Kosovë: Arrestohet kreu u OVLUÇK-së, Hysni Gucati
25 Shtator 2020Njësitë speciale të misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit, EULEX, arrestuan të premten (25.09) pasdite Hysni Gucatin, kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Avokati i kësaj organizate, Tomë Gashi, tha se zoti Gucati do të dërgohet në Hagë edhe pse ai nuk ka qenë asnjëherë i ftuar nga Gjykata Speciale. Ende nuk janë bërë publike arsyet për arrestimin e Hysni Gucatit.
"Nuk ka gjasa që rasti ka të bëjë me krime lufte, sepse ai kurrë nuk është marrë në pyetje më herët dhe në bazë të vendimit që e kemi parë, mund të ketë gjasa që ai është arrestuar për atë që gjykata e konsideron si pengim të drejtësisë”, tha Tomë Gashi.
Organizatat e veteranëve të UCK-së, për tri herë radhazi gjatë këtij muaji pranuan nga persona anonim mijëra dosje të Prokurorisë Speciale për Krime lufte në Hagë. Sipas udhëheqësve të OVLUÇK-së, ato dosje "dëshmojnë për bashkëpunim e Gjykatës Speciale me autoritetet e Beogradit”.
Prokuroria Speciale për këtë çështje tashmë ka nisur hetimet, ndërsa, tha se "disa aktivitete në të cilat është përfshirë Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), kanë për qëllim të minojnë administrimin e drejtësisë në mënyrë të duhur”.
Arrestimi nga misioni EULEX, i Hysni Gucatit, kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndodhi vetëm një ditë pasi ky mision arrestoi Sali Mustafën, në bazë të një urdhër-arresti të saj dhe akuzës së konfirmuar nga një gjykatës i procedurës paraprake të Gjykatës Speciale. Salih Mustafa, ishte ish-shef i inteligjencës së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa, aktualisht punonte si zyrtar civil në Ministrinë e Mbrojtjes.
Pas këtyre zhvillimeve reagoi ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili vet është marrë në pyetje nga Gjykata Speciale në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte. Haradinaj tha se "publikimi i dosjeve të Gjykatës Speciale ka qenë i gabuar dhe se do ta dëmtojë më së shumti shtetin tonë, përfshirë edhe vet të akuzuarit”.
"Tentimi për të krijuar imazhin se Kosova është e mobilizuar ta pengojë drejtësinë është i gabuar. Ne nuk kemi qenë e as nuk jemi në anën e kundërt të drejtësisë. Apeloj te organet e drejtësisë, vendase dhe ndërkombëtare, që të respektojnë të drejtat e të gjithëve. Asnjë i akuzuar nuk do t'i ik drejtësisë. Konsideroj se nuk ka arsye për operacione e bastisje, sepse secili do t'i përgjigjet vullnetarisht drejtësisë”, shkroi në reagimin e tij Haradinaj.
Mbi 200 ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë marrë në pyetje nga prouroria Speciale që nga fillimi i vitit 2019. Më 24 qershor Zyra e Prokurorit të Specializuar paraqiti një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë. Prokuroria Speciale e "akuzon”, Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, si përgjegjës "për 100 vrasje të paligjshme” dhe krimet e paraqitura në aktakuzë përshijnë "qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë”. Kjo aktakuzë duhet të shqyrtohet "të konfirmohet apo rrëzohet”, nga gjyqtari i procedurës paraprake, francezi Nikola Giju. Nëse aktakuza konfirmohet, atëherë presidenti Thaçi, ka deklaruar se ai do të japë dorëheqje nga posti i presidentit. Gjykata Speciale ka selinë e saj në Hagë dhe i tërë stafi i saj është ndërkombëtar, ndonëse ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës. Arsyeja se pse kjo gjykatë gjendet në Hagë, është pikërisht fakti që nëse ishte vendosur në Kosovë sipas zyrtarëve ndërkombëtar "mund të kishte frikësim të dëshmitarëve”, thuhej në vitin 2016 në një komunikatë për medie të qeverisë së Holandës. Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 me këmbëngulësinë e bashkësisë ndërkombëtare, ku kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese për këtë Gjykatë. Ideja për themelimin e Gjykatës, pasoi hetimet e pretendimeve të të dërguarit të Këshillit të Evropës, Dick Martty, për përfshirjen e ish drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në krime të luftës dhe të pasluftës në Kosovë.