1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Dita përkujtimore e Holokaustit: Asnjë kompromis

Ines Pohl
27 Janar 2019

Përgjegjësinë për tmerret e sundimit nazist duhet ta mbajnë të gjithë ata që jetojnë në Gjermani pa përjashtim, mendon kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines Pohl. Sepse kjo nuk ka të bëjë aspak me fajin individual.

https://p.dw.com/p/3CF1q
Ankunft ungarischer Juden in Auschwitz Birkenau 1944
Hebrenj që mbërritën në Aushvitc-Birkeau. Nga 2-Maj-9 Korrik 1944 u deportuan më shumë së 430.000 hebrenj hungarezëFotografi: imago/Reinhard Schultz

Kaloi një kohë e gjatë derisa Gjermania pranoi se është një vend emigrantësh. Shumë madje nuk e pranojnë, se nuk është vetëm pasurim kulturor, kur njerëz nga e gjithë bota vijnë të jetojnë e punojnë në Gjermani. Po të kemi parasysh zhvillimin demografik, qytetarët e fuqisë më të madhe ekonomike në Europë nuk do ta mbajnë dot standartin e tyre të jetës pa fuqinë punëtore dhe kompetencën e njerëzve nga vende të tjera.

Jo të ngrirë në tmerrin e së shkuarës

Sot, 74 vjet pas çlirimit të kampit të shfarosjes Aushvitc, është një ditë e mirë për të menduar, se çdo të thotë të imigrosh në Gjermani, të jetosh apo të synosh pasaportën gjermane. Një ditë e mirë për të aktualizuar edhe njëherë, se pse tek miratimi si vend imigrimi kërkon rregulla ta qarta, të panegociueshme. E në këtë pikë ka një qëndrim gjerman të përgjithshëm, që nuk vihet asnjëherë në dispozicion, që nuk pranon kompromise: Gjermania mban përgjegjësinë për vrasjen e të paktën 6 milionë hebrenjve. Mban përgjegjësinë për vdekjen dhe dhimbjen e disa miliona të tjerëve në kontinentin europian e përtej. Kjo histori e Gjermanisë nuk kalon kurrë, nuk mund të harrohet, duhet të mbahet gjallë, me ditë përkujtimore si kjo e 27 Janarit. Por vështrimi pas nuk do të thotë ngrirje në tmerrin e së shkuarës. Ai duhet drejtuar përpara e gjithmonë duhet të jetë i lidhur me pyetjen - çfarë duhet bëjmë ne sot për t'iu përgjigjur si duhet kësaj përgjegjësie?

Pikërisht sepse të mbijetuarit e fundit, por edhe kriminelët e fundit po ndërrojnë jetë, duhet të gjejmë rrugë të tjera për t'ua sjellë afër këtë përgjegjësi të rinjve, votueseve e votuesve të ardhshëm, vendimmarrësve politikë të së ardhmes. Sa më shumë kohë të kalojë nga epoka e sundimit nazist, aq më e vështirë do të bëhet mbajtja gjallë e rëndësisë që ka kjo përgjegjësi për të tashmen.

Ines Pohl Kommentarbild App
Kryeredaktorja e Deutsche Welles, Ines PohlFotografi: DW/P. Böll

Përtej kufijve partiakë

Prandaj është i rëndësishëm dhe i duhur informimi në shkolla, ekskursionet e klasave në kampet e shfarosjes dhe përqëndrimit, por edhe në fushëbeteja si Verdun. Është e rëndësishme dhe gjëja e duhur që të gjitha forcat politike e demokratike, përtej kufijve partiakë të bashkohen për të luftuar urrejtjen ndaj hebrenjve dhe antisemitizmin.

Por po kaq e rëndësishme është t'ua bëjmë të qartë atyre që imigrojnë sot në Gjermani, apo ata që jetojnë këtu, por që të parët e tyre nuk e jetuan këtë fazë të errët të historisë gjermane, - të gjithë ata që jetojnë sot në Gjermani duhet të jenë të gatshëm ta marrin këtë përgjegjësi. Sepse kjo nuk ka të bëjë aspak me fajin individual, por me vetëdijen e Republikës Federale Gjermane. E kjo duhet pohuar qartë në këtë 27 Janar.