1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë:Diplomacia perëndimore reagon pas zhvillimeve në veri

26 Shtator 2023

Emisari i qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin, bëri thirrje nga Prishtina që të gjendet sa më parë një zgjidhje për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë në kuadër të dialogut.

https://p.dw.com/p/4Wnfr
I dërguari i qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti
I dërguari i qeverisë gjermane, Manuel Sarrazin me kryeministrin e Kosovës, Albin KurtiFotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Zhvillimet e ditës së diel (24.09.2023) dhe sulmi terrorist mbi policinë e Kosovës, bëri që qeveria gjermane të dërgojë në Kosovë të ngarkuarin për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Emisari gjerman, gjatë ditës së hënë (25.09.2023), takoi në Prishtinë udhëheqësit kryesorë të institucioneve dhe partitë politike opozitare. Sarrazin tha, se erdhi në Kosovë për të shprehur "solidaritetin dhe ngushëllimet për vrasjen e policit të dielën në Banjskë të Zveçanit”, duke e dënuar - siҫ tha - “sulmin kriminal dhe terrorist ndaj Policisë së Kosovës”. Ai bëri thirrje "që të gjendet sa më parë një zgjidhje për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar me Serbinë”.

"Është e qartë se nëse dëshironi ta zgjidhni çështjen e sigurisë në kohë afatgjatë ne duhet të kemi një dialog të suksesshëm dhe përfshirja në dialog dhe normalizimi midis Kosovës dhe Serbisë mund të jetë një ndër gurët e themelit të zhvillimit në të ardhmen. Nuk duhet ta ndalojmë këtë tani, ne duhet ta vazhdojmë më tutje, të mundohemi të gjejmë një zgjidhje që të zbatojmë marrëveshjen e Ohrit dhe të kemi një dialog të suksesshëm”, deklaroi Sarrazin, pas takimit me kryeministrin Kurti.

I dërguari gjerman në Prishtinë takoi edhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, ku sipas një njoftimi nga zyra e presidentes "është biseduar për zhvillimet e fundit në veri të Kosovës pas sulmit terrorist të grupeve kriminale serbe që rezultoi me vdekjen e një polici dhe lëndimin e disa tjerëve”.

I ngarkuari i BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak në takim me këshilltarët e Francës, Gjermanisë, Italisë, dhe SHBA-së
I ngarkuari i BE-së për dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit, Miroslav Lajçak në takim me këshilltarët e Francës Gjermanisë, Italisë, dhe SHBA-sëFotografi: Office of the Kosovo presidency

"Veprimet terroriste dhe akti i agresionit në veri janë të orkestruara dhe zbatuara nga struktura të mbështetura nga Beogradi. Veprimet e tilla përbëjnë cënim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbia”, thuhet në një njoftim nga zyra e presidentes.

Lajçak: “Konsultime intensive dhe shumë thelbësore”

Manuel Sarrazin u shpreh, se për gjetjen e një rruge përpara, do të angazhohet edhe emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Ky i fundit sulmin ndaj policisë së Kosovës e cilësoi "akt frikacak e në kundërshtim me parimet e paqes dhe të bashkëpunimit”.

"Ky sulm i tmerrshëm thekson më tej domosdoshmërinë e diplomacisë dhe dialogut parandalues, nënvizuar gjatë javës së kaluar, kur mora pjesë në javën e nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork. Në margjinat e OKB-së, fola me drejtues dhe kolegë të shumtë nga e gjithë bota. Në një mënyrë apo tjetër, të gjithë theksuam rëndësinë e dialogut dhe bashkëpunimit”, ka shkruar Lajçak. Gjatë ditës së hënë, Lajҫak njoftoi se ka mbajtur “konsultime intensive dhe shumë thelbësore”, për situatën në veri të Kosovës me këshilltarët e lartë të liderëve evropianë dhe ata të SHBA-ve.

"Bisedova me këshilltarët e liderëve francezë, gjermanë e italianë, dhe Escobarin për hapat e ardhshëm në implementimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe situatën në veri të Kosovës”, shkroi Lajҫak. Gjatë ditës së martë në Bruksel do të takohen ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropian për të diskutuar për situatën më të re në Kosovë. Thuhet se Miroslav Lajҫak, së shpejti planifikon t'i vizitojë Kosovën dhe Serbinë, ndonëse nuk është konfirmuar akoma kjo vizitë.