1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konsumi i alkoolit dhe pasojat

Gudrun Heise/Pandeli Pani13 Maj 2014

Konsumi i alkoolit në mbarë botën është shkaku kryesor i të ashtuquajturave vite të jetës, që humbasin për shkak të aftësive të kufizuara, apo vdekjes.

https://p.dw.com/p/1ByYj
Fotografi: picture-alliance/dpa

"Një gotë s'të bën gjë" - ndoshta, por shpesh puna nuk mbetet vetëm te një gotë. Këtë e tregon edhe raporti aktual i Organizatës Botërore të Shëndetësisë OBSH.

Vetëm në Gjermani ka rreth 1.6 dhe 1.8 milionë vetë, që janë të varur nga alkooli. Konsumi i alkoolit në mbarë botën është shkaku kryesor i të ashtuquajturave "vite të jetës, që humbasin për shkak të aftësive të kufizuara apo vdekjes", thotë Falk Kiefer nga Institutit Qendror i Shëndetit Mendor në Mannheim. "Në bazë të studimeve mund të përllogaritet se sa shumë vite jete humbet një person, që konsumon shumë alkool - jo vetëm për shkak të vdekjes, por edhe faktit se ai shpesh është i paaftë për punë, për shembull për shkak të cirozës së mëlçisë."

Pasoja fatale

Sipas raportit të OBSH-së në vitin 2012 në mbarë botën gjetën vdekjen prej përdorimit të tepruar të alkoolit rreth 3,3 milionë vetë. Kjo përbën 6% të të gjitha rasteve të vdekjeve. Përveç kësaj, ekziston një lidhje shkakësore midis alkoolit dhe më shumë se 200 sëmundjeve të ndryshme, përfshirë edhe sëmundje kardiovaskulare dhe mendore.

Junger Mann mit kurzen blonden Haaren
Fotografi: Fotolia/runzelkorn

Veç ndikimeve negative ndaj shëndetit konsumi i tepruar i alkoolit ka edhe pasoja të rënda sociale dhe ekonomike, thuhet në raport. Gjermanët kanë konsumuar në vitin 2012 mesatarisht 11.8 litra alkool të pastër për frymë dhe Evropa është në krye të listës botërore sa i përket konsumit të alkoolit në botë. Në botë mesatarja vjetore e konsumit të alkoolit të pastër është rreth 6.2 litra për person.

Sipas rekomandimeve të OBSH-së kufijtë e rekomanduar për gratë janë rreth 20 gram alkool i pastër në ditë, pra rreth 0.2 litra verë. Për burrat kufiri maksimal i rekomanduar është 40 gram. Por këto sasi, thotë Falk Kiefer, kanë të bëjnë vetëm me sëmundjet, që mund të shkaktohen prej alkoolit, jo me rrezikun për t'u bërë i varur nga alkooli. "Për këtë nuk ka sasi të përcaktuara."

Kur fillon alkoolizmi?

Sipas Falk Kiefer nga Instituti Qendror i Shëndetit Mendor në Mannheim OBSH-ja nuk e përcakton qartë se kur dikush konsiderohet si person i dhënë pas alkoolit. Në përgjithësi thuhet se një njeri konsiderohet si i varur nga alkooli, nëse ai e organizon jetën e vet në varësi të konsumit të alkoolit dhe dikur e ka të vështirë ta kontrollojë konsumin e alkoolit, gjë që në fund mund të shoqërohet edhe me pasoja të dëmshme, që kërcënojnë shëndetin.

Zwischen Sucht und Genuss Alkohol
Fotografi: picture-alliance/dpa

Vetmia, pakënaqësia, por edhe detyrimet sociale janë disa nga arsyet pse njerëzit bëhen alkolikë. Sipas Kiefer është e nevojshme që shoqëria, politika, por edhe ekonomia të veprojnë. Ai është i bindur se: "Nëse duam që në shoqëri të konsumohet më pak alkool, nuk ka kuptim që të bëhet reklamë për konsumin e alkoolit."

Një nga objektivat e strategjisë globale kundër përdorimit të dëmshëm të alkoolit synon deri në vitin 2025 zvogëlimin e përdorimit të dëmshëm të alkoolit me të paktën dhjetë për qind në krahasim me vitin 2010.