Korrigjim kursi në politikën ndaj Sirisë
13 Tetor 2015Ministri i Jashtëm i Gjermanisë flet hapur për shkaqet e aktivitetit të papritur të evropianëve në çështjen e Sirisë: "Menaxhimi i migrimit (në BE) është njëra gjë, luftimi i shkaqeve të ikjes nga vendi është tjetra", dhe është para së gjithash lufta në Siri, për përfundimin e së cilës duhet ndërmarrë sërish një përpjekje diplomatike. Linja e re e përbashkët tani është që BE është dakord të flasë me të gjithë aktorët e konfliktit pesëvjeçar, edhe me përfaqësues të qeverisë Assad. Ministri i Jashtëm britanik, Philip Hammond formuloi se ekziston një zhdërvjelltësi e madhe për mënyrën e largimit dhe momentin se kur do të largohet Assadi. Ai mund të jetë padyshim pjesë e një qeverie tranzitore. Por deklarata e përbashkët e Ministrave të Jashtëm fikson edhe se nuk mund të ketë një zgjidhje të qendrueshme paqeje me Assadin. Por evropianët duan të mënjanojnë me çdo kusht kolapsin e plotë të sistemit dhe një vakum pushteti si pas rrëzimit të Gadaffit në Libi - në asnjë mënyrë nuk duhet të shkatërrohen të gjitha strukturat, është deviza e re.
BE kritikon Rusinë për sulmet me bomba
Ndërhyrja ushtarake e Rusisë e ka bërë "një situatë të vështirë edhe më të ndërlikuar", thotë Frank-Walter Steinmeier për ofensivën ajrore në Siri. Ai dhe kolegët e tij i kërkojnë Moskës që t'i ndërpresë sulmet ndaj opozitës së moderuar, sepse ato e përkeqësojnë situatën humanitare dhe nxisin radikalizimin. Në vend të kësaj, ministrat e Jashtëm kërkojnë që Putini të bashkëpunojë për një zgjidhje politike. Dhe shumica e ministrave beson se Presidenti rus në parim nuk është kundër kësaj: shkaku për ndërhyrjen e tij ushtarake është vërtet forcimi i regjimit të Assadit, por përveç kësaj Rusia është para së gjithash e interesuar që të ulet si aktore në tryezë. Evropianët nisen nga fakti që Putini nuk ka interes të përfshihet në plan afatgjatë në krizën në Siri. Veç kësaj, ata e vlerësojnë pozitivisht faktin që kanalet e komunikimit vazhdojnë të jenë të hapura: prej disa ditësh, përfaqësues rusë bie të paktën dakord me kolegët e tyre amerikanë për aksione ushtarake.
Po të ecë "llogaria" e ministrave të jashtëm, në këtë ndryshim kursi, duke përfshirë edhe strategjinë e negociatave të paktën është e qartë se kush duhet të jenë partnerët në tryezën e negociatave: SHBA, Rusia, përfaqësues të qeverisë së Assadit, grupe të moderuara opozitare mundësisht të moderuara dhe të ashtuquajturit lojtarë rajonalë Turqi, Iran dhe Arabi Saudite. Kjo në një kohë kur është e qartë se nuk do të ketë kurrë një fotografi të përbashkët me diktatorin Assad vetë dhe me negociatorët evropianë: ai duhet të dërgojë përfaqësues dhe bisedime të zhvillohet përmes ndërmjetësit të OKB-së, Mistura.
Edhe nëse BE e korrigjon tani kursin përballë regjimit të Assadit dhe do të negociojë me të gjitha grupet politike në Siri për një zgjidhje me negociata: "Bisedimet me Assadin nuk sjellin zgjidhjen vendimtare," thotë Steinmeieri, më e rëndësishmja tani, thotë Steinmeieri është arritja e ekuilibrit të interesave të ndryshme dhe riparimi i marrëdhënieve të dëmtuara krejtësisht midis Iranit dhe Arabisë Saudite. Kjo është aktualisht pengesa më e madhe. Ai do të përpiqet tani të ndërtojë ura - në fundjavë Steinmeieri do të udhëtojë në të dyja kryeqytetet.