1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Asociacioni i Komunave Serbe përplas presidencën me qeverinë

Bekim Shehu
16 Shtator 2020

Presidenti Thaçi kërkon rezolutë në Kuvend që ia ndalon kryeministrit Hoti negociatat për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe. Grupet e ekspertëve Prishtinë-Beograd, të enjten e diskutojnë këtë çështje në Bruksel.

https://p.dw.com/p/3iYMO
Kosovo Regierungsgebäude in Pristina
Fotografi: DW/B. Shehu

Në Bruksel të enjten (17.09) takohen sërish grupet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut Prishtinë Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të rikthehet në fokus të këtij dialogu. Kjo çështje po kundërshtohet ashpër në Prishtinë, nga vetë Presidenti Thaçi. Qeveria e Kosovës thotë se kjo temë "do të jetë vetëm pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve ndërmjet të Kosovës dhe Serbisë”.

"Jo asociacion me komptenca ekzekutive"

Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, i cili në fund të muajit do të takohet sërish me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, është shprehur, se "nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive”, dhe se "integriteti territorial i Kosovës është i panegociueshëm”. Në një tryezë diskutimi me shoqërinë civile kryeministri Hoti theksoi, se për qëndrimin e tij ka përkrahje edhe të partnerëve ndërkombëtarë. "Është një qasje për zgjidhje sistematike të problemit dhe jo zgjidhje kreative. Integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i panegociueshëm. Kjo nuk është shtruar në asnjë tryezë diskutimi ku unë kam marrë pjesë qe tre muaj. Po ashtu nuk ka asociacion me kompetenca ekzekutive”.

Sipas Hotit, marrëveshja duhet të përfundojë me njohje reciproke. "Marrëveshja dhe procesi duhet të përfundojë me normalizim të marrëdhënieve në mes të dy vendeve, që i bie me njohje reciproke. Marrëveshja duhet të përfundojë me një zgjidhje të përhershme të problemit”, tha Hoti. "Ajo që bëjmë në këtë fazë është draftim i elementeve të marrëveshjes përfundimtare, një prej këtyre elementeve është çështja e të pagjeturve. Po cilësohet dialog teknik, nuk ka dialog teknik, nuk jemi duke arritur marrëveshje parciale. Për vite janë arritur marrëveshje që nuk janë zbatuar, dhe kjo ka ndodhur se nuk është adresuar njohja reciproke”, tha kryeministri Hoti, duke ftuar partitë politike që të bëhen bashkë dhe të flasin me një zë për procesin e dialogut.

Kosovo Avdullah Hoti
Fotografi: Office of the Kosovo prime minister

"Gabim i madh dhe i rrezikshëm"

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi nuk është i këtij mendimi. Sipas tij, qeveria nuk ka mandat të diskutojë për tema që janë mbyllur. "Hapja e temave për të drejtat e komuniteteve dhe për Asociacionin e komunave serbe në dialogun e Brukselit është gabim i madh dhe shumë i rrezikshëm i Qeverisë së Kosovës. Është goditje ndaj shtetësisë dhe cenim i sovranitetit të shtetit tonë. Këto tema janë adresuar dhe zgjidhur në kuadër të Pakos së Ahtisaarit, e cila i parapriu shpalljes së pavarësisë, por edhe në kuadër të Marrëveshjes së Brukselit në prillin e vitit 2013 dhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, tha presidenti i Kosovës nëpërmjet një deklarate për medie.

"Prandaj, askush nuk ka mandat që të bisedojë në emër të Kosovës për tema të mbyllura, në Bruksel apo kudoqoftë. Kosova nuk mund dhe me asnjë çmim asnjëherë nuk do të lejojë që brenda territorit të saj të krijohet një entitet politik, i cili do të ishte riprodhim i Republikës Serbe në territorin e Kosovës”, tha presidenti Thaçi, duke shtuar se, "Diskutimi për Asociacionin nesër në Bruksel është fillim i instalimit të Republikës Serbe brenda Republikës së Kosovës. Ndërsa, diskutimi për pronat e Kosovës me Serbinë është në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe është cenim i sovranitetit të shtetit tonë”. Thaçi kërkon që "Kuvendi i Kosovës duhet urgjentisht ta trajtojë këtë hap të rrezikshëm të Qeverisë së Kosovës në dialogun e Brukselit”. Sipas tij, duhet nxjerrë një rezolutë "me të cilën kryeministrit i ndalohet të negociojë për çështje të brendshme të Kosovës dhe për tema që rrezikojnë rendin e brendshëm shtetëror”.

Opozita kundër Asociacionit

Raportimi në Kuvend për dialogun i kryeministrit Avdullah Hoti zhvillohet pikërisht ditën e enjte datë 17.09 kur në Bruksel diskutojnë grupet e ekspertëve të Prishtinës dhe Beogradit. Javën e kaluar, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke folur në një debat në Komitetin për Punë të Jashtme në Parlamentin Evropian tha se "Kosova do ta respektojë Marrëveshjen për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe zbatimi i saj do të bëhet vetëm në përputhje me Kushtetutën e Kosovës”.

Edhe partitë politike opozitare e kundërshtojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Xhelal Sveçla, nga lëvizja Vetëvendosja, partia më e madhe opozitare, tha në një konferencë për medie se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, është i pazbatueshëm dhe Vetëvendosja do ta mbrojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015.

Kosovo Präsident Hashim Thaci
Fotografi: picture-alliance/dpa/C. Huby

"Për sa i përket çështjes se Asociacionit, tashmë jo vetëm që është jokushtetuese, por është edhe e paimplementueshme. I gjithë populli i Kosovës tashmë e di që kjo marrëveshje është e dëmshme për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Është vendimi i Gjykatës Kushtetuese që nuk e lejon themelimin e një asociacioni të tillë”, tha Sveçla.

Marrëveshja për Asociacionin

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me një marrëveshje në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel në vitin 2013. Më vonë në vitin 2015, Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian arritën një marrëveshje shtesë për themelimin e këtij Asociacioni, që fliste për kompetenca ekzekutive. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës në interpretimin e kësaj marrëveshje gjeti që parimet për Asociacionin nuk janë në përputhje me Kushtetutën. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e përcakton se parimet mund të harmonizohen me akte ligjore të Qeverisë së Kosovës.

Njohësi i çështjeve juridike Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, i tha Deutsche Welles, se themelimi apo jetësimi i Asociacionit të komunave më shumicë serbe në Kosovë mund të bëhet vetëm në bazë të rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.

"Republika e Kosovës ka marrë zotim se duhet të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe po e përsëris që i njëjti Asociacion, as kryeministri dhe asnjë lider politik nuk mund të dalë jashtë asaj që e ka përcaktuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës. Statuti i këtij Asociacioni në kohën kur do të hartohet, duhet të reflektojë të gjitha rekomandimet apo të evitojë të gjitha dispozitat që janë në kundërshtim me Kushtetutën, e që tashmë janë evidentuar nga Gjykata Kushtetuese”, tha Ehat Miftaraj.

Beogradi zyrtar dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq, nga ana tjetër me këmbëngulje kërkojnë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Vuçiq, citojnë mediet në Serbi, e di mirë që shumë pika të marrëveshjes për krijimin e këtij asociacioni janë shpallur anti-kushtetuese në Kosovë. "Nuk më intereson a është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës apo jo”, citon mediumi serb B92, Aleksandër Vuciqin.