Koment: një nxitim i dyshimtë
2 Dhjetor 2015Me sa duket