Koment: Tatimi për xhami është i domosdoshëm dhe urgjent
28 Dhjetor 2018Të mendosh për futjen e tatimeve për xhami është një hap i mirë dhe i drejtë. Të gjithë ata të cilët ankohen për financimin e xhamive nga vendet e tjera duhet të kujdesen për pavarësimin financiar të xhamive dhe shoqatave të myslimanëve në Gjermani. Paratë nga Turqia, ndoshta edhe Arabia Saudite, do të thotë se Ankaraja dhe Riadi kanë të drejtë të kërkojnë gjëra nga shoqatat myslimane në Gjermani. E kjo është një pengesë serioze për fenë islame në Gjermani.
A thua do të ketë sukses inciativa për futjen e tatimeve për besimtarët e fesë islame? Integrimi i myslimanëve në Gjermani është një temë e kahershme. Prej më shumë se 12 vitesh mbahen në Gjermani konferencat e fesë islame. Në fillim të konferencës së fundit, ministri i Brendshëm Horst Seehofer kërkoi vendosjen e një "islami për Gjermaninë dhe islamin gjerman", me fjalët: "Është e vetkuptueshme që myslimanët kanë të njëjtat të drejta dhe obligime sikundër secili këtu në Gjermani."
Një çështje kushtetuese
Vet futja e taksave për xhami do të thotë pranim i kësaj feje nga shteti. Kjo është pasojë e rregullimit kushtetues të çështjes. Në esencë, ky është pranim publik i kësaj feje. Kishat e mëdha në Gjermani kaherë e kanë arritur këtë status juridik. Në Gjermani janë të njohura edhe shoqatat hebraike, Dëshmitarët e Jehovës dhe kisha të tjera të lira. Ato mund të kërkojnë nga anëtarët e tyre të paguajnë tatime, nëse duan. Mund të kërkojnë edhe nga shteti që të kujdeset për këto tatime.
Këtu bëhet fjalë pra për obligimet dhe interesat e të dy palëve. Futja e tatimeve për xhami e bën këtë shumë të qartë. Ligji kërkon nga fetë që të japin të dhënat e sakta për numrin e anëtarëve dhe besnikëri ligjore. Nga ana tjetër shteti ndihmon për të mundësuar mbledhjen e tatimeve. Kjo dëshmon interesin e shtetit për bashkime individësh mbi bazën e fesë, që bashkojnë qytetarët dhe ofrojnë një lloj atdheu për anëtarët, të cilët nga ana tjetër duhet të kryejnë obligimet e tyre shoqërore.
Shoqatat e myslimanëve në Gjermani duhet të organizohen, tha Seehofer. Ato duhet t'u përgjigjen obligimeve kushtetuese. E kjo nënkupton edhe shkëputjen nga financimet e jashtme, por edhe nga personeli i jashtëm, i cili shpesh nuk e njeh gjuhën gjermane.
Integrimi dhe influenca nga jashtë
Çdo paraqitje e presidentit Erdogan në xhami, çdo raport tjetër për spiunime nga shoqata turko-islame DITIB, çdo deklaratë e ndonjë imami mund të shtojë presionet ndaj shoqatave të xhamive. Kjo sepse integrimi i myslimanëve në Gjermani nuk do të thotë se duhet të pranohet influenca politike nga jashtë.
Ndaj debati për tatimet e xhamisë është i drejtë, i domosdoshëm dhe urgjent. Rreth emrit, nëse do të jenë tatime, taksa apo diçka tjetër, mund të bisedohet. Po ashtu rreth mënyrës së zbatimit mund të bisedohet. Por shikuar nga qëndrimet e ndryshme, vështirë se mund të merret një vendim i përbashkët. Ndaj futja e një tatimi për xhami do të ishte një sukses i jashtëzakonshëm për Gjermaninë. Dhe një hap i domosdoshëm.