Pushime verore në Francë? Që pas atentateve në Paris në nëntorin e kaluar shumë vetë e kishin të vështirë ta përfytyronin këtë. Dhe ai që ende dyshonte, e largonte mendimin për pushime në Francë pas masakrës së përgjakshme në Niza. Parisi dhe Niza janë objektivat më të preferuar të vizitorëve të huaj në Francë. Sivjet unë isha në Bretagne. Pushimet nisën në fund të korrikut. Pa mbërritur mirë, u bë i ditur lajmi tjetër i tmerrshëm: terroristët islamikë vranë kafshërisht në një kishë në afërsi të Rouenit një prift. "Terrori mbërriti tani edhe në fshat", ishte mendimi i parë që më kaloi në mendje. E pikërisht edhe në Rouen në Normandi, ku kalova pushimet më 2012. Natyrisht që fola për këtë me miqtë e mi francezë, që takova në Cote d'Armor.
Ndjesia e sigurisë përcillet edhe pa shumë zhurmë
Por në radhë të parë folëm për shkaqet e terrorit dhe si mund të mënjanohen ato. Jo për gjendjen e jashtëzakonshme që u shpall në Francë pas atentatit të nëntorit ose për gardën nacionale, e cila do të përbëhet prej 84.000 rezervistësh. Mënyra e reflektuar, e pashqetësuar si trajtohej kërcënimi që afrohet më pëlqeu gjithnjë e më shumë.
Kjo qetësi dhe ky shpengim ishte qetësues, gati ngjitës. Që në fillim të udhëtimit e pata këtë ndiesi, kur kalova një natë në Chartres. Mbrëmjen e kalova në një shesh të madh, ku qindra vetë dëgjonin një koncert live dhe kërcenin. Midis njerëzve kishte edhe disa xhandarë, por asnjë gjurmë kujdesi të tepruar. Atentatorët vetëvrasës nuk frikësohen gjithsesi nga asgjë dhe askush. Një objektiv tjetër që ia vlente për terroristët do të kishte qenë tregu i bukur të nesërmen në mëngjes. Dhe sërish e njëjta pamje: vetëm vizitorë të shpenguar dhe disa xhandarë me uniforma verore.
Të mësosh si arti i Savoir Vivre!
Natyrisht që për mua është e qartë se në Francë ka edhe pamje të tjera, ato me ushtarë të armatosur rëndë në stacionet e mëdha të trenit dhe në aeroporte. Ata janë të nevojshëm për të shtuar ndienjën e sigurisë dhe për të reaguar shpejt në rast rreziku. Megjithatë unë shpresoj që në udhëtimet e mia të ardhshme në Francë të mos i shoh ata edhe përtej metropoleve. Në një rast të tillë vizita e katedrales me famë botërore të Reimsit, ku u ndala në kthim, nuk do të ishte më kënaqësi.
Atij që viziton godinën e mrekullueshme të stilit gotik vetëm pasi i hyn i thonë pa rënë shumë në sy që ta vizitojë katedralen pa çantë shpine. Vetëm nga kjo më erdhi në mendje sërish mendimi për rrezikun terrorist - për një moment të shkurtër. Në javët e pushimeve që kam lënë pas vetes kisha menduar vetëm rrallë për këtë. Kjo në një kohë kur në Francë kam qenë vazhdimisht në festa tipike në qiell të hapur, që mbahen në vende të vogla gjithë verën. Savoir vivre! Unë pata vërtet ndiesinë se i kuptoja francezët, se po jetoja. Merci beaucoup!
Drejt Nicës!
Më qetësoi e edhe më gëzoi që zbulove në raportimin për terrorin tone të matura. Kështu në gazetën rajonale me tirazh të madh "Ouest-France" lexova një intervistë për përdorimin e 1200 kamerave të përgjimit në rrugët dhe sheshet e Nicës. Ato nuk ndihmuan fare. Eksperti i sigurisë i pyetur nuk qe fare i çuditur. Kamerat tha ai kanë vetëm funksion simbolik, për të dërguar mesazhin: "Ne po interesohemi për ju, mos kini frikë!" Unë e kam prenotuar që tani udhëtimin tim të ardhshëm në Niza. Do të shkoj atje në mes të tetorit. Në bagazh do të kem qetësinë, të cilën e përjetova kudo në Francë.