Koncernet angazhohen për mbrojtjen e klimës
23 Shkurt 2007Tema e mbrojtjes së klimës është në këtë kohë në gojën e të gjithëve. Në të gjithë botën është kuptuar se duhet të ndodhë diçka në mënyrë që ngrohja kërcënuese e atmosferës të zbutet disi. Edhe ekonomia dëshëron të marrë pjesë. Në një deklaratë të bërë publike në Nju Jork më shumë se 100 koncerne, autoritete dhe organizata kërkojnë një iniciativë për reduktimin e gazrave të efektit serrë.
Politika është shumë e ngadaltë, pra i takon ekonomisë që të ndërmarrë diçka për mbrojtjen e klimës. Një mendim i pazakontë për firmat por që po imponohet gjithnjë e më shumë në SHBA. Muajin e kaluar dhjetë shefa koncernesh u bashkuan në një iniciativë që synon reduktimin e gazrave të efektit serrë. Ndër ta edhe Jim Rogers, drejtori ekzekutiv i prodhuesit të energjisë "Duke Energy":
"Po zhvillojmë një plan kohor për të kufizuar në një nivel të caktuar emisionet e gazrave gjatë 10, 20 dhe 30 vitet e ardhshme. Me kalimin e viteve tendenca do të jetë ulja e emisioneve."
Për të përmbushur këtë synim do të caktohen tavane për çlirimin e gazrave të dëmshëm. Një firmë që nuk i përmbahet kufijve të përcaktuar mund të blejë sasi shtesë emetimi tek konkurrenca që punon me metoda më të padëmshme për klimën. Kuptohet kundrejt parave.
"Vlerat kufi nënkuptojnë çmime më të larta për konsumatorët. Ne duhet të investojmë në zhvillimin dhe përhapjen e teknologjive të reja. Para do të vijnë edhe nga qeveria dhe nga industria" - thotë Rogers.
Në mënyrë të veçantë koncernet energjitike të cilët deri tani nuk njihen si mbrojtës pararojë të klimës marrin në mënyrë të papritur iniciativën. BP, Exxon dhe Shell investojnë miliarda në energjitë alternative, kërkojnë rrugë për të mbajtur përgjithmonë në tokë dioksidin e karbonit duke e bërë kështu të padëmshëm. Në të ardhmen gazin natyror që përftohet gjatë nxjerrjes së naftës nuk duan thjesh t'a djegin. U ka ardhur fundi kohëve kur kundërshtarët e vlerave kufi për dioksidin e karbonit si Bill Kovax nga Dhoma e Industrisë dhe Tregtisë ishin në shumicë:
"Një gjë e tillë do të ishte e pamundur pasi pjesë të mëdha të industrisë janë kundër. Të gjitha faturat e energjisë do të rriteshin, dhe çmimet e benzinës. Kështu nuk ecet."
Përkundrazi, koncernet e mëdha në të gjithë botën kohët e fundit ngrenë zërin kundër pasivitetit në luftën kundër gazrave të efektit serrë. Të mërkurën (21.02)100 firma miratuan në Nju Jork një rezolutë për mbrojtjen e klimës. Një problem emergjent thuhet në deklaratën e së ashtuquajturës "Tryezë e rrumbullakët globale mbi ndryshimin e klimës" i cili mund të zgjidhet vetëm përmes bashkëpunimit mbarëbotëror. Në rezolutë kërkohen marrëveshje ndërkombëtare dhe vendosje vlerash kufi për kohën pas skadimit të protokollit të Kiotos në 2012. Pra pak veprime konkrete por sërish më mirë se asgjë. Interesi i papritur i ekonomisë për mbrojtjen e klimës nuk është krejt pa interes. Në SHBA p.sh. pjesa më e madhe e shefave të kompanive të mëdha presin nga kongresi i ri i dominuar nga demokratët një ligj mbi mbrojtjen e ambjentit. Atëherë është më mirë të jesh i përgatitur, thotë Jim Rogers:
"Kjo është e rëndësishme për planfikimin tonë. Nëse ndërtojmë një central elektrik ai egziston 50 vjet. Nëse bëhet fjalë për një central me energji nga qymyri duam të jemi të sigurtë që të përdorim teknologjinë e nevojshme për të reduktuar dioksidin e karbonit."
Në këtë rast do të ndihmonte vendosja e vlerave maksimale kombëtare. Këtu nuk duhen harruar edhe të mirat që do të sillte për industrinë avantazhi në zhvillimin e teknologjive që ruajnë mjedisin dhe energjive alternative.