BE: Ndalohet TikTok-u në telefonat celularë të punonjësve
24 Shkurt 2023Komisioni i BE-së u ndaloi punonjësve të tij të përdorin aplikacionin TikTok në telefonat celularë ose laptopët e punës. Sipas Brukselit punonjësit duhet ta fshijnë aplikacionin sa më shpejt të jetë e mundur, afati i fundit është data 15 mars. Arsyeja e këtij vendimi është mbrojtja e të dhënave dhe shqetësimi për aksesin e mundshëm të shtetit kinez në kompaninë kineze të TikTok, Bytedance. Një zëdhënës i TikTok-ut u shpreh "i zhgënjyer" duke thënë se vendimi bazohet në një "gjykim të gabuar".
Komisioneri i BE-së për Industrinë, Thierry Breton, tha se ndalimi i aplikacionit TikTok do të zbatohet gjithashtu edhe për pajisjet private të regjistruara pranë Komisionit. Ai theksoi se Bashkimi Evropian po i kushton vëmendje çështjes së sigurisë kibernetike. Masa synon të mbrojë Komisionin nga kërcënimet kibernetike. Breton nuk donte të komentonte ndonjë incident të mundshëm në lidhje me aplikacionin TikTok.
Kritika në mbarë botën
TikTok është në qendër të kritikave në mbarë botën për shkak të dyshimeve lidhur me privatësinë. Edhe autoritetet e SHBA-së e kanë ndaluar aplikacionin TikTok në telefonat celularë zyrtarë.
TikToku ka një miliardë përdorues në mbarë botën dhe është veçanërisht i përhapur ndër brezin e ri. Në nëntor TikTok-u pranoi se punonjësit e kompanisë në Kinë mund të kenë akses në të dhënat e përdoruesve evropianë.
Hetime në Irlandë
Enti Irlandez i Mbrojtjes së të Dhënave ka nisur prej disa kohësh hetimet kundër Bytedance për shkelje të mundshme të ligjit të BE-së për mbrojtjen e të dhënave. Koncerni TikTok deklaroi se të dhënat e 125 milionë përdoruesve në Bashkimin Evropian janë të mbrojtura dhe se mbrojtja e të dhënave do të rritet. Kështu p.sh. në Evropë janë planifikuar të krijohen tri qendra të ruajtjes së të dhënave.
BE-ja mbështetet në rregullore të rrepta në hapësirën dixhitale. Ligji për Shërbimeve Digjitale i detyron p.sh. platformat online, që ndër të tjera të rrisin angazhohen më fort kundër urrejtjes dhe lajmeve të rreme në internet. Po ashtu dyqanet online duhet të verifikojnë identitetin e furnitorëve përpara se të ofrojnë produktet e tyre për shitje. Ligji për Tregjet Digjitale synon të parandalojë veprimet që bien ndesh me konkurrencën nga ana e kompanive të mëdha të internetit në BE.