1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Komisioni Evropian dhe fitimet e tepërta energjetike

7 Shtator 2022

Komisioni Evropian dëshiron të lehtësojë barrën e çmimeve të larta të energjisë. Ndër të tjera, synonet të shfrytëzohen për këtë fitimet e tepërta të kompanive energjetike.

https://p.dw.com/p/4GXer
Europa Commissionspräsidentin Ursula von der Leyen
Fotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

Sipas Komisionit Evropian, konsumatorët duhet të lehtësohen me ndihmën e të ardhurave nga fitimet e tepërta të kompanive të energjisë. "Burimet e energjisë me përmbajtje të ulët CO2 aktualisht po bëjnë fitime të papritura që nuk pasqyrojnë as përafërsisht kostot e tyre të prodhimit”, tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen në Bruksel. "Ne duam t'i ridrejtojmë këto fitime të papritura për të ndihmuar të përshtaten familjet dhe bizneset që janë veçanërisht të prekura." E njëjta gjë vlen edhe për "fitimet e papritura" të kompanive që bëjnë biznesin e tyre me lëndë djegëse fosile, tha von der Leyen.

Edhe fitimet e rastësishme duhet të shfrytëzohen

Propozimet janë të ngjashme me planet e qeverisë gjermane për të pakësuar fitimet e tepërta të prodhuesve të energjisë elektrike. Aktualisht, çmimi i energjisë elektrike në Evropë përcaktohet kryesisht nga termocentralet e shtrenjta me gaz, të cilët janë aktivizuar për të prodhuar energji elektrike për shkak të kërkesës së lartë. Ndërsa çmimi i gazit është rritur ndjeshëm në sfondin e luftës në Ukrainë, edhe energjia elektrike është bërë më e shtrenjtë.

Kompanitë e tjera energjetike që prodhojnë energji elektrike më të lirë - për shembull, nga energjia e erës, diellore ose bërthamore - kanë fitime të mëdha sepse edhe ato mund ta shesin energjinë e tyre elektrike me çmim më të lartë. Disa nga këto "fitime të papritura" duhet të përdoren për të lehtësuar barrën e konsumatorëve.

Ursula von der Leyen
Fotografi: Dursun Aydemir/AA/picture alliance

Propozim për kufirin e çmimit të gazit rus

Si një masë tjetër për të luftuar çmimet e larta të energjisë elektrike, von der Leyen propozoi reduktimin e konsumit të energjisë elektrike gjatë periudhave me kërkesë të lartë. "Ne do të propozojmë një objektiv të detyrueshëm për reduktimin e konsumit të energjisë elektrike në kohë piku." Në të njëjtën kohë, tha von der Leyen, ekziston nevoja për të mbështetur ndërmarrjet e energjisë elektrike, të cilat aktualisht po luftojnë me paqëndrueshmëri të madhe në tregje. "Ne do të përditësojmë kornizat tona të ndihmës shtetërore në mënyrë që garancitë shtetërore të mund të sigurohen shpejt në rast emergjence."

Von der Leyen përmendi gjithashtu një kufi çmimi për importet e gazit rus si masë përfundimtare. Që kur Rusia ndaloi dërgesat përmes Nord Stream 1, në Evropë ka rrjedhur shumë pak gaz rus përmes Ukrainës dhe Turqisë. Presidentja e Komisionit e arsyetoi propozimin duke përmendur çmimet në rritje. Të ardhurat e Rusisë duhet të reduktohen. Presidenti Vladimir Putin po i përdor paratë për të financuar luftën e agresionit në Ukrainë, tha ajo. Putini kishte kërcënuar më herët në Forumin Ekonomik Lindor në Vladivostok se do të ndërpresë furnizimet me naftë dhe gaz nëse çmimet e energjisë do të kufizohen.

Propozimet do t'u paraqiten për konsultim ministrave të Energjisë të vendeve anëtare të BE.

aud (dpa, tgsch)