Kosovë: Lirohen nga detyra ambasadorët e emëruar politikisht
20 Maj 2021Ministria e Jashtme e Kosovës i propozoi presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, që të lirojë nga detyra të gjithë ambasadorët e Kosovës të emëruar me çelës politik. Presidentja Osmani tashmë e ka nxjerrë dekretin duke liruar nga detyra ambasadorët. Këtë e konfirmoi në një konferencë për medie vet Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
"Ministria Punëve të Jashtme dhe Diasporës, i ka propozuar presidentes të miratojë dekretet për lirim nga detyra të të gjithë ambasadorëve të emëruar politikisht. Presidentja Osmani dje ka nxjerrë dekretet duke vepruar në përputhje me propozimin. Lirimi nga detyra dhe tërheqja e ambasadorëve të emëruar politikisht është bërë në frymën e programit qeverisës të miratuar, ku parashihet reformimi i shërbimit diplomatik të Republikës së Kosovës”, deklaroi Gërvalla. Sipas saj, vendime të tjera sa i përket shërbimit diplomatik do të ndodhin, ndërsa, bëri të ditur se përzgjedhja e ambasadorëve të rinj do të bëhet javëve në vazhdim.
"Në javët në vijim do të bëhet përzgjedhja e ambasadorëve të rinj”, tha ministja Gërvalla, duke falënderuar të gjithë ambasadorët politik për punën që kanë bërë.
"Ky është vetëm një hap në reformën e thellë të shërbimit diplomatik të Kosovës. Ai do të pasohet nga vendime të tjera në nivelin strukturor të ministrisë dhe do të mbështetet nga legjislacioni i ri, i cili do të ristrukturojë shërbimin diplomatik sipas standardeve ndërkombëtare”, tha Gërvalla.
Sipas ligjit për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik, gjysma e ambasadorëve apo 50% e emërimeve të Ambasadorëve dhe Shefave të Misioneve diplomatike duhet të bëhet nga anëtarët në detyrë të Shërbimit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, ndërsa pjesa tjetër, mund të jenë të emëruar politik. Të emëruarit politik sipas ligjit, mund të "shërbejnë vetëm për një mandat, dhe pas përfundimit të këtij mandati, nuk konsiderohen pjesë e Shërbimit të Jashtëm”. Disa nga ambasadorët e liruar nga detyra, ende nuk e kanë përfunduar mandatin katër vjeçar.
Pas propozimit të Ministrisë së Jashtme për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të emëruar me çelës politik, reaguan dy udhëheqësit e partive opozitare Enver Hoxhaj dhe Ramush Haradinaj, duke e cilësuar këtë veprim, ”një skandal të paprecedent”.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj e ka konsideruar si "suspendim të politikës së jashtme të Kosovës”, propozimin e Qeverisë për lirimin nga detyra të të gjithë ambasadorëve të Kosovës "të emëruar politikisht". Ish-ministri i Punëve të Jashtme në Kosovë, Enver Hoxhaj thotë se "ky vendim përbën skandalin më të madh në politikën e jashtme”.
"Qeveria Kurti, me veprimin e djeshëm për kthimin e ambasadorëve me "çelës politik", e ka suspenduar Politikën e Jashtme. Në 23 misione diplomatike, Republika e Kosovës nuk ka ambasadorë. Kjo përbën skandalin më të madh në Politikën e Jashtme të Kosovës. Largimi i përnjëhershëm i ambasadorëve me "çelës politik" është i paprecedent, i pamatur, i pa analizuar mirë. Veprime të tilla kamikaze e dëmtojnë imazhin e Kosovës në botë, e zbehin subjektivitetin ndërkombëtar dhe i përmbysin arritjet e dy dekadave të fundit në diplomaci”, tha Enver Hoxhaj.
Edhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ish-kryeministër, tha se lirimi nga detyra i një numri ambasadorësh të Kosovës "është i paprecedent dhe i papjekur politikisht që do të ketë ndikime negative në politikën e jashtme të Kosovës”.
"Largimi i paparalajmëruar i Ambasadorëve të Kosovës, në mes të detyrës, në një periudhë të sfidave për shtetësinë e Kosovës e dobëson pozitën e saj dhe e dëmton angazhimin në ndërtimin e partneritet serioz me shtetet pritëse”, tha Haradinaj, duke shtuar se "asnjëri prej ambasadorëve të dërguar sipas "çelësit politik” nuk ka shërbyer në emër të partisë apo të individëve por ka kryer shërbim në emër të Kosovës”.
"Kthimi i ambasadorëve të Kosovës para kohe dhe në mënyrë të fshehtë, tregon mbi politikat pa vizion të qeverisë së tashme dhe dëshmon përpjekjet për t'i përvetësuar institucionet e Kosovës në dëm të shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ndryshimi nuk mund të vijë me përpjekjet për rrënim të vendit dhe të partneritetit të tij me shtetet e tjera të ndërtuar me mund”, shkroi Haradinaj.
Pas lirimit nga detyra të ambasadorëve aktual, emërimi i ambasadorëve të rinj merr kohë. Propozimi për emërimin e një ambasadori të ri bëhet në koordinim me kryeministrin dhe emrat për ambasadorë dërgohen në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit të Kosovës. Ky komision pastaj i dërgon emrat në Presidencë, ku më pas ata duhet dekretuar nga Presidentja e Kosovës. Më pas është shteti pranues që duhet të japë pëlqimin për ambasadorin e ri të Kosovës.