1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Papa dhe lufta e drejtë

Christoph Strack20 Gusht 2014

Papa Gjon Pali II. i kishte thënë "Jo" luftës në Kosovë dhe në Irak. Françesku tani thotë "Po" për ndalimin me dhunë të luftëtarëve të IS. Megjithatë kjo nuk përbën një ndryshim të linjës, mendon Christoph Strack.

https://p.dw.com/p/1CxOC
Papst Franziskus
Fotografi: Getty Images

Papa mbështet dhunën kundër mizorive terroriste në Irak. Veprimet ushtarake janë të justifikuara në rrethana të caktuara, tha kreu i kishës. Sepse "për të ndaluar agresorin e padrejtë", ato janë "legjitime".

Pleduajeja e Papës me emrin e Shën Franceskut irriton njërin, apo tjetrin. Ai mban emrin e Franceskut, është aq i butë dhe kisha me gjithë shkeljet e saj duhet të përpiqet për zgjidhje pa dhunë... Edhe në të kaluarën ka patur një afrim për të ardhur keq të kishës dhe kishave me luftërat.

Por shumë pak vetë në Europë mund të jenë të informuar aq mirë sa Papa, nga burimet direkte, për krimet e tmerrshme të luftëtarëve terroristë të "shtetit islamik" (IS). Ai telefonon me përfaqësuesit e kishës në rajon, takoi në Vatikan guvernatorin e Kurdistanit, iu drejtua i shqetësuar diplomatëve nga e gjithë bota, i shkroi sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, dërgoi para një jave kardinalin Fernando Filoni, njërin nga njohësit më të mirë të kuries për Lindjen e Mesme, në rajonet kurde, në Erbil dhe Bagdad. Qofshin jezidë, të krishterë, apo të tjerë, gjendja e vështirë e pakicave, që vriten nga luftëtarët e IS, e trondit Françeskun.

Doktrina e luftës "së drejtë"

Këtu Papa mbështetet në një doktrinë shumëshekullore të kishës për "luftën e drejtë", që lejon aktet e luftës sipas kritereve shumë rigoroze. Duke pasur parasysh dimensionin e Luftës së Parë dhe sidomos të asaj të Dytë Botërore në shekullin e 20, në doktrinën katolike pati një largim nga doktrina e luftës së drejtë. Opinionit të gjerë kjo i ra me të vërtetë në sy, kur Papa Gjon Pali II. (1978-2005) me kritikën e tij të ashpër ndaj luftës së Kosovës në vitin 1999 dhe ndaj veprimit ushtarak të presidentit të SHBA George W. Bush kundër Irakut në vitin 2003 u bë një nga kundërshtarët e luftës.

Drejtori i Institutit për Teologji dhe Paqe në Hamburg, studiuesi i etikës së paqes, Heinz-Gerhard Justenhoven, e sheh papën e sotëm "gati edhe në zgjedhjen e fjalëve" në një linjë me paraardhësit e tij. Sepse Françesku rimerr atë, që ka deklaruar një herë Gjon Pali II., përdorimin e dhunës si ultima ratio, si mundësia më e skajshme. Dhe teologjia katolike e moralit, edhe për këtë tërheq vemendjen Justenhoven, nuk flet më për doktrinën e luftës së drejtë.

Christoph Strack komenton
Christoph Strack komentonFotografi: DW

Në diskutimin aktual të moralit teologjik fjala është për të drejtën për t'u mbrojtur, për të drejtën legjitime për mbrojtje. Këtu kisha bën mirë që rri jashtë vlerësimeve, se cili është "mjeti më i drejtë" në situatën aktuale. Por ai u jep edhe atyre, që duhet të vendosin, edhe ndihmë morale dhe etike dhe nuk i lë të qëndrojnë në shi.

Të gjitha këtyre i përshtatet zgjedhja e fjalëve të Papa Françeskut: "është legjitime të ndalosh agresorin e padrejtë. E theksoj foljen ndaloj. Unë nuk them ... bombardoj, them ndaloj. Se, me se mund të ndalohet, kjo duhet menduar me kujdes."

Jo luftëra të përcaktuara vetëm nga një komb

Vetëm disa fjali më tej Françesku formuloi fraza të përgjithshme, të cilat -përsëri në traditën e paraardhësve të tij - mund të lexohen si një kritikë ndaj Shteteve të Bashkuara: "Të mos harrojmë: nganjëherë nën këtë justifikim për të ndaluar agresorin e padrejtë, janë bërë luftëra të vërteta. Një komb i vetëm nuk mund të gjykojë se si mund të ndalohet një agresor i padrejtë." Papa kërkon një veprim të bashkërenduar ndërkombëtarisht.

Me ndryshimin në këndvështrimin e saj për "luftën e drejtë", kisha katolike tregon se ajo reagon ndaj ndryshimeve. Dhe ajo nuk i lë vetëm ata, që mbajnë përgjegjësi në politikë për këto vendime. Kjo është më e vështirë, se sa të refuzosh çdo ushtri dhe çdo dhunë të autorizuar, si një engjëll i paqes. Bëhesh përgjegjës dhe në këtë mënyrë, ndoshta edhe fajtor. Por kush nuk merr përgjegjësi, ai lë në raste të caktuara edhe që njerëzit të vdesin. Sot, në Irakun e veriut, atëherë në Ruanda.