Sicherheitskonferenz Ägypten
5 Shkurt 2011Simpatia për demonstruesit në Egjipt shfaqet shumë hapur në ambjentet ku po zhvillohet Konferenca e Sigurisë në Mynih. Në fjalime, diskutime por edhe gjatë bisedave në diskrecion në dhomat e pasme duket se Perëndimi i dëshiron ndryshimet në Egjipt, megjithatë kërkon të mos ndërhyjë në mënyrë intensive në luftën për pushtet që po zhvillohet anës Nilit. „Sepse lëvizja demokratike do të dobësohej nëse lind përshtypja se ajo është një çështje e Perëndimit dhe jo e popullit egjiptian“, thotë ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle kur e pyesin për qëndrimin e rezervuar të Perëndimit.
Kancelarja gjermane Angela Merkel bëri fjalë për paralelet me historinë e saj, kur foli për gjendjen në Egjipt. Si politikane e re në vitin reformator të RDGJ-së, ajo është lutur për këshilla nga Perëndimi. Edhe zgjedhjet e shpejta nuk janë ilaçi shpëtimtar. Gjatë zgjedhjeve të para të lira në RDGJ, disa javë pas rënies së Murit të Berlinit, formacionet e sapokrijuara të lëvizjeve demokratike e kishin të vështirë të arrinin zgjedhësit. "Zgjimi demokratik", doli në mars të 1990 krejtësisht nga loja dhe më vonë u gëlltit nga Unioni Kristiandemokrat. Gjendja në Egjipt është edhe më e zymtë. Krah partisë në pushtet të presidentit Husni Mubarak, janë edhe Vëllezërit Myslimanë që kanë aparatin e tyre.
Historia është në lëvizje
Nga cilat formacione të reja politike trëmbet më shumë Perënsimi, e tregon qartë kryeministri britanik David Cameron. Një pjesë të madhe të fjalimit të tij ai ia kushtoi marrëdhënieve të Evropës me myslimanizmin. Me një lutje pasionante ai kërkoi tolerancë, në mënyrë që myslimanët të mos diskriminohen për shkak të fesë së tyre. Sepse myslimanizmi ndahet me kufij të qartë nga ideologjia politike e islamizmit. Vëllezërit Myslimanë, që janë të organizuar mirë në Egjipt zgjojnë frikëra tek ekspertët e sigurisë. A ndodhet Egjipti para një radikalizimi? Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ushqimin për nxitjen e ekstremizmit e sheh tek varfëria. Por edhe nga familje në gjendje vijnë islamistë të gatshëm për dhunë, përgjigjet kryeministri britanik, duke përmendur sulmet terroriste në Londër.
Hapi tjetër i BE-së në drejtim të krizës egjiptiane është dërgimi i kryediplomates Catherine Ashton në Kajro. Çfarë do të thotë ajo atje, e tregon indirekt kancelarja gjemane Merkel: „Gati të gjitha vendet e botës kanë rënë dakord për Konventën e të Drejtave të Njeriut. Kjo do të thotë që ne nuk mund të bëjmë kompromis në respektimin e dinjitetit të secilit".
„Historia është në lëvizje“, tha presidenti i Këshillit të BE-së Herman van Rompuy, dhe Perëndimi kërkon të mos e humbasë ndikimin në këtë vend arab. Ndihmë në ndërtimin e strukturave demokratike, përmendi në fjalimin e saj ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton, ndërkohë që në prapaskenë shërbimet sekrete përpiqen që të ndikojnë në favor të tyre në luftën e hapur për pushtet që po zhvillohet në Egjipt.
Autor: Andreas Noll/Aida Cama
Redaktoi: Bahri Cani