1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Rrezik i nevojshëm

Rainer Sollich24 Shtator 2014

Pesë shtete arabe i mbështesin SHBA në sulmet ajrore kundër miliciëve terroristë të "Shtetit Islamik" në Siri. Ky hap është për pushtetmbajtësit sa i nevojshëm, aq edhe i rrezikshëm, mendon Rainer Sollich.

https://p.dw.com/p/1DJpK
Fotografi: Adrian Dennis/AFP/Getty Images

Arabia Saudite merr pjesë në ndërhyrjen ushtarake, edhe Katari, njësoj si Jordania, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Inkuadrimi i këtyre pesë shteteve arabe në sulmet ajrore kundër "Shtetit Islamik" (IS) në Siri është një lëvizje e zgjuar shahu e Presidentit të SHBA, Barack Obama: ndryshe nga paraardhësi i tij George W. Bush, Obama armatoset me këtë, të paktën në mënyrën më të mirë të mundur kundër kërkesës së zakonshme në botën arabe, se Amerika ndërmerr luftë kundër fesë islame ose kundër myslimanëve, për të zbatuar interesat e veta të pushtetit dhe ato ekonomike.

Me të vërtetë: pjesëmarrja e këtyre pesë shteteve të drejtuara nga sunitët është një sinjal i fortë: regjimet e atjeshme pozicionohen aq qartë sa kurrë më parë kundër terrorizmit dhe shkeljeve më brutale të të drejtave të njeriut gjoja në emër të fesë islame. Kjo të tërheq vëmendjen edhe më tepër, sepse janë pikërisht shtetet e Gjirit për të cilat thuhet se e kanë toleruar veprimtarinë e grupeve xhihadiste në luftë civile siriane për vite të tëra ose madje e kanë mbështetur atë, për të dobësuar diktatorin e Sirisë, Bashar al Assad dhe aleatin e tij më të rëndësishëm, Iranin shiit.

Ndryshimi i kujdesshëm mendimesh në Gji

A mendojnë tani ndryshe këto shtete? Me sa duket po - edhe nëse u desh shumë kohë. Shkaku është i qartë: shtetet arabe e kuptojnë IS gjithnjë e më shumë si kërcënim për regjimet e tyre të ngurtësuara të sundimit. Veçanërisht Arabia Saudite, e cila paralelisht me partneritetin strategjik me SHBA ka një kuptim thellësisht fundamentalist të fesë islame, ndihet e sfiduar nga grupe xhihadiste si IS.

Rainer Sollich
Rainer SollichFotografi: DW/P. Henriksen

Por regjimet arabe, me pjesëmarrjen e tyre në luftë i hyjnë edhe një rreziku të madh në politikën e brendshme: edhe nëse shumica e qytetarëve në shtetet arabe besohet se i kundërshtojnë metodat e IS, rrymat radikale islamike megjithatë atje gëzojnë simpati. Nëse sulmet nga ajri do të shkaktojnë më shumë viktima në popullatën civile, ose nëse pushtetmbajtësi i përjashtuar nga bashkëveprimi Assad do të përfitonte në plan afatmesëm nga lufta anti-terror, në shtetet arabe mund të përhapet shpejt një pakënaqësi e madhe.

Të mundura konflikte të tjera

Pasojat afatgjata të këtij misioni ushtarak është e vështirë të parashikohen. A do të jetë e mundur që IS dhe grupe të afërta me Al Kaida-n të munden pa trupa këmbësorie të ushtrive të rregullta? Kjo është e vështirë të përfytyrohet. Gjithashtu është e vështirë të përfytyrohet që Iraku dhe veçanërisht Siria, pas gjakderdhjes së vazhdueshme të kthehen sërish në shtete funksionuese nacionale, ku grupet e ndryshme popullore të ndajnë pushtetin në mënyrë korrekte dhe të jetojnë në paqe me njëra-tjetrën. Për këtë mungon gatishmëria. Kurse planet për ngritjen e një shteti kurd në territor sirian, irakian dhe ndoshta edhe turk janë më realiste se kurrë - dhe ndoshta mund të nxisin konflikte të reja, të përgjakshme. Në të gjithë Lindjen e Afërme aktualisht kartat po përzihen nga e para.