1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Pas rënies së Aleppos

Rainer Hermann
10 Dhjetor 2016

Beteja vrastare për metropolin e Aleppos me sa duket po merr fund, por këtë nuk mund ta thuash për luftën në Siri.

https://p.dw.com/p/2U3SI
Gërmadhat e Aleppos
Gërmadhat e AlepposFotografi: Reuters/A. Ismail

Ka dy vjet që po zgjat rrethimi i Aleppos, dhe që prej katër muajsh, qyteti më i rëndësishëm i kryengritësve sirianë është i mbyllur hermetikisht. Në qytetin me çerek milioni njerëz nuk mbërrijnë më medikamente, as benzinë. Kështu, që prej 27 nëntorit, një lagje pas tjetrës bie në duart e regjimit të Damaskut dhe të aleatëve të tij.  Taktika ushtarake e Assadit, për t'i vdekur nga uria kështjellat e kryengritësve dhe për t'i bombarduar ato nga ajri po del me sukses. Pas Darayyas dhe vendeve të tjera me rëndësi simbolike të kryengritjes do të dorëzohet edhe Lindja e Aleppos. Për regjimin e Damaskut, 2016-a ishte një vit i suksesshëm.

E ardhme e përbashkët në një vend?

Së shpejti, beteja e madhe përrreth Aleppos do të marrë fund, por nuk do të marrë fund lufta dhe kryengritja. Zonat e tërheqjes atyre u mbeten, edhe pas dëbimit nga Aleppo. Kështu, kryengritësit e armatosur kërkojnë strehim në rajonin rural Idlib, ku kryengritja kundër regjimit pati kremtuar sukseset e saj të para. Prej atje, në afërsi të kufirit me Turqinë, ata do t'i sulmojnë edhe më tej qytetet e regjimit - Aleppo dhe Latakia. Sepse pas veprimeve brutale të pesë viteve të kaluara të luftës nuk është e përfytyrueshme që mbështetësit dhe kundërshtarët e regjimit të mund të jetojnë ndonjë herë së bashku sërish në paqe në të njëjtin shtet.

Por humbja e Aleppos i dobëson në një masë të konsiderueshme kryengritësit. Sepse rajoni i Idlibit mbahet nga grupe islamiste-ekstremiste si Ahrar al-Sham dhe Fatah al-Sham Front, të cilët nuk mund të jenë aleatë për Perëndimin. Dhe në frontin e Jugut midis Damaskut dhe kufirit me Jordaninë për kohësh nuk ka ndryshuar gjë në vijën e frontit.

Kështu që tani pushtetmbajtësi sirian, Bashar al Assad mund ta konsolidojë sundimin e tij mbi pjesë të gjera të Sirisë, aq më tepër kur kryengritësit nuk presin asgjë nga Presidenti i ardhshëm amerikan, Donald Trump. As Turqia nuk jep ndonjë lloj ndihme: Presidenti Rexhep Taypp Erdogan vërtet i shfrytëzon kryengritësit për të kufizuar në veri të Sirisë ndikimin e kurdëve; por ata nuk duhet t'i ndihmojnë sipas tij luftëtarët në vështirësi në Aleppo.

Assadi duhet të ofrojë liri

Assadi tani do të kishte shans që të afrohet me kundërshtarët e tij. Ndoshta ai do të përpiqet që t'i bëjë për vete banorët e Aleppos, duke e furnizuar shpejt me rrymë elektrike dhe me ushqime qytetin. Por zemrat e alepasve ai nuk do t'i fitojë dot në këtë mënyrë. Për këtë ai duhet të zbuste regjimin e tij despotik dhe të ofrojë liri politike. Por për këtë ai nuk është i gatshëm. Kështu që kryengritja do të vazhdojë edhe pas rënies së Aleppos.