1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosova i shkruan Këshillit të Evropës për Asociacionin

16 Maj 2024

Ambasada gjermane në Prishtinë tha se Kosova duhet ta kishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese draftin e statutit të Asociacionit të Komunave serbe para takimit të KiE, që mbahet sot dhe nesër.

https://p.dw.com/p/4fxDZ
Kosovo, Pristina
Fotografi: Getty Images/S. Gallup

Një ditë para mbledhjes vendimtare të Këshillit të Ministrave të Këshillit të Evropës, qeveria e Kosovës i shkruan letër këtij mekanizimi, se është duke e përgatitur një projekt-statut të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Letrën, të cilën e publikoi në profilin social Ministrja e Jashtme e Kosovës Donika Gërvalla, Kosova ia ka nisur Presidentit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

"Letra përmban zotimin që qeveria e Republikës së Kosovës do të përgatisë një draft për krijimin e një mekanizmi për vetëmenaxhim, koordinim dhe bashkëpunim të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili përmbush detyrimet e trashëguara ndërkombëtare të Kosovës, plotëson nevojat e qytetarëve të komunitetit serb të Republikës së Kosovës, por njëkohësisht respekton në tërësi dhe në secilin detaj të tij Kushtetutën dhe të gjitha ligjet e Republikës së Kosovës si dhe njëkohësisht edhe parimet e Këshillit të Evropës”, thuhet në letër.

Po ashtu në letër thuhet se projekt-statuti është i "frymëzuar në bazë të një propozimi të hartuar nga Fondacioni gjerman Friedrich-Ebert ne janar të vitit 2023, dhe do t'i dërgohet për interpretim Gjykatës Kushtetuese të Kosovës deri në fund të muajit maj”.

Në këtë kuadër dhe me anë të kësaj letre, ministrja Gërvalla, shkroi se "pas konkretizimit të sotëm të zotimit tonë për të bërë një hap të rëndësishëm dhe të prekshëm në përmbushjen e zotimeve tona, kërkojmë dhe presim nga Këshilli i Evropës që të përmbushë pjesën e vet të detyrimit dhe të ftojë Kosovën për t'iu bashkuar pa vonesë Këshillit të Evropës, si vendi të cilit jo vetëm që i janë vendosur më së shumti kushte për anëtarësim në këtë organizatë, por i cili i ka përmbushur të gjitha këto kushte”.

Donika Gervalla-Schwarz
Fotografi: Christoph Soeder/dpa/picture alliance

Reagimi i Ambasadës gjermane në Kosovë

Menjëherë pasoi reagimi i Ambasadës gjermane në Kosovë, e cila ritheksoi se pret që, "Kosova të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit, në mënyrë që të arrijë shumicën e nevojshme prej dy të tretave në Këshillin e Ministrave dhe se dorëzimi i projekt-statutit në Gjykatën Kushtetuese përpara mbledhjes së këtij Këshilli do të ishte një hap i tillë. Kjo ende nuk ka ndodhur", transmetojnë mediet në Prishtinë  reagimin e ambasadës gjermane.

Mediet në Prishtinë, edhe ditët e fundit shkruan se është Gjermania, Franca dhe Italia, vendet që po "kushtëzojnë” votat pro Kosovës për në Këshillin e Evropës, duke kërkuar hapa konkretë nga Kosova për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi "absurd”, kushtëzimin që po i bëhet Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Kurti tha qartë se nuk e pranon një kushtëzim të tillë.

"Pengesat për anëtarësim në këtë organizatë i mendonim nga shtetet të cilat deri tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, por assesi dhe asnjëherë nuk e mendonim që pengesë do të bëheshin shtetet demokratike, të cilat kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë përkrahëse të Kosovës për zhvillim e demokratizim e më herët ishin krah nesh për çlirim e pavarësim”, tha kryeministri Kurti. Sipas tij, "për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, bisedohet në Bruksel, e jo në Strasburg”.

Muajin e shkuar, Kosova mori miratimin  nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës për t'u anëtarësuar në këtë mekanizëm. Por përfshirja e saj u hoq nga rendi i ditës së takimit të Këshillit të Ministrave që mbahet sot dhe nesër, për faktin që Kosova refuzoi ta dërgojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.