Kongresi mori në pyetje "Cyber-baronët" amerikanë
30 Korrik 2020Në Kongresin amerikan mund të vërehet një tendencë kritike ndaj krerëve të teknologjisë amerikane, që mund të rezultojë me rregulla më të ashpra, e që si pasojë mund të ketë kufizime të vlerës së tyre në këtë treg. Marrja në pyetje më ka bindur se koncernet që punojnë sot në këtë formë, kanë një lloj "fuqie monopoli" në treg, tha kryetari i Komisionit hetues për konkurrencë dhe të drejtë ekonomike, David Cicilline. "Disa prej tyre duhet të copëtohen, ndërsa të tjerët të rregullohen në mënyrën e duhur." Kontrolli i tregut prej tyre ju mundëson shkeljen e konkurrentëve në treg. "Kjo duhet të marrë fund." Komisioni tani duhet të paraqes një raport me rekomandime.
Interesat e ndryshme
Demokratët dhe republikanët po ndjekin këtu qëllime të ndryshme. Tek pyetjet e deputetëve demokratë bëhej fjalë kryesisht për kushtet jo fer mes konkurrentëve në treg. Ndërsa republikanët mendonin se koncernet online janë duke kufizuar përfytyrimet konservatore. Këtë e thotë ndër tjera edhe presidenti amerikan Donald Trump. Ai ka kërcënuar përmes rrjetit Twitter, se kundër koncerneve të teknologjisë do të ndërmarrë masa që i takojnë presidentit, nëse Kongresi nuk është i ashpër sa duhet.
Shefi i Google, Sundar Pichai është pyetur nga deputeti Greg Steube, se pse e-maili i babait të tij gjatë fushatës elektrorale ka shkuar automatikisht në Gmail-Spam. Deputeti Jim Jordan kërkonte nga Pichai siguri, se koncerni nuk do ta ndihmojë kandidatin demokrat në zgjedhjet presidenciale, Joe Biden.
Demokratët flisnin për mangësi të koncerneve Facebook dhe Amazon, gjatë pyetjeve drejtuar shefave të këtyre koncerneve Mark Zuckerberg dhe Jeff Bezos. Bezos u përball me pyetjet e shumta, nëse Amazon ua jep të dhënat e klientëve dhe tregtarëve, të cilët shesin mallrat e tyre përmes këtij rrjeti. Kreu i Amazon tha se ata i respektojnë rregullat e brendshme, por nuk mund të garantonte se nuk ka pasur kurrë ndonjë shkelje.
Zuckerbergu pranoi lëshimet
Tek Facebooku më së shumti pyetje kishte rreth platformës së fotografive Instagram dhe shërbimit për komunikim WhatsApp. Deputeti Joseph Neguse e detyroi Zuckerbergun të pranojë se Instagrami dhe WhatsApp nuk kufizohen vetëm tek ofertat por kanë qenë edhe konkurrentë, që mund të jetë relevante për hetimet e tjera rreth konkurrencës në treg. Këtu u paraqitën edhe disa shembuj të punës nga viti 2011, ku shihet se rreth 95% e pagesave për mediat sociale janë bërë në SHBA. Krahasuar me të tjerët, shefi i Apple, Tim Cook u përball me më pak pyetje të ashpra. Pyetjet kishin të bënin më shumë me kostot e larta që Apple kërkon për App-e të ndryshëm në këtë platformë.
"Vendosni maskat"
Katër menaxherët janë intervistuar përmes një video-konference. Kriza e Coronës mbizotëroi edhe këtë takim virtual. Shefat e koncerneve u detyruan të sigurojnë se pas kamerave nuk ka asnjë bashkëpunëtor që ju ndihmon gjatë marrjes në pyetje. Deputetët mbanin maskat në kohën kur nuk bënin pyetje. "Vendosni maskat!", u tha disa herë.
Por edhe para fillimit të marrjes në pyetje ishte shumë e qartë se deputetët do të jenë kritikë ndaj shefave të koncerneve. "Themeluesit e shtetit tonë nuk janë përkulur para mbretërve, ndaj as ne nuk do të përkulemi para perandorëve të ekonomisë online", tha demokrati Cicillinem, që në fillim. Demokrati Jamie Raskin krahasoi "baronët plaçkitës" - kapitalistët e fuqishëm dhe të pamëshirshëm amerikanë nga shekulli 19 - me "Cyber-Baronët" e sotëm.
bc/fab/nob (afp, ape, dpa)