Kosovë: Deputetët serbë kthehen në parlament
27 Mars 2017Deputetët e serbëve të Kosovës, nga lista ”Srpska”, kanë marrë vendim që të kthehen në Kuvend, pas disa muaj bojkot që u bënë institucioneve të Kosovës. Vendimin për kthim në Parlamentin e Kosovës deputetët serb e morën, siç thanë, ”për ta kundërshtuar transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës ( FSK) në ushtri të Kosovës”. Sllavko Simiq, shef i grupit parlamentar të listës "Srpska”, tha për mediet lokale serbe, se ky subjekt politik kthehet në institucione për të mbrojtur interesat e komunitetit serb.
"Pas konsultimeve që kemi pasur brenda listës "Srpska”, kemi vendosur që të përdorim të gjithë mekanizmat, që përmes institucioneve ta kundërshtojmë transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtrinë të Kosovës. Dhe tjera ta nisim procesin e krijimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ne konsiderojmë që marrëveshja për Asocacionin është për popullin serb të Kosovës dhe nuk duam që Prishtina zyrtare ta themelojë statutin e asociacionit pa përfaqësuesit e serbëve”, tha Sllavko Simiq.
Vendimin për kthimin e Listës "Srpska” në institucionet e Kosovës pas bojkotimit disa mujor e mbështeti edhe qeveria në Beograd, përmes drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq. Qeveria në Beograd e mbështet vendimin e përfaqësuesve serbë për kthim në Kuvendin e Kosovës dhe që pavarësisht rrethanave të vështira, aktivisht ta kundërshtojnë krijimin e të ashtuquajturës ushtri të Kosovës”, tha Marko Gjuriq për televizionin publik serb RTS.
Ndërkohë, nënkryetari i kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, e ka mirëpritur vendimin e Listës "Srpska” për t'u kthyer në kuvend dhe qeveri dhe këtë ai e ka cilësuar si sukses të Kuvendit të Kosovës.
"Është interes i komunitetit serb që t'i ketë përfaqësuesit e tyre në Kuvendin e Kosovës, sepse vetëm duke qenë në institucione ata mund t'i përfaqësojnë interesat e serbëve të Kosovës. Kjo është me rëndësi për ta dhe për funksionimin e institucioneve. Ne kemi një shoqëri shumetnike dhe duke qenë kështu, të gjithë duhet të punojmë së bashku edhe përfaqësuesit e të gjitha komuniteteve”, tha Xhavit Haliti.
Deputetët e serbëve të Kosovës bojkotuan institucionet e Kosovës që nga miratimi i ligjit për Trepçën nga kuvendi i Kosovës në tetor 2016, ligj ky që u kundërshtua ashpër nga qeveria në Beograd. Më vonë arsye tjetër për mospjesëmarrje në institucione, lista "Srpska” paraqiti edhe mosnisjen e procesit për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, pas kundërshtimit të Prishtinës zyrtare, e cila thotë se "pa u shuar të gjitha strukturat paralele, nuk mund të themelohet asociacioni”.
Lista "Serpska” e mbështetur nga qeveria në Beograd kundërshtoi kategorikisht së fundi nismën e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që me ligj ta transformojë Forcën e Sigurisë së Kosovës në ushtri, duke shmangur kështu ndryshimet e nevojshme Kushtetuese. Për transformimin e FSK-së në ushtri, duhet ndryshuar Kushtetuta me dy të tretat e votave të 120 deputetëve dhe dy të tretat e votave të deputetëve serbë. Kjo tash për tash duket e pamundur, për faktin që kthimin në kuvend pas gjashtë muaj bojkoti, përfaqësuesit e serbëve po e bëjnë pikërisht, siç thonë, "për ta kundërshtuar qoftë me ndryshime kushtetuese qoftë me ligj, Transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri të Kosovës”.
E nga ana tjetër, Presidenti Hashim Thaçi, vazhdon ta përsërisë qëndrimin, se themelimi i ushtrisë së Kosovës nuk mund të pres pafundësisht dhe nuk mund të jetë, siç thotë, "peng i Beogradit dhe listës Srpska”.
Transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës përmes ligjit e kanë kundërshtuar edhe ambasadorët në Kosovë të vendeve më të industrializuara. Ata nuk janë kundër themelimit të ushtrisë së Kosovës, por thonë që "kjo duhet bërë me një proces gjithëpërfshirës dhe me ndryshimet e nevojshme kushtetuese”.