"Historia e Kosovës është histori e njerëzve të saj"
16 Tetor 2021Shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin, flet për një situatë konkrete. Ja cili është versioni i tij i ngjarjeve: "Mungesa e mirëkuptimit politik dhe komunikimit çon në rritjen e tensioneve, sidomos kur mungon mosbesimi. Kjo fjali pasohet nga tregimi për ngjarjet e 20 shtatorit kur policia "pa njoftuar më parë” kreu një aksion në veri të vendit, për të zbatuar regjimin e ri të targave të makinave. Kur protestuesit bllokuan rrugën, njësitë speciale të policisë përdorën gaz lostjellës. Me kalimin e ditëve numri i protestuesve dhe i policisë u rrit dhe më 26 shtator qendra e regjistrimit në Zubin Potok u dogj. Ushtria serbe shtoi prezencën në veri të kufirit dhe zhvilloi fluturime ushtarake. Edhe të mërkurën e kaluar policia zhvilloi një ndërhyrje kundër kontrabandës në veri, i cila po ashtu u shoqërua nga protesta. "Këto ngjarje kanë thelluar mosbesimin e popullsisë serbe në veri dhe kanë sjellë reagime të ashpra të Beogradit”, thotë Tanin. Ai thotë se ngjarjet e javëve të fundit "duhet të jenë paralajmërim për të gjithë anëtarët Këshillit të Sigurimit”.
Serbia sheh vetëm zi
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Nikola Selakoviq, shprehu mbështetjen e plotë për UNMIK-un dhe shqetësimin për "rritjen e numrit të incidenteve dhe sulmeve me bazë etnike” në gjashtë muajt e fundit. Ai tha se sulmet janë të "përditshme” dhe kanë venë në rrezik serbët në Kosovë. Ai u ndal tek ngjarjet e 30 shtatorit dhe kërkoi ndalimin e ndërhyrjeve të policisë. Ai tha se, ndërhyrjet e policisë kundër kontrabandistëve kanë qenë "sulme të armatosura kundër civilëve të paarmatosur”. Aksionin për zbatimin e rregullave për targat e makinave, ai e quajti në kundërshtim me marrëveshjet e arritura dhe kundër lëvizjes së lirë. Ndërhyrjet e forcave të policisë, të cilat ai thotë përbëhen vetëm nga shqiptarë janë provokime me potencial të madh rreziku për destabilizimin e sigurisë. Selakoviq i quan aksionet e policisë provokime që synojnë të shuajnë arritjet e dialogut. Burimi i destabilizimit janë institucionet e Kosovës, thotë ai. Ai i kujtoi Prishtinës edhe mospjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur, nismë bashkëpunimi midis Serbisë, Maqedonisë dhe Shqipërisë.
Fjalimi i Selakoviqit që zgjat rreth 18 minuta është i mbushur me ankime për atë çka po u ndodh serbëve në Kosovë. Ai nuk sheh as njeh ndonjë shenjë pozitive, asnjë zhvillim që duhet përkrahur, asnjë hap përpara, asgjë për t'u përmendur nga Kosova. Por ato i dëgjon menjëherë pas mbarimit të fjalimit, kur fjalën e merr presidentja e Kosovës.
Osmani: Kosova është transformuar
Vjosa Osmani-Sadriu, presidentja e sapozgjedhur e Kosovës, e nisi fjalimin e parë të mbajtur para Këshillit të Sigurimit, duke kujtuar se 22 vjet më parë i ka ndjekur takimet e OKB duke kërkuar shpëtim për kokën nëpër male, sepse Ushtria serbe kishte nisur sulmet kundër gjithë kosovarëve. "Unë ndodhem sot këtu për shkak të vendosmërisë, këmbënguljes dhe luftës çlirimtare të popullit të Kosovës për ta parë vendin të lirë, të pavarur dhe sovran,” tha presidentja Osmani dhe falenderoi aleatët dhe ata, që i qëndrojnë Kosovës pranë edhe sot. Ajo shprehu besimin, se Kosova do të ulet një ditë në tryezën e Këshillit të Sigurimit si anëtare me të drejta të plota e familjes së kombeve.
Populli i Kosovës beson tek liria, të drejtat e njeriut, sundimi i ligjit dhe demokracia, tek një e ardhme me mundësi më të mëdha punësimi, me barazi të plotë, gjithëpërfshirje dhe respekt ndaj të gjithëve, tha Osmani duke theksuar se "besimi i qytetarëve tek institucionet e tyre nuk ka qenë kurrë kaq i madh”. Presidentja tregon se Kosova ka rritje dyshifrore ekonomike, se investitorët gjejnë të rinj të talentuar, me njohuri të gjuhëve të huaja, me 70 përqind të popullsisë nën moshën 35 vjeçare, një vend me sistem të ulët taksash dhe infrastrukturë ligjore të përshtatshme me legjislacionin e BE, një vend me përhapje interneti prej 90 përqind dhe njohuri teknologjie.
