanë nevojë për më shumë përparim në mënyrë që ta çojnë dialogun përpara”, tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano. Sipas tij, "të dy vendet duhet të punojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse në dialog për normalizimin e marrëdhënieve”.

"Ne po punojmë me partnerët tanë, jo vetëm ne si BE, por edhe partnerët e tjerë, si dhe me autoritetet e Kosovës dhe Serbisë në mënyrë që të parandalohet çfarëdo përshkallëzimi”, tha zëdhënësi Peter Stano.