Kosova një hap më afër liberalizimit të vizave
30 Nëntor 2022Pas shumë shtyrjesh, ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian i dhanë dritën jeshile procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën. Sipas këtij vendimi, presidenca çeke e Bashkimit Evropian tash do t'i nisë negociatat me Parlamentin Evropian si hapin e fundit para udhëtimit pa viza për qytetarët e Kosovës. Sipas vendimit, lëvizja pa viza për qytetarët e Kosovës do të jetë e mundur kur të hyjë në fuqi sistemi evropian i udhëtimit, ETIAS, dhe data për këtë është paraparë 1 nëntori i vitit 2023. Por, në rast se do të ketë vonesa për fillimin e implementimit të këtij sistemi, liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të hyjë në fuqi jo më vonë se më 1 janar të vitit 2024. Drafti ua mundëson qytetarëve me pasaporta të Kosovës të udhëtojnë pa viza drejt BE-së për 90 ditë në periudhë gjashtëmuajshe.
Hap i rëndësishëm...
"Sot kemi marrë një hap të rëndësishëm për udhëtim pa viza për Kosovën dhe tash shpresojmë të arrijmë marrëveshje me Parlamentin Evropian për ta bërë realitet këtë premtim. Liberalizimi i vizave është bërë i mundshëm për shkak të përpjekjeve të Kosovës për të forcuar kontrollet e saj kufitare, menaxhimin e migrimit dhe sigurinë, dhe besojmë se ky bashkëpunim i mirë vetëm se do të forcohet në të ardhmen”, tha ministri i Jashtëm i Çekisë, Jan Lipavsky, në një komunikatë për media të publikuar të mërkurën në uebfaqen e Këshillit Evropian.
Deri në liberalizimin e plotë të vizave për qytetaret e Kosovës, vendi duhet të synojë të ketë siç thuhet "marrëveshje apo aranzhime” për riatdhesim me ato vende të BE-së, me të cilat akoma nuk ka marrëveshje. Po ashtu Kosovës, i kërkohet të vazhdojë të përshtatë politikën e saj të vizave me atë të BE-së, ndërkohë që i mbetet të kalojë edhe nëpër disa procedura të tjera teknike që i kërkojnë vendet anëtare.
Vendimi i ambasadorëve të shteteve anëtare të BE-së për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën ishte paraparë të merrej javën e shkuar, por ai u hoq nga rendi i ditës me arsyetimin zyrtarë "për shkak të situatës në veri të Kosovës dhe tensioneve që ishin shkaktuar për targat e makinave". Ishte kjo hera e parë që një vendim i procesit të liberalizimit, u ndërlidh direkt me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pas marrëveshjes së dy vendeve për targat, çështja e liberalizimit të vizave u kthye në agjendë të ambasadorëve të mërkurën në takimin e tyre që zhvilluan në Bruksel.