1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Konferenca e Islamit dhe myslimanët e përçarë në Gjermani

29 Nëntor 2018

Konferenca e Islamit që zhvillohet në Gjermani nuk e zgjidh dot problemin e përfaqësimit të myslimanëve. Grupet konservatore dhe ato liberale luftojnë njëri-tjetrin.

https://p.dw.com/p/397P6
Deutsche Islam Konferenz 2016
Fotografi: picture-alliance/dpa/S. Gollnow

Këtë të enjte (29.11), përfaqësuesit e myslimanëve gjermanë takohen me përfaqësuesit e shtetit gjerman, në Konferencën Gjermane të Islamit (DIK) në Berlin. Personi, tek i cili mblidhen 'fijet' apo informacionet kyçe të konferencës islame gjermane është sekretari i shtetit për vendlindjen në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Markus Kerber. Gjermani i rajonit të shvabëve është i përkushtuar për Konferencën e Islamit. „Prioritetet janë të qarta, promovimi i dialogut brenda dhe midis myslimanëve që jetojnë në Gjermani. Dhe së dyti, shpresa se nga ky dialog, nga ky diskutim të zhvillohet një mendësi, një imazh vetjak i myslimanëve që jetojnë në Gjermani, i cili deri tani nuk shihej askund."

Ndarja e myslimanëve në Gjermani

Për këtë, duhet që të gjithë myslimanët në Gjermani të përfaqësohen në Konferencën Islamike. Megjithatë, kjo nuk është aq e lehtë. Sepse ka dy grupe që e luftojnë njëri-tjetrin. Nga njëra anë kemi shoqatën gjithëpërfshirëse të organizatave tradicionale konservatore Ditib, Këshilli Qendror, Këshilli Islamik dhe Shoqata e Qendrave Kulturore Islame. Ato të gjitha janë të stukturuara mirë dhe shumë të organizuara.

Nga ana tjetër janë myslimanët laikë dhe liberalë. Por ata kanë pas vetes vetëm individë të fortë dhe kanë qarqe më të vogla, por kjo nuk mjafton për studiuesin e islamit, Freiburg Abdel-Hakim Ourghi: „Ne e kemi "Lidhjen e Myslimanëve Liberalë", ne kemi "Myslimanët laikë2, ne kemi gjthashtu edhe "Forumin e Islamit në Gjermani". Dhe të gjithë kanë të njëjtat qëllime, por nuk mund të ulen në një tryezë të vetme. Dhe për këtë apeloj, që përfundimisht të tentojmë të themelojmë një organizatë përfshirëse si partnere bashkëpunuese e shtetit. Kjo nuk do të thotë që ne refuzojmë organizatat konservatore, por i detyrojmë ato të punojnë edhe me ne. "

Frankreich Paris - Markus Kerber
Markus KerberFotografi: picture-alliance/dpa/MAXPPP/T. Padilla

Myslimanët liberalë pa organizata të forta mbështetëse dhe shoqatat konservatore me financim nga jashtë, në konferencën gjermane të islamit do duhet të kenë secila zërin e tyre. Por, strukturat e ndryshme e bëjnë të vështirë balancimin adekuat të interesave.

Varësia nuk lejon pavarësinë

A qëndron problemi i myslimanëve liberalë, që nuk kanë një organizatë përfaqësuese, apo që ombrella e oganizatave tradicionale ka lidhje politike me vendet e huaja? Shumica e tyre marrin nga jashtë jo vetëm paratë, por edhe imamët e tyre. Por kjo është problematike. Për shkak se kjo mbështetje krijon jo vetëm varësi. Në fund të fundit, ajo minon integrimin e vërtetë në Gjermani.

Kështu për shembull, në vitet e fundit shoqata e xhamive Ditib është bërë gjithnjë e më shumë zëri i politikës turke, prandaj Susanne Schröter, Drejtore e Qendrës Kërkimore „Islami global" në Universitetin e Frankfurtit, thotë: „Për sa kohë që ne kemi varësinë ideologjike, personale dhe financiare nga vendet e huaja, është thjesht shumë e vështirë për shkak se zyrtarët me të cilët flasim, nuk janë të pavarur. Sepse ata gjithmonë marrin udhëzime nga jashtë, sepse ata munden që t'ua tërheqin paratë, kur ata të dalin pak nga korniza e kërkuar. Ne duhet që në një mënyrë të mbështesim pavarësinë e organizatave myslimane nga jashtë.„ Kërkimi i mënyrave të përshtatshme për këtë duhet të jetë një nga temat më të rëndësishme në Konferencën e Islamit.