Presidentja Osmani thotëz, se historia e Kosovës është historia e njerëzve të saj dhe tregon për vajzat që kanë marrë medaljet e arta në Lojërat Olimpike, tregon për gratë e Krushës dhe Fahrije Hotin, për Vasfije Krasniqin dhe Saranda Bogujevcin. "Votat e dhëna në zgjedhjet e fundit krijuan një parlament ku përqindja e grave është më e madhe se sa mesatarja e BE-së.”
Kosova është sot një vend paqedashës që ndihmon në kultivimin e paqes në gjithë botën, tha presidentja duke kujtuar se ushtarët e Kosovës që ndodhen krah trupave amerikane në misionet paqeruajtëse, tregojnë profesionalizëm të madh. Kosova bëri vend për qytetarët e Afganistanit dhe duke qenë vetë ish-refugjatë, kosovarët i kuptojnë shumë mirë vuajtjet e afganëve.
Presidentja kërkoi që UNMIK- i krijuar si mision i përkohshëm, të mos kthehet në mision të përhershëm, por t'i jepet fund dhe paratë e tij të përdoren për qëllimet të tjera. Ajo kërkoi që Kosova të bëhet pjesë e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera si UNESCO, INTERPOL, OBSH. "Ne jemi pro-evropianë të pasionuar, po atë pasion e ruajmë ndaj NATO-s. Ne besojmë në një Evropë të bashkuar, si projekt politik të bazuar në vlera. Por besojmë thellësisht edhe në një botë të udhëhequr nga vlerat që mishërojnë Kombet e Bashkuara,” tha presidentja Osmani.
Gratë janë çelësi i paqes
Përfaqësuesi i Nigerisë, kërkoi nga qeveria e Kosovës që të sigurojë pjesëmarrjen e grave në të gjitha aspektet e jetës shoqëroro- sociale. Në reformimin e programit të qeverisë së Kosovës duhet të përfshihen shtimi i përpjekjeve për sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe gjithëpërfshirjen sociale.
Përfaqësuesja e Francës, tha se tensionet midis Prishtinës dhe Beogradit janë çështje të sigurisë europiane dhe i kërkoi të dy palëve që të arrijnë marrëveshje të qëndrueshme në çështjet e diskutueshme. Ajo përshëndeti takimin e 30 shtatorit me Miroslav Lajcakun. Të gjitha marrëveshjet e arritura që nga viti 2011 kanë sjellë përfitime konkrete për popullsinë. Ajo tha se e ardhmja e sigurt e Serbisë dhe Kosovës ndodhet në Bashkimin Europian. BE është partneri kryesor tregtar, donator dhe në investime në të dy vendet.
Përfaqësuesi i Indisë tha, se megjithëse takimi i fundit Prishtinë Beograd nuk ka sjellë rezultat, është i rëndësishëm që takimet të mbahen pa vendosur kushte. Të dy palët duhet të angazhohen në dialog dhe të zbatojnë marrëveshjet e arritura dhe të zgjidhin çështjet politike, etnike dhe çështjet e tjera.
Sonia Farrey, përfaqësuese e Mbretërisë së Bashkuar thotë se "ne të gjithë vemë re trajektoren pozitive që ka marrë Kosova, gjë që lexohet edhe në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe raportin e Zahir Taninit”. Ajo vlerësoi mbështetjen e OKB-së sidomos në punën e misionit për kthimin e personave të zhvendosur dhe luftimin e dhunës me bazë gjinore. "Ne duhet të vlerësojmë gjykimin e parë të sukseshëm të dhunës gjinore në konflikt të bërë në muajin korrik, si hap të rëndësishëm si për të mbijetuarit ashtu edhe për dënimin kombëtar të krimeve të luftës.” Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe kërkoi rishikimin e rolit të UNMIK-ut.
Ambasadorja e Irlandës, Geraldine Byrne Nason deklaroi për mediat para fillimit të takimit, se nga takimi nuk pritet arritja e ndonjë "produkti”. Ambasadorja thekson nevojën e Kosovës dhe Serbisë për tu angazhuar në mënyrë konstruktive në dialog. Ajo i bëri thirrje të dy palëve të respektojnë marrëveshjet e arritura, të mos kryejnë aksione të njëanshme dhe të mos përdorin retorikë përçarëse. Byrne Nason vlerësoi punën e UNMIK-ut për të luftuar dhunën me bazë gjinore. "Dhuna me bazë gjinore në Kosovë është rritur vit pas viti duke filluar nga 2016. Megjithëse janë bërë hapa për të luftuar dhunën, pritet ende për të bërë,” tha ambasadorja. Irlanda përshëndet rritjen e pjesëmarrjes së grave në parlament dhe në qeverisje, dhe kërkon që kjo tendencë në nivel kombëtar të kalojë edhe tek autoritetet lokale. Vetëm 11 përqind e kandidatëve për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen janë gra. "Gratë nuk kanë mbështetjen dhe burimet e duhura për të kandiduar në nivel lokal”, tha ajo. Ambasadorja e Irlandës pranë OKB vlerësoi rolin e UNMIK për mbështetjen e grupeve më të dobta shoqërore të Kosovës.
SHBA: OKB mund të luajë rol të rëndësishëm në Kosovë edhe pa UNMIK-un
Ambasadori Jeffrey DeLaurentis foli shkurt. Këshilltar politik në përfaqësinë amerikane pranë OKB, ai e quajti marrëveshjen e arritur për targat e makinave "hap përpara për Kosovën dhe Serbinë dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”. Ai inkurajoi palët të zbatojnë marrëveshjen e arritur, të mos provokojnë, të zbatojnë marrëveshjet e mëparshme dhe të angazhohen për të zgjetur zgjidhje për çështjet e tjera në dialogun e organizuar prej BE. "Ne vërejmë se UNMIK nuk ka luajtur rolin e duhur për zgjidhjen e tensioneve të fundit misid Kosovës dhe Serbisë, për targat e makinave. Çtensionimi i gjendjes me ndihmën e dhënë nga KFOR -i tregon se organizatat e tjera mund ta luajnë këtë rol më mirë,” tha ambasadori. DeLaurentis shtoi se ngjarjet e fundit kanë treguar se UNMIK e ka përmbushur mandatin e dhënë fillimisht. "OKB mund të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në zhvillimin e normave dhe institucioneve demokratike. Por ky rol nuk kërkon mision paqeruajtës,” tha ai dhe kërkoi që Këshilli i Sigurimit të ndihmojë në kalimin tek një prezencë më efektive e OKB në Kosovë.
Rusia nuk do ndryshime
Ambasadori rus Vassily Nebenzia, foli gjatë. Ai i quajti "përralla” arritjet e treguara nga presidentja Osmani për Kosovën në paqe multietnike dhe me progres në demokraci dhe prosperitet. "Ato nuk kanë të bëjnë me realitetin,” thotë ambasadori rus, që nuk ka qenë ndonjëherë në Kosovë. Ai thotë se gjendja në Veri krijon shqetësim të madh. Ai tregoi versionin e tij të ngjarjeve në Veri të Kosovës në shtator dhe në tetor. "Hapa të tillë të bërë nga Prishtina ne i konsiderojmë të qëllimshme për të përshkallëzuar situatën, për të bërë presion mbi serbët që ata të largohen nga Kosova,” tha ambasadori që e mban këtë post që nga viti 2017. Sipas tij numri i sulmeve është dyfishuar që nga viti 2020.
Ai iu kthye pastaj kolegëve perëndimorë që nuk japin sipas tij deklarata të ndershme për zhvillimet e fundit dhe nuk dënojnë fushatat për "Shqipërinë e Madhe” të Tiranës dhe Prishtinës. Ai e quajti problem serioz krijimin e Ushtrisë së Kosovës. Sipas tij ka muaj që Prishtina po minon dialogun duke përdorur taktika provokative, sepse nuk do që të krijojë komunat serbe, siç e kërkon marrëveshja e 2013. Ai i kërkoi Brukselit që të vazhdojë të luajë rolin e ndërmjetësit në dialog. "Roli i kolegëve amerikanë që kanë influencë në Prishtinë është i madh. Ne shpresojmë që Prishtina ta kuptojë se rruga e vetme për të zgjidhur problemet e Kosovës është dialogu,” tha ambasadori rus. Sipas tij zgjidhja duhet të bazohet në rezolutën 1244, të përshtatet me të drejtën ndërkombëtare dhe të aprovohet nga Këshilli i Sigurimit. Prandaj, "ne kundështojmë futjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Vetëm misioni i OKB ka mandatin të përfaqësojë provincën,” tha ambasadori rus, Vassily Nebenzia.
Po Kina çfarë thotë? Qëndrimi i Kinës ndaj Kosovës ka mbetur njësoj, thotë zëvendësambasadori kinez Geng Shuang. Kina respekton integritetin territorial të Serbisë, i kupton shqetësimet e Serbisë për Kosovën dhe i kërkon Serbisë që të gjejë një zgjidhje të pranueshme për Kosovën. "Të dy palët duhet të gjejnë zgjidhje nëpërmjet konsultimeve,” thotë ai duke shtuar se "aktivitetet e njëanshme të Kosovës e kanë shqetësuar Kinën”.