Kosovë: Më 22 tetor zgjedhjet lokale
20 Tetor 2017Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ)bën të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet që të dielën ( 22.10) të zhvillohen zgjedhjet lokale në 38 komuna të Kosovës. Në këtë proces zgjedhor do të votohet drejtpërdrejt për kryetarë të komunave dhe këshilltarë nëpër asambletë komunale. Sipas KQZ-së, në zgjedhjet lokale të 22 tetorit marrin pjesë 91 subjekte politike, prej tyre një koalicion, 35 parti politike, 30 iniciativa qytetare dhe 25 kandidatë të pavarur.
Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, beson në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, sepse sipas saj, "ka koordinim edhe me mekanizmat e tjerë të Kosovës siç janë policia, prokuroria dhe komisioni për ankesa dhe parashtresa".
"Bashkëpunimi ndërinstitucional edhe në zgjedhjet e kaluara ka pasur efektin e duhur dhe ne si KQZ jemi të kënaqur jashtëzakonisht me bashkëpunimin që kemi pasur në faza të ndryshme të procesit zgjedhor. Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, është thelbi i angazhimit tonë të përbashkët edhe në këtë proces zgjedhor", thotë Valdete Daka.
Sipas saj, ashtu sikurse edhe në zgjedhjet e kaluara edhe në këto zgjedhje, KQZ është kujdesur që personat, të cilët dyshohen se kanë kryer vepra penale dhe kanë bërë shkelje zgjedhore të mos përfshihen në administratën zgjedhore.
Prokuroria e shtetit nga ana e saj tashmë ka caktuar 86 prokurorë, që do të jenë të shpërndarë në të gjitha rajonet e Kosovës. Edhe policia thotë të ketë ndërmarrë të gjitha masat që procesi i zgjedhjeve të shkojë pa probleme.
"Dëshiroj t'iu drejtohem të gjithë qytetarëve të vendit me kërkesën për ta që të jenë pranë zyrtarëve policor në aspektin e motivit bashkëpunues në njërën anë dhe në anën tjetër të ndihen plotësisht të lirë dhe të sigurt që të lajmërojnë apo të raportojnë çfarëdo parregullsie", thotë zëvendës drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Naim Rexha.
Zgjedhje për kryetar komunash dhe asambletë komunale do të mbahen edhe në katër komunat në pjesën veriore të Kosovës, e banuar me shumicë serbe. Këtë javë në disa komuna qëndruan zyrtarë të lartë të qeverisë së Serbisë, në mesin e tyre Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë. Ai përkrahu hapur një subjekt politik, Listën "Srpska". Kjo e ka shqetësuar kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj i cili e ka dënuar siç thotë "ndërhyrjen e Serbisë në fushatën zgjedhore në Kosovë".
"Akte të tilla bien ndesh me parimin e fqinjësisë së mirë dhe cenojnë në mënyrë thelbësore qëllimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Mirëintegrimi i serbëve të Kosovës është interes reciprok dhe çdo përpjekje për të dëmtuar këtë qëllim do të konsiderohet si mosrespektim i vullnetit politik të tyre. Serbët e Kosovës kanë të drejtë të zgjedhin, dhe zgjedhja e përfaqësuesve të tyre, pa ndërhyrje, do të respektohet nga autoritetet e Republikës së Kosovës", thotë në reagimin e tij, kryeministri Ramush Haradinaj.
Ngjashëm si edhe në proceset zgjedhore paraprake, edhe këto zgjedhje do të vëzhgohen nga një numër i konsiderueshëm i vëzhguesve vendas dhe ndërkombëtarë.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, thotë se KQZ, tashmë ka akredituar shumë vëzhgues."Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar rreth 33 mijë e 200 vëzhgues, të cilët përfaqësojnë subjektet politike të çertifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje. Pastaj organizata joqeveritare vendore, institucione ndërkombëtare, përfaqësi diplomatike të akredituar në Republikën e Kosovës si dhe media vendase dhe ndërkombëtare. Për KQZ-në vëzhgimi i procesit zgjedhor është thelbësor", thotë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Një ndihmë teknike do të japë edhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE), ndihmë kjo e kufizuar në komunat veriore të Kosovës, ku do të organizohen zgjedhjet lokale.