Koreja e Veriut "ndoshta" ka armë bërthamore
4 Gusht 2020
Koreja e Veriut po përparon në zhvillimin e armëve bërthamore. Disa vende besojnë se regjimi koreanoverior "ka krijuar ndoshta pajisje të vogla bërthamore" që futen në pjesën bërthamore të raketave balistike. Kjo rezulton nga një raport konfidencial i OKB-së, përmbajtja e të cilit është konfirmuar nga qarqet diplomatike. Vendet nuk janë specifikuar në dokument.
Dokumenti i panelit të ekspertëve të Kombeve të Bashkuara për respektimin e sanksioneve kundër Koresë së Veriut thekson se vlerësimet bazohen në informacionet e një vendi anëtar. "Republika Demokratike Popullore e Koresë po vazhdon programin e saj bërthamor, përfshirë prodhimin e uraniumit shumë të pasuruar dhe ndërtimin e një reaktori eksperimental të ujit të lehtë", thuhet më tej në raport.
Bisedimet bërthamore kanë ngecur që nga viti 2019
Nuk është sekret se sundimtari i Koresë së Veriut, Kim Jong Un po synon të prodhojë armë bërthamore. Vetëm disa ditë më parë, gjatë një fjalimi, ai e bëri të qartë se sheh një garanci sigurie në arsenalin bërthamor të vendit të tij. "Falë frikësimit tonë të besueshëm dhe efektiv bërthamor për vetëmbrojtje, në këtë vend nuk do të ekzistojë më fjala luftë," e cituan atë mediet shtetërore në fund të korrikut.
Kim Jong Un dhe Donald Trump nuk ranë dot dakord në shkurt 2019 në Vietnam për një plan kohor për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut
Çarmatimi bërthamor i gadishullit korean ishte çështja qendrore në disa raunde bisedimesh midis Uashingtonit dhe Phenianit. Bisedimet dypalëshe bërthamore kanë ngecur që nga takimi i dështuar i presidentit amerikan Trump me Kim-in në shkurt 2019 në Vietnam. Të dyja palët nuk mundën të bien dakord për një plan kohor për çarmatimin bërthamor të Koresë së Veriut dhe kompensimet e Uashingtonit.
aud (rtr, dpa)