Kosovë: i vetëdorëzohet EULEX-it deputeti i PDK-së Azem Syla
29 Prill 2016Është dorëzuar te policia e misionit EULEX, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Azem Syla, i cili nga Prokuroria e Shtetit dyshohet të jetë kreu i një grupi prej 40 personash të përfshirë në krim të organizuar. Deputeti Azem Syla, i cili ndodhej jashtë Kosovës, dha dorëheqje nga mandati i deputetit. Avokati i Azem Sylës, Tomë Gashi tha, se “klienti i tij do të bashkëpunoj me drejtësinë” dhe sipas tij ata presin procedurat dhe rrjedhën e tyre në mënyrë normale.
Sipas prokurorisë së shtetit ky grup dyshohet për krim të organizuar, pastrim parashë dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe dhënie e marrje të ryshfetit. Një operacion në shkallë të gjerë i policisë së misionit EULEX dhe policisë së Kosovës u zhvillua të mërkurën (27.04) në Prishtinë dhe rrethina për arrestimin e të paktën 40 personave. Në operacion morën pjesë 350 policë. Deri tani janë arrestuar 7 persona, ndërsa, të tjerët janë në kërkim.
Në një njoftim të prokurorisë u tha se “operacioni ka të bëjë me një grup të madh të organizuar kriminal, i cili ka qenë aktiv nga viti 2006 e deri më sot, i përbërë nga qytetarë nga Kosova dhe nga Serbia, i kryesuar nga Azem Syla". Pjesë e këtij grupi janë edhe ish-gjyqtarë, avokatë, zyrtarë komunal dhe afaristë.
"Anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar, secili me një rol të veçantë, për ta privuar Kosovën nga pronat shoqërore në një vlerë përafërsisht prej 30 milionë eurosh, nëpërmjet veprimtarive kriminale, përfshirë falsifikimin e dokumenteve zyrtare dhe dhënien e ryshfetit për zyrtarët publikë. Të dëmtuarit janë buxheti i shtetit të Kosovës dhe familjet serbe të Kosovës, autorizimi i të cilëve për të dhënë parcelat e tokave me qira është keqpërdorur nga grupi i organizuar kriminal", thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Sipas prokurorisë një pjesë e konsiderueshme e këtyre e parcelave të tokës të përfshira janë sekuestruar përkohësisht me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore të Prishtinës më 26 prill 2016. Në radhë të parë ky proces ka për qëllim ta rikthejë tokën në pronësi të pronarëve të ligjshëm publik".
Bëhet e ditur po ashtu se disa të dyshuar, ndaj të cilëve po zhvillohen hetime, janë qytetarë serbë, që jetojnë në Serbi. Për këtë njoftohet se gjatë hetimit ka pasur një bashkëpunim efektiv me Zyrën e Lartë të Prokurorit për Krim të Organizuar në Beograd. Arrestimi i tyre akoma nuk është bërë, sepse sipas prokurorisë disa persona të kërkuar janë arratisur ose janë jashtë vendit.
Operacioni i policisë së Kosovës dhe atyre të misionit EULEX është mbështetur nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në facebook, thotë se “lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është çelësi i ndërtimit të shtetit demokratik e të drejtë, çelësi i së ardhmes evropiane”. Ai pret nga të gjithë ata që janë të përfshirë në rastet gjyqësore që t'i ofrojnë bashkëpunim të plotë policisë dhe prokurorisë. Në të njëjtën linjë shprehet edhe kryetari i Parlamentit të Kosovës, Kadri Veseli. Ai bëri thirrje që prokuroria dhe gjyqësia ta kryejnë punën e tyre në mënyrë të pavarur, duke theksuar se të gjithë në Kosovë duhet të jenë të barabartë para ligjit.
Shkalla e lartë e korrupsionit dhe e krimit të organizuar në Kosovë janë theksuar në raportet e progresit të Komisionit Evropian si edhe në raportet hulumtuese të organizatave të tjera ndërkombëtare si një prej problemeve më të mëdha të zhvillimit të shtetit të Kosovës. Ky fakt pranohet edhe nga vet Këshilli Kombëtar Kundër Korrupsionit, ku në takimin e fundit që mbajti dy muaj më parë u tha se “korrupsioni është prezent gati në të gjitha institucionet e Kosovës”.
Në raportin e fundit për vitin 2015 nga Organizata Transparency International mbi perceptimin e korrupsionit, thuhet se “në përgjithësi, dy të tretat e 168 vendeve të vlerësuara radhiten nën shifrën 50 në indeksin prej 0 pikësh, që përshkruan vendet me korrupsion të lartë, deri në 100 pikë, që vlen për vendet e pastra. Kosova në vitin 2015 ka marrë 33 pikë dhe është radhitur në pozitën numër 103. Krahasuar me raportin e para një viti, kur është radhitur në pozitën numër 110, Kosova ka shënuar përparim të lehtë.