1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Marrëveshja për hekurudhat Beograd-Fushë Kosovë

14 Shkurt 2020

Në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih, ambasadori amerikan, Richard Grenell u takua mbrëmë me presidentin Thaçi dhe presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Tema kryesore ishte dialogu, por ka edhe një marrëveshje.

https://p.dw.com/p/3Xl5V
Hashim Thaci und US- Botschafter Richard Grenell
Hashim Thaçi dhe Richard Grenell Fotografi: DW/B. Cani

Pas takimeve me krerët e Kosovës dhe Serbisë, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq si dhe kosultimeve të mëparshme të ekipeve të këtyre dy vendeve, në Mynih u kumtua se të premten (14.02) do të nënshkruhet marrëveshja për hekurudhat. Kjo marrëveshje është në fakt një letër e qëllimeve të mira për hapjen e hekurudhës Beograd – Fushë Kosovë. Presidenti i Kosovës, Thaçi i tha Deutsche Welles se takimi i mbajtur mbrëmë me ambasadorin Grennell ishte shumë konstruktiv dhe i frytshëm. Thaçi dhe Grenelle, si dhe më parë Vuçiq dhe Grenell, në takime të ndara, kanë rënë dakord që kjo marrëveshje të nënshkruhet. Por Thaçi tha se me ambasadorin Grennell është biseduar edhe për arritjen e një marrëveshje finale me Serbinë, e cila do t'i „sillte Kosovës anëtarësimin në Organizaten e Kombeve të Bashkuara dhe njohjen reciproke."

Hashim Thaci und US- Botschafter Richard Grenell
Fotografi: DW/B. Cani

Diskutimet për dialogun

Presidenti Thaçi tha se në takim është biseduar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe hapat e ardhshëm drejt arritjes së marrëveshjes finale për njohje reciproke. Thaçi është i bindur se ky dialog do të sjellë paqe dhe përparim dhe rajon. Më parë Grenell bisedoi edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili në veçanti nënvizoi vendosmërinë e Grenellit për heqjen e taksës ndaj mallrave serbe. Vuçiq tha se heqja e taksës është kushti për vazhdimin e dialogut me palën kosovare. Presidenti serb u shpreh i gatshëm për vazhdimin e bisedimeve, por bisedimet, sipas tij, nuk do të jenë fare të lehta. Presidentët e Kosovës dhe Serbisë nuk përjashtojnë mundësinë që këtë vit të arrihet ndonjë marrëveshje finale mes palëve, por asnjëra palë nuk është tepër optimiste, se kjo do të arrihet.

Aleksandar Vucic Präsidentund US- Botschafter Richard Grenell
Fotografi: DW/B. Cani

Heshtja e Grenellit

Ambasadori Grenell nuk është prononcuar para mediave. Por gjatë ditës sot do të mbahet në Konferencën e sigurisë në Mynih edhe një panel për sigurinë në Ballkan. Ndër pjesëmarrësit janë edhe kryeministri Albin Kurti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidentët e Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe i ngarkuari i BE për politikë të Jashtme, Josep Borell.