Kosovë: Reciprociteti me Serbinë - Serbët bllokojnë rrugët
1 Gusht 2022Serbët lokal bllokuan rrugët në veri të Kosovës me kamion dhe mjete të tjera, duke e bërë ta pamundur qarkullimin në dy pikat kufitare Kosovë-Serbi, në Jarinjë dhe Bërnjak. Bllokadat pasojnë vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë në dokumentat e udhëtimit dhe targat e automjeteve. Këto vendime nxitën reagimin e ashpër të Beogradit zyrtar, që e akuzoi Prishtinën për vendime: "kundër qytetarëve serbë”. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, "janë përgjegjësit kryesorë për situatën në veri të Kosovës”.
Pas bllokadës së rrugëve në veri nga serbët lokal, Policia e Kosovës njoftoi se ka mbyllur pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak për qarkullimin e udhëtarëve dhe automjeteve, për shkak të bllokadave të vendosura në rrugë dhe ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative. Menjëherë pas bllokimit të rrugëve në veri, kryeministri Kurti iu drejtua qytetarëve. "Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot”, shkroi kryeministri në një postim në Facebook.
Nga e hëna datë 01.08, qeveria e Kosovës vendos reciprocitet për Serbinë, ku të gjithë shtetasit e Serbisë që do të hyjnë në Kosovë, do të pajisen me një dokument të përkohshëm që do të zëvendësojë dokumentet e identifikimit personal. Që nga viti 2011 Serbia vepron në të njëjtën mënyrë me qytetarët e Kosovës. Po ashtu nga e hëna më 1 gusht, mbaron afati prej dy muajsh për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë makina me targa të lëshuara nga Serbia për t'i regjistruar ato me targat e Kosovës RKS. Që nga fillimi i tetorit të vitit të kaluar Kosova dhe Serbia zbatojnë një marrëveshje të përkohshme,sipas së cilës targave të makinave u vendosën fletë ngjitëse aty ku shihen simbolet shtetërore të të dyja palëve. Marrëveshja e përkohshme u arrit në fund të shtatorit 2021 pas disa ditë trazirash në veriun e Kosovës, ku grupe serbësh bllokuan rrugët për të kundërshtuar vendimin e qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për përdorimin e targave. Ishte vendosur një afat gjashtë mujor për një marrëveshje përfundimtare rreth çështjes së targave dhe më 13 maj palët dështuan të pajtohen rreth saj.
Beogradi zyrtar edhe kësaj radhe kundërshtoi ashpër masat e reciprocitetit të vendosura nga Kosova dhe akuzoi Prishtinën për "veprime kundër qytetarëve serbë të Kosovës”. Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha të dielën se "situata për popullin tonë në Kosovë është shumë e ndërlikuar”, ndërsa i luti shqiptarët, bashkësinë ndërkombëtare dhe serbët e Kosovës që të ruajnë paqen. "Nëse nuk duan të ruajnë paqen, unë po ju them se Serbia do të fitojë”, tha Vuҫiq në një konferencë me gazetarë në Beograd.
Nga ana tjetër, në Prishtinë kryeministri Albin Kurti mblodhi të dielën (31.07) Këshillin e Sigurisë Kombëtare, ku tema e vetme ishte diskutimi për zbatimin e vendimeve të qeverisë, ndërsa hodhi poshtë çdo mundësi për destabilizimin e situatës.
"Ne nuk do t'ua marrim dokumentet njerëzve që vijnë nga Serbia në Kosovë. Ne do t'ua shtojmë një fletë-deklarim. Pra, ata vijnë me dokumentet e lëshuara nga Serbia. Ne nuk ua marrim ato. Ne ua lëshojmë një fletë-deklarim sepse ka 11 vjet që Serbia vepron njësoj me çdo qytetar të republikës sonë kur e kalon kufirin dhe shkon në Serbi”, tha kryeministri Kurti gjatë një konference me gazetarë në Prishtinë. Që nga viti 2011 Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar një marrëveshje mbi lëvizjen e lirë në bazë të së cilës dokumentet e të dyja palëve zëvendësohen me një fletë-deklarim të përkohshëm. Por, Beogradi zyrtar ngul këmbë se kjo marrëveshje nuk ka të bëjë me serbët, që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës. Drejtori i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka deklaruar se nëse Prishtina nuk tërhiqet nga dy vendimet e saj të fundit, atëherë zyrtarët serbë në Kosovë do të nisin formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Ky Asociacion kundërshtohet nga Prishtina zyrtare që kërkesën e Beogradit e cilëson si kërkesë për Asociaion njëetnik, gjë që nuk e lejon Kushtetuta e Kosovës.