Koment: Rasti Wulff
14 Nëntor 2013Thuhet se karakteri dhe forca e qendresës dallohen në raste vështirësish. Për Christian Wulff ky rast ishte Hanoveri. Këtu, në kryeqytetin e landit verilindor të Saksonisë së Poshtme, ai ngjiti shkallët e karrierës nga lider i opozitës në kryeministër. Wulff vlerësohej si punëtor, por kishte edhe imazhin e një njeriu të mërzitshëm. Pastaj në qershor 2010 kërcimi në karrierë: posti i presidentit. Ai ishte kandidati i Angela Merkelit. Në ngjitje e sipër të shkallëve të karrierës Wulff u përpoq të përmirësonte edhe imazhin e tij, por duket se në këtë rrugë humbi instinktet e tij politike. Instinkte të cilat një politikan i lartë duhet t'i ketë patjetër, nëse dëshëron t'u bëjë ballë joshjeve të servilëve dhe afrimit për përfitime personale, të të pasurve dhe të fuqishmëve. Sot e dimë se pas vetëm 598 ditësh në post Presidenti Wulff u kthye në "rastin Wulff". Dhe ai është mësim për tundimet në politikë, pushtetin e shtypit bulevardesk dhe mungesën e sovranitetit të drejtësisë.
Një burrë synon të ngjitet lart, dhe ia del
Retrospektivë: vendngjarja Hanover. Vetëm gjysmë milion banorë por megjithëse provincë një qytet i njerëzve të njohur. Ish kancelari Gerhard Schröder e quan Hanoverin shtëpinë e tij, grupi Scorpions, më i njohuri grup gjerman për muzikën rock, është nga Hanoveri. Krahas tyre Hanoveri është adresa e shtëpisë edhe për një radhë të gjatë sipërmarrësish shumë të pasur dhe të suksesshëm. Në këtë shoqëri kërkon të bëjë pjesë edhe Christian Wulff, e akoma më fort e kërkon këtë gruaja e tij e re Bettina Wulff, me të cilët ka lidhur kurorën e dytë. Të dy kërkojnë kontaktin me botën e luksit, të të pasurve dhe të pashmëve dhe e gjejnë atë.
Christian Wulff vjen nga një familje e thjeshtë. Ai është kujdesur për të ëmën dhe për vëllezërit më të vegjël. Asgjë nuk i kanë dhuruar në jetë dhe ambiciet e tij për karrierë nuk janë të dënueshme. Si kryeministër i një landi të madh federal ai ka arritur tashmë mjaft lart. Por jeta e miqve të tij zhvillohet në një tjetër kategori loje. Wulff përpiqet me sa duket të luajë edhe vetë dhe të marrë diçka nga luksi dhe shkëlqimi i kësaj bote. Bashkëshortët Wulff marrin nga një sipërmarrës hua për shtëpi me kushte kredie shumë më të favorshme se të tregut. Bëjnë pushime të sponsorizuara dhe përfitojnë edhe jo pak gjëra të tjera falas ose me kushte preferenciale. Të marra së bashku, vogëlsira, asgjë kriminale. Por përse ai pranon favore, të cilat i jepen vetëm falë postit të tij?
Pushteti i bulevardit dhe rreptësia e postit
Të gjitha këto do të kishin rënë në harresë në opinionin publik, nëse Wulff nuk do të kishte bërë një gabim të vetëm të tepërt. Gazeta Bild, e vetëquajtur "gazeta e njerëzve të thjeshtë" planifikon në vjeshtë 2011 një artikull për financimin e shtëpisë së Wulff-it. Këtë ai do ta ndalojë. Kërcënon, shan dhe lë gjurmë në sekretarinë telefonike të kryeredaktorit të Bild-it. Prej atij momenti gazeta kthehet kundër Wulff-it. Vite me radhë ai ka qenë për redaksinë e Bild-it një kontakt i besueshëm në nivelin më të lartë, nga qarqet e larta të CDU-së dhe për këtë arsye gazeta e ka marrë me të mirë dhe prezantuar në mënyrë të favorshme në faqet e saj. Tani situata përmbyset. Kush është padroni dhe kush vartësi, është e qartë. Wulff nuk është më zot i situatës. Për më shumë se dy muaj Wulff ngatërrohet vazhdimisht në thënie kontradiktore. Në fund mbetet vetëm dorëheqja.
Hulumtim i gjerë, prè e vogël - Epilogu juridik
Muaj me radhë prokuroria heton, hartohen mijëra faqe dosjesh. Në të vërtetë është fjala për vetëm 750 euro, të cilat çifti Wulff i ka përfituar pa të drejtë nga një producent filmash (për një darkë, një natë në hotel, një vizitë në festën e birrës dhe një dado fëmijësh). Për këtë gjykata do të mbajë një proces për 22 ditë. Një shembull i mungesës së proporcionalitetit.
Jashtë vendit njerëzit fërkojnë sytë me habi se në çfarë akuzash të dobëta mund të pengohet një politikan në Gjermani. Nga njëra anë kjo i dedikohet postit. Presidenti federal është në radhë të parë një instancë morale. Për ironi, pikërisht për këtë arsye posti më i lartë i shtetit ka pushtetin më të dobët politik. Numri një i shtetit duhet të jetë para së gjithash një gjë: i pacënueshëm. Pikërisht i tillë Christian Wulff nuk ishte më, për shkak të një numri gabimesh.
Largimi i tij me turp nga selia e presidentit në kështjellën Bellevue pas vetëm një viti e gjysëm në post, është për këtë shkak jo vetëm thjesht një histori e Wulff-it. Ai është edhe një shembull për karakterin e pamëshirshëm të medieve të bulevardit dhe zellin dokumentues të juristëve.
Një teatër i turpshëm, i cili me përpikmërinë tipike gjermane, degjeneroi në një farsë të pashembullt politike, mediatike dhe tani edhe juridike.