Koncepti i Ligës Gjermane të Futbollit përçan futbollin
1 Nëntor 2012Klubi futbollistik FC St.Pauli tashmë ka thënë "jo", njësoj si Fortuna Düsseldorf, 1. FC Kaiserslautern dhe VfL Wolfsburg, klube të tjera profesioniste gjithashtu. Dhe tani, shoqata "ProFans", një aleancë në rang federate e fansave të futbollit e refuzon që në themel dokumentin e konceptit të DFL "Përjetime në siguri në stadium". Komisioni i Sigurisë i Ligës Gjermane të Futbollit e pati përpunuar këtë dokument si reagim ndaj shtimit të dhunës nga fansat muajt e fundit si dhe shtimit të djegies së lëndëve fishekzjarre në stadiumet gjermane. Qe planifikuar që ky dokument të miratohej në mes të dhjetorit në një asamble të përgjithshme të 36 shoqatave profesioniste. Për këtë arsye, Komisioni ua shpërndau dokumentin të gjitha klubeve me lutjen për t'u pozicionuar - dhe vlerësimi në masën më të madhe ishte negativ.
Jo vende në këmbë, kontrolle të plota trupore
Komisioni kërkon në dokumentin e tij një kod të detyrueshëm sjelljeje për fansat. Ai përmban heqje dorë nga dhuna, heqje dorë nga çdo lëndë fishekzjarre dhe pranimin e rregullores së stadiumit. Kërkesa, të cilat në thelb nuk ka pse i kundërshton asnjë shoqatë. Por nëse shoqatat i nëshkruajnë masat e kërkuara nga Liga Gjermane e Futbollit, ato shpallin se janë dakord edhe që në rast incidentesh të tjera të ketë më shumë lojëra pa spektaktorë, ndalime hyrjeje në stadium, kufizim të kontigjentit të biletave për fansat mysafirë dhe në llogari të fundit edhe eleminim të vendeve në këmbë në stadiumet gjermane.
Veç kësaj, Liga Gjermane e Futbollit parashikon një shtim të mbikqyrjes me video të fanseve në blloqe. Më tej bëhet fjalë për të ashtuquajtura "kontrolle trupore të personave" në hyrje. Kjo mund të kuptohet kështu: fansave do t'u duhet që para hyrjes në stadium të zhvishen pjesërisht ose plotësisht në një kontenier, për të parë nëse kanë fshehur në trup ose brenda trupit lëndë fishekzjarre ose pjesë lëndësh fishekzjarre. Pavarësisht nga fakti se nga pikëpamja logjistike kjo do të ishte thuajse e pamundur të zbatohej, fansat dhe shoqatat shohin këtu mospërfillje të parimeve të shtetit juridik.
Dakordim midis klubeve dhe fansave
Prandaj shumë shoqata e refuzojnë krejtësisht konceptin. Ato kritikojnë faktin që dokumenti u hartua pa u përfshirë në procesin e hartimit edhe përfaqësues të fansave. "Koncepti për ne nuk ka kuptim, për aq kohë sa në të nuk mbahen parasysh këndvështrimet e fansave", thotë Gerd Mäuser, president i VfB Stuttgart. Ai kërkon një komision të dytë, në të cilin të ngarkuarit e fansave në klube të përpunojnë një koncept të dytë masash. Shoqata "ProFans" mendon se aktualisht "nuk ekziston nevoja për një dokument të tillë, i cili nuk është gjë tjetër veçse aksionizëm i verbër." Sipas kësaj shoqate, nuk ka shtim të dhunës në stadiumet gjermane.
Pas dëgjimit të kritikave, Komisioni i Sigurisë i Ligës Gjermane të Futbollit tha se do ta ripunojë dokumentin. Komisioni megjithatë është nën presionin e politikës, e cila kërcënon që në rast nevoje të merret vetë me këtë temë. Pasoja mund të jenë pastaj masa më të rrepta sigurie, të cilat të zbatohen pa pyetur Ligën Gjermane të Futbollit, shoqatat dhe tifozët - një skenar i padëshiruar me siguri nga të gjithë.