1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovë: Akuza për korrupsion brenda misionit EULEX

Bekim Shehu
16 Nëntor 2017

Misioni i EULEX-it në Kosovë merr sërish një goditje. Dorëhiqet kryetari i gjyqtarëve të misionit, duke hedhur akuza se "EULEX-i është një mision politik dhe jo mission që promovon shtetin ligjor".

https://p.dw.com/p/2nmA1
Eulex Logo

Kryetari i gjyqtarëve të misionit EULEX Malcolm Simmons, ka dhënë dorëheqjen nga pozita e tij, duke e akuzuar në të njejtën kohë këtë mision për përfshirje në korrupsion. Gjykatësi britanik Malcolm Simmons, në një intervistë për gazetën franceze "Le Monde", ka folur për keqfunksionim të madh në misionin e EULEX-it, i cili gjykon rastet më të rënda të korrupsionit dhe disa raste për krime lufte në Kosovë. Gjykatësi Simmons, thotë se ai ka denoncuar shumë raste të korrupsionit brenda misionit më të shtrenjtë të Bashkimit Evropian.

"EULEX-i nuk është një mision që synon promovimin e shtetit ligjor. Është një mision politik. Kushdo që e mendon të kundërtën është ose naiv ose i marrë", citon Le Monde, gjykatësin Simmons, i cili thotë se "EULEX-i dëshironte ta rrëzonte një pjesë të klasës politike kosovare".

I menjëhershëm ka qenë reagimi i zyrës së shefes së diplomacisë evropiane dhe i misionit EULEX në Kosovë. Zyrtarë të këtij misioni në një deklaratë për medie, thanë se ata janë duke hetuar pretendimet e gjykatësit britanik Simmons, i cili sipas tyre, është po ashtu nën hetime, për të njëjtat pretendime të ngritura kundër tij.

"Përgjatë vitit të kaluar, Malcolm Simmons, ka qenë objekt i disa hetimeve të pavarura në lidhje me disa pretendime të rënda kundër tij. Këto hetime janë duke u bërë nga një ekip, i cili është krijuar dhe që ndodhet në Bruksel, i kryesuar nga një ish-gjyqtar i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Këto pretendime janë në faza të ndryshme të hetimeve, kurse disa prej tyre janë dërguar në një Bord Disiplinor dhe tani janë në pritje të vendimit të këtij Bordi. Të tjerat janë në vijim e sipër", thuhet në deklaratën e misionit EULEX për hetimet kundër tashmë ish-gjyqtarit Simmons.

"BE-ja dhe EULEX-i zbatojnë politikë të zero-tolerancës për sjellje të papërshtatshme dhe keqbërje, ndërsa të gjithë pjesëtarët e misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Prandaj, të gjitha pretendimet e paraqitura së fundmi nga z. Simmons janë trajtuar me seriozitetin e njëjtë dhe po ashtu kanë rezultuar me hetime që janë në proces dhe duke u zhvilluar në të njëjtën mënyrë sikur edhe ato kundër tij, do të thotë në përputhje me kornizën e aplikueshme, Kodin e Sjelljes dhe Disiplinës për Misionet civile të PPSM të miratuara nga Këshilli në qershor 2016. Nga z. Simmons është kërkuar që t'i paraqesë të gjitha provat që i posedon në mbështetje të pretendimeve të tij, por për fat të keq ai këtë nuk e ka bërë ende", thuhet më tej në reagimin e misionit EULEX. Ky mision thotë se nuk e paragjykon epilogun e hetimeve të tanishme dhe i mirëpret përfundimet e tyre, të cilat përshtatshmërisht do të bëhen publike.

Edhe në në vitin 2015 një prokurore e këtij misioni, Maria Bamieh, ngriti akuza për korrupsion brenda misionit EULEX. Edhe për këtë rast një ekip i pavarur i hetuesve të BE-së zhvilloi hetime, por ato rezultuan pa ndonjë rezultat konkret.

Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të ligjit, EULEX, u vendos në Kosovë në vitin 2008 menjëherë pas shpalljes së pavarësisë. Baza ligjore për funksionimin e këtij misioni është përcaktuar nga Këshilli i Ministrave të BE-së, me anë të veprimit të përbashkët të Bashkimit Evropian. Në bazë të kësaj, EULEX-i funksionon në kuadër të kornizës së përgjithshme të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. EULEX-Kosova është krijuar me synimin e përgjithshëm që t'i ndihmojë institucionet, organet gjyqësore dhe agjencitë për zbatimin e ligjit të Kosovës në zhvillimin e drejtësisë efektive të bazuar në sundimin e ligjit dhe të lirë nga ndikimet politike. Ky mision është misioni më i madh civil i themeluar në kuadër të Politikave të Përbashkëta për Siguri dhe Mbrojtje (CSDP) të Bashkimit Evropian. Ne qershor të vitit të ardhshëm misionit EULEX i skadon mandati, mirëpo qysh tash kanë nisur debatet dhe analizat brenda mekanizmave evropian dhe institucioneve të Kosovës, nëse duhet vazhduar mandati i këtij misioni edhe për dy vjet apo jo.