1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferencë për rindërtimin e Ukrainës

4 Korrik 2022

Në Lugano të Zvicrës zhvillohet konferenca që do të përpilojë strategjitë për rindërtimin e Ukrainës, pavarësisht luftimeve që vazhdojnë. Por ajo nuk do të jetë një konferencë donatorësh.

https://p.dw.com/p/4Dd5P
Schweiz I Ukraine Recovery Conference URC - Lugano
Fotografi: Pascal Lauener/KEYSTONE/picture alliance

Përfaqësues nga 40 vende të botës dhe organizata ndërkombëtare konsultohen këtë të hënë në Lugano të Zvicrës për rindërtimin e Ukrainës, pavarësisht vazhdimit të luftimeve. Qeveria ukrainase për herë të parë do të prezantojë prioritetet e saj për procesin e rindërtimit. Si përfaqësues nga Ukraina vijnë zëvendëskryeministri, Denys Shmyhal dhe ministri i Jashtëm, Dmytro Kuleba. Presidenti, Volodymyr Zelensky do të jetë i pranishëm përmes mesazhit me video. Edhe presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe kryeministrat e Polonisë, Lituanisë dhe Çekisë janë pjesëmarrës në konferencë.

Ukraine-Krieg - Wiederaufbaukonferenz in Lugano
(nga e djathta) Presidenti i Federatës Zvicerane, Ignazio Cassis, presidentja e KE, Ursula von der Leyen, dhe zëvendëkryeministri ukrainas, Denys ShmyhalFotografi: Michael Buholzer/AFP

Strategji për rindërtimin

Por Lugano nuk do të jetë një konferencë donatorësh. Ky takim synon vetëm të përpilojë strategjitë për rindërtimin, që orientohen nga një plan Marshall, si plani amerikan që çoi në rindërtimin e Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Pritet që rindërtimi i Ukrainës pas muajsh shkatërrimi të kushtojë disa qindra miliarda dollarë. E ngarkuara për konferencën, zviceranja Simone Pidoux u shpreh para konferencës se ky proces do të zgjasë "me vite, në mos dekada". Por Ukraina do të konfrontohet në Lugano edhe me kërkesa për reforma të thella, veçanërisht në drejtim të korrupsionit të përhapur në vend.

Ukraine-Krieg - Wiederaufbaukonferenz in Lugano
Denys Shmyhal dhe presidenti zviceran (majtas) Ignazio CassisFotografi: Michael Buholzer/AFP

Presidenti Zelensky në mesazhin e tij me video të hënën ka pranuar humbjen e qytetit Lysytshansk dhe tërheqjen e forcave ukrainase nga ky qytet, por ai premtoi, se do të rivendosë kontrollin mbi këtë territor. Tek kjo do të kontribuojnë edhe ndryshimi i taktikës dhe armët e reja të përmirësuara, tha ai. "Ukraina nuk do të dorëzohet." Nga ana e saj ushtria ukrainase përparon në rajonin e Kharkivit në lindje dhe në jug në rajonin e Khersonit. Lysytshansk ishte bastioni i fundit i ukrainasve në rajonin e Luhanskit.

la/ag