Kompanitë druhen nga sulmet kibernetike dhe inflacioni
20 Janar 2023Rrezikun më të madh për bizneset e tyre, ndërmarrjet e pyetura nga Allianz, kompania më e madhe e sigurimeve në Europë, vazhdojnë ta shohin tek sulmet kibernetike. Dhe kanë të drejtë për këtë. Sepse shpenzimet e shkaktuara nga ndërprerja e punës janë të mëdha, sipas vlerësimeve ato kanë arritur në gjithë botën në një miliardë dollarë, shifër që është gati sa një përqind e prodhimit të brendshën bruto të botës.
Dhe sipas vlerësimeve të AGCS, një firmë subkontraktuese e Allianz-ës, shpenzimet mesatare për çdo firmë janë rritur duke arritur rekord të ri. "Pasojat në gjithë botën janë të mëdha,” thotë Shanil Williams. Ai është anëtar i bordit drejtues të AGCS, kompanisë së sigurimeve të ndërmarrjeve dhe industrisë, që varet nga Allianz-a.
Problemi më i madh vjedhja e të dhënave
Vjedhja e të dhënave përbën problemin më të madh për ndërmarrjet, duke u pasuar direkt nga shantazhi që bëhet prej infiltrimit të software-ve të dëmshëm. Nuk ka shumë kohë që një sulm i rëndë hakerash bërë kundër furnizuesit të automjeteve, Continental, përfundoi në titujt e gazetave.
Ky është përfundimi i nxjerrë nga barometri i rreziqeve, prezantuar (17.01) nga Allianz-a. Për të përgatitur barometrin, AGCS, pyeti deri në fund të nëntorit mbi 2700 ekspertë të çështjeve të sigurisë dhe manaxherë ndërmarrjesh nga 94 vende. Gati gjysma e forcave drejtuese të marra në pyetje, kanë qenë drejtues të ndërmarrjeve të mëdha me volum pune më të madh se 500 milionë dollarë në vit.
AGCS bazohet në vlerësimet, sipas të cilave shpenzimet mesatare shkaktuar për ndërmarrjet pas një vjedhjeje të dhënash janë rritur në vitin 2022, duke arritur shifrën rekord prej 4,35 milionë dollarësh. Për vitin 2023 pritet që kjo shifër të arrijë në mbi pesë milionë dollarë.
Shqetësim të madh për sulmet e mundshme kibernetike kanë sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. "Ndërmarrjet e mëdha kanë zhvilluar tashmë mekanizma mbrojtëse, kurse ndërmarrjet e vogla që nuk kanë investuar në parandalimin e sulmeve dhe për sigurimin, janë më të prekshme,” thotë zëdhënësi i AGCS, Hugo Kidston.
Shtohen shqetësime të reja
Ndërkohë që në sondazhin e para një viti, sulmet kibernetike përbënin rrezikun numër një, me pandeminë dhe luftën e Ukrainës, kanë dalë në plan të parë shqetësime të reja. Frika nga problemet e përgjithshme ekonomike ka kaluar nga vendi i dhjetë në vend të tretë, direkt pas ndërprerjes së punës për shkak të sulmeve kibernetike. Aktualisht, shqetësimin më të madh e shkakton inflacioni i lartë. Dhe viti 2022 karakterizohej natyrisht edhe nga kriza energjetike dhe shqetësimet për furnizimin e mjaftueshëm dhe të përballueshëm me energji.
"Për ndërrmarjet ky ka qenë kthim tek llogaritjet fillestare ekonomike,” shpjegon krye-ekonomisti i Allianz-ës, Ludovic Subran. Manaxhimi i shpenzimeve është kthyer në mjetin kryesor, për të vënë nën kontroll rritjen e rrogave, inflacionin e përgjithshëm ose rritjen e çmimit të energjisë. "Unë mendoj se kthimi i ndërmarrjeve tek këto çështje banale, u bë në mënyrë katoike tek shumë prej tyre. Por për ne nuk është çudi, që këto shqetësime morën medaljen e bronxtë.”
Skema e rëndësisë së çështjeve, ndryshon në Gjermani nga ajo në nivel global. Ndërprerja e punës për shkak të sulmeve kibernetike është në vend të parë. Shqetësimet për çmimin e energjisë dhe furnizimin me energji zenë vendin e tretë.
Për herë të parë në listën e dhjetë rreziqeve më të mëdha për ndërmarrjet shfaqet mungesa e forcave të specializuara, që është në vend të tetë. Në Gjermani, shqetësimet për mungesën e personelit duket se janë më të mëdha, duke zënë këtu vendin e gjashtë të listës.
Po ndryshimi i klimës?
Duket se ndërmarrjet nuk e shohin më Coronën si rrezik të madh: Pandemia është zhdukur nga dhjetë të parët e listës, duke kaluar në rangjet e fundit. Peshë kanë humbur për manaxherët dhe drejtuesit e ndërmarrjeve edhe ndryshimi i klimës dhe katastrofat natyrore. Ndryshimi i klimës ka rënë nga vendi i gjashtë në vend të shtatë, katastrofat natyrore nga vendi i tretë para një viti, kanë kaluar në vend të gjashtë këtë vit.
Rezultate të ngjashme nxorri në pah edhe studimi i publikuar (16.01) në Davos, nga firma e konsultimit të ndërmarrjeve PWC. Sipas tij, optimizmi i drejtuesve të ndërmarrjeve ka rënë në gjithë botën. Ndërkohë gati tre të katërtat e githë manaxhereve dhe manaxherëve presin të ketë rënie të prodhimit ekonomik botëror. Një vit më parë vetëm 15 prej tyre ishin të këtij mendimi. Në Gjermani pesimizmi është edhe më i madh: Sipas sondazheve, 82 përqind e manaxherëve mendojnë se do ketë rënie të prodhimit ekonomik botëror.