1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kontrolli ndaj kurdëve të Sirisë - Turqia pranë dështimit

Ayhan Simsek / Elona Elezi31 Korrik 2012

Me thellimin e krizës në Siri, Turqia po përballet me rrezikun e kontrollit të shtetit kurd nga PKK në Siri. Analistët: Frika e Ankarasë jo Kurdistani i Madh, por gjysmë-shteti i kontrolluar nga PKK në kufijtë sirianë.

https://p.dw.com/p/15gp4
Fotografi: Reuters

Mbështetja e Ankarasë për një ndryshim regjimi në Siri ka nisur të dështojë, duke kërcënuar sigurinë kombëtare të Turqisë, me grupet siriano-kurde, të cilat po formojnë de facto një shtet në veri të Sirisë.

Mediat turke raportojnë se javën e kaluar Partia e Punës Kurdistane (PKK), me degën e saj siriane Partia e Bashkimit Demokratik (PYD), morën kontrollin e një sërë provincash në kufirin turk. Media publikoi flamujt kurdë, dhe posterat e liderit të burgosur të PKK-së Abdullah Ocalan, të cilët valëviten në ndërtesat e qyteteve në veri të Sirisë. "Ne nuk do të lejojmë formacionin e një strukture terroriste pranë kufirit tonë", tha për median turke përgjatë së dielës (20.07.2012) ministri i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu. "Ne gëzojmë çdo të drejtë….Pavarësisht nëse është Al-Kaeda apo PKK, ne e konsiderojmë atë çështje të sigurisë kombëtare dhe do të ndërmarrim çdo masë", tha Davutoglu.

Bien këmbanat e alarmit

Rritja e influencës së PKK-së në kufirin sirian alarmoi Turqinë javën e kaluar, dhe detyroi kryeministrin Recep Tayyip Erdoğan që të thërrasë samitin e sigurisë me qeveritarët më të lartë dhe zyrtarë të sigurisë. Pas takimit ai akuzoi regjimin sirian se po i linte dorë të lirë PKK në veri të vendit dhe paralajmëroi se Ankaraja nuk do të hezitonte të sulmonte. "Zhvillimet e fundit suprizuan në mënyrë të pakëndshme zyrtarët turq", tha Deniz Zeyrek, editorialist i politikës së jashtme në të përditshmen e majtë liberale Radikal. "Kur grupet kurdo-siriane u distancuan nga regjimi i Asadit, Turqia e mirëpriti këtë vendim. Por Ankaraja nuk e priste që këto grupe kurde shumë shpejt do t´i bashkoheshin grupeve politike të PKK-së", theksoi ai.

Turqia ka luftuar kundër dhunës së PKK-së që nga viti 1984, dhe konflikti ka marrë deri tani 45 mijë jetë njerëzish. PKK-ja, e renditur si organizatë terroriste nga Ankaraja dhe nga shumë komunitete ndërkombëtare, gëzoi mbështetjen e Damaskut gjatë viteve ´80 dhe ´90. Që nga fillimi i viteve 2000, PKK ka përdorur në mënyrë efektive bazat e saj në veriun malor të Irakut. Me rritjen e influencës dhe fuqisë së saj në rajonet e populluara me kurdo-sirianë, PKK tashmë po punon për një administratë autonome, madje për një “Kurdistan Perëndimor” të pavarur, në territoret siriane.

Kurdët i kërkojnë autonominë Turqisë

Zhvillimet e fundit gjithashtu shkaktuan kërkesa të forta nga kurdët e Turqisë në Ankara dhe rritën më tepër tensionin në rajonin jugor turk. Kryetari i Bashkisë së Diyarbakirit Osman Baydemir, një politikan kurd me influencë në Turqi, bëri thirrje të shtunën për një status të ri politik dhe administrativ për kurdët. "E vetmja zgjidhje është krijimi i rajoneve autonome kurdistane në Turqi, në Siri dhe Iran, ashtu siç është rajoni në Irak", tha Baydemir. "Sigurisht që shumë shpejt do të ketë një Kurdistan autonom në Siri", theksoi ai, duke sugjeruar heqjen e kufijve mes këtyre subjekteve, krijimin e shoqatës së doganave, dhe një partneritet të ri politik me vendet e rajonit, duke përfshirë këtu edhe Turqinë.

Në Siria banojnë 2 milionë kurdë. Në Irak, popullsia kurde është afërsisht 5 milionë dhe në Iran 5.5 milionë. Turqia ka popullsinë më të madhe kurde, me rreth 15 milionë.

Prej vitesh, kurdët e Turqisë janë privuar nga të drejtat themelore politike dhe kulturore. Gjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, veçanërisht në dekadën e fundit, Turqia i ka zgjeruar të drejtat politike dhe kulturore për qytetarët e saj kurdë. Por Ankaraja e kundërshton rreptësisht kërkesën për autonominë e kurdëve. Opinioni publik turk ka shumë dyshime për lëvizjet kurde në rajon, me frikën se ka kërcënime për integritetin territorial të Turqisë.

ENG Infografik Kurdische Siedlungsgebiete, englisch

Vendosja në kufij

Teksa në Turqi po rriten shqetësimet rreth kontrollit të PKK-së për shtetin kurd në Siri, ushtria turke ka shtuar masat në kufij. Turqia ka dërguar një karvan tankesh, armësh dhe raketa tokë-ajër në kufi me Sirinë, duke shtuar se ka fortifikuar mbrojtjen rreth kufijve, raportoi të hënën (30.07.2012) Anatolia News Agency.

Pavarësisht nga paralajmërimet e Turqisë, analistët nuk parashikojnë një operacion të menjëhershëm ushtarak në kufij, i cili do të ndërlikonte më tej krizën. Mundësia e parë e Ankarasë është që të përdorë të gjitha kanalet diplomatike dhe politike për të izoluar PKK-në dhe degën e saj PYD në Siri, duke kërkuar lidhje më të ngushta me grupet siriano-kurde.

Turqia kërkon mbështetjen e Barzanit

Sipas shumë analistëve turq, shqetësimi në rritje i zyrtarëve turq nuk është një Kurdistan i Madh, të cilën ata e gjykojnë të pamundur, por roli në rritje dhe fuqizimi i PKK-së në Siri. "Zyrtarët turq thonë se nuk do të qëndrojnë të heshtur para administrimit kurd në Siri, nën kontrollin e PKK-së", thotë editorialisti Zeyrek. "Por ata thonë, se Turqia do të vendosë dialog me një subjekt të ri të mundshëm në Siri, në mënyrë të ngjashme me qeverinë rajonale në Irak".

Për vite Turqia i është trembur një shteti të pavarur Kurd në Irakun Verior dhe është përpjekur të parandalojë grupet kurde atje që të krijojnë një qeveri rajonale autonome. Por menjëherë pasi Qeveria Rajonale Kurde e Irakut (KRG) u themelua dhe krijoi njohje ndërkombëtare me kushtetutën e përshtatur në mënyrë demokratike të Irakut, qeveria turke ndryshoi politikat e saj.

Sot, presidenti i rajonit të Kurdistanit Iraken, Massud Barzani, është bërë një aleat i rëndësishëm i qeverisë turke, jo vetëm në përpjekjet për të eleminuar kërcënimin nga PKK, por edhe për krizën siriane.

"Udhëtim në një rrugë të vdekur"

Ministry i Jashtëm turk Ahmet Davutoglu do të vizitojë Erbil të mërkurën dhe do takojë Barzanin, ku pritet që ai t´i kërkojë liderit kurd të Irakut që të ushtrojë ndikimin e tij në kurdët e Sirisë, dhe t´i bindë ata që të mos bashkëpunojnë me PKK-në.

Sipas Cengiz Candar, një analist dhe zyrtar i lartë i politikës së jashtme, përpjekjet e Turqisë janë si "një udhëtim në në një rrugë të vdekur".

"Turqia po përpiqet për të zgjidhur vetë problemin me kurdët, njëkohësisht edhe problemin me kurdët sirianë me ndihmën e Massud Barzanit. Ky është një mision i pamundur", shkroi Candar në editorialin e tij në të përditshmen Turkey´ s Hurriyet. "Shteti turk po mashtron veten dhe opinionin publik".

Sipas Candar, kurdët do të kenë një "status të ri" me krijimin e shtetit të ri, në epokën e Post-Assadit, dhe me sa duket Barzani do të ketë një marrëveshje të nënkuptuar me PKK-në, në mënyrë që të vazhdojë ndikimin e tij në rajon. "Ky proces ndryshimi në Siri është i pashmangshëm", tha Candar. "Dhe nëse qeveria turke do ta kalojë këtë ndryshim në avantazh për veten, së pari ajo duhet të bëjë hapa të vërtetë për ta zgjidhur problemin e saj me kurdët".