1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Korrupsioni vazhdon të lulëzojë në Kroaci

Igor Lasiç/ A Verbica24 Nëntor 2014

Megjithë programet e shumta antikorrupsion, as garnitura e re e ministrave në qeverinë kroate nuk arrin ta kundërshtojë këtë murtajë. Gjithçka ka mbetur "në teori". Në praktikë - rezultatet mungojnë ende.

https://p.dw.com/p/1DsGL
Fotografi: Fotolia/Elnur

Përballja e autoriteteve kroate me korrupsionin shënon disa momente pozitive, me përjashtim të aktiviteteve gjithsesi delikate të korrupsionit brenda rradhëve të veta. Fakt është se nuk është ndonjë problem i madh të nxjerrësh në pah shkeljet dhe mospërputhjet me ligjin nga perspektiva e garniturës në pushtet. Kur SDP-HNS fitoi shumicën parlamentare tre vjet më parë, pozita e saj ishte ideale. HDZ në fazën e saj më dekadente kishte lënë pas vetes shumë inkriminime dubioze dhe të dukshme.

Mirëpo ndërkohë fokusi ka kaluar në mënyrë logjike te qeveria e re. Në vitin e parë të mandatit qeveria e përbërë nga SDP dhe HNS i zhgënjeu pritjet e larta për luftimin e korrupsionit. Nëse shohim me vëmendje ç'ndodh kohët e fundit, mund të vihen re disa raste, që nuk flasin në favor të strukturës qeverisëse.

Trend shqetësues

Le të ndalemi te ministrat e emëruar më pas: Mihael Zmajlović, Vedran Mornar, Sinisha Varga. Zmajlović, ministër i Mbrojtjes së Mjedisit, është i pranishëm në media në rradhë të parë lidhur me harxhimet për zhvendosjen e institucioneve në hapësira të reja. Mornar, në krye të ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, u kap para pak kohësh në raporte joparimore me firmën koreanojugore Samsung, e cila i kishte paguar me sa duket qëndrimin zyrtar të tij në këtë vend të largët aziatik. Ministri i ri Shëndetësisë në mënyrë skandaloze në fillim të nëntorit akuzoi gazetarët, se janë të paguar për të sulmuar shtetin, edhe pse shteti vetë është i ngarkuar me afera.

Zorislav Antun Petrović
orislav Antun PetrovićFotografi: Transparency International

Në përpjekje për të kuptuar më mirë origjinën e problemit dhe rrethanat relevante, u jemi drejtuar ekspertëve të kësaj teme. Nenad Mishçeviç, profesor filozofie në universitetin e Rijekës, niset nga perpektiva e brezit të tij, ajo e sistemit të kaluar.

Ballafaqim me trashëgiminë socialiste

„Në socializëm jemi përballuar me shumë me probleme të tjera, që nga presioni jodemokratik, politik, deri tek tensionet ndërnacionale“, kujton bashkëbiseduesi ynë kohën, kur disa të drejta humane ishin më pak të përfaqësuara, ndërsa prioritet u jepej të drejtave të punëtorëve dhe të drejtave sociale. Në fillim të viteve nëntëdhjetë pas përshkallëzimit të tensioneve ndëretnike dhe pastaj shpërthimit të luftës kanë ndodhur disa ndryshime. „Keqpërdorimi i pushtetit për t'u pasuruar“, thotë Mishçeviç, „vila të tilla dhe shtëpi për të kaluar fundjavën ishin deri atëherë në sfond."

"Demokracia liberale solli një situatë, ku korrupsioni u bë menjëherë problemi qendror dhe më i dukshëm, përveç varfërisë së më të varfërve", thekson profesori kroat i filozofisë. Sipas tij të bie në sy një arsye e rëndësishme, përse akumulimi i pasurisë është bërë mëkati kryesor i politikanëve. "Këta individë e kanë të qartë se nuk qëndrojnë gjatë në pushtet, që nuk mund të gëzojnë pafund pushtetin dhe prandaj e kanë prioritet të qartë akumulimin e pasurisë". Kështu mund të thuash se demokratizimi i dëshiruar i Kroacisë është kthyer në një mohim të vetvetes, në një mjet për plotësimin e interesave materiale private. Pakënaqësia e popullit zgjat prej kohësh dhe shtrohet pyetja, se si ky proces mund të kthehet në të mirën e përgjithshme.

Nenad Miscevic
Nenad MiscevicFotografi: Ernest Marinkovic

Zorislav Antun Petroviç, sot koordinator i shoqatës civile "Kultura dhe Etika", ish anëtar i Sekretariatit për vendosjen në konfliktet e interesit dhe kryetari i Transparency International në Kroaci, bën një vlerësim të ngjashëm më atë të të Mishçeviçit. "Është e qartë se në Kroaci ende për shumë deputetë të fitojnë mandatin, është si të fitojnë plaçkë. Ata janë thellësisht të bindur se duke marrë përsipër detyrime, qytetarët i dhurojnë burime publike dhe se mund të bëjnë çfarë të duan me këto burime, në vend që t'i menaxhojnë me ndërgjegje dhe me përgjegjësi", thotë Petrovic.

Luftë "me oktapodin", së cilës nuk i dihet rezultati

Ai gjithashtu pohon se pas pushtetit të SDP dhe HNS ekziston një lloj vazhdimi i trendit të viteve nëntëdhjetë. "Atëherë njëra palë ka qenë aq dominante, saqë kontrollonte pak a shumë të gjitha degët e pushtetit dhe guxonte të bënte, çfarë të donte." Situata sipas tij nuk do të jetë më mirë, deri sa të kuptohet se rënia në post është në rradhë të parë rezultat i punës së keqe, dhe jo deklaratave të përgjithshme dhe jo me shumë rëndësi. "Dhe sigurisht, kur institucionet të largojnë sadopak presionin e politikës dhe të fillojnë të bëjnë seriozisht punën e tyre", thotë Zorislav Antun Petroviç.

Ndihmë vendimtare në zhvillimin e demokracisë mund të japin përpjekjet e vazhdueshme të strukturave të organizuara shoqërore, jo vetëm të pushtetit. Nenad Mishçeviç arrin në përfundimin se duhet të ndryshohet dhe sistemi shoqëror, sepse sistemet kapitaliste krijojnë probleme dhe nuk ofrojnë një recetë të mirë për vendet në periferi të Bashkimit Europian. "A do të jetë në gjendje sfera publike ta përballojë oktapodin? Do të kisha dëshirë të isha optimist, por druhem se shpresat janë pak të parakohshme", thotë Mischeviç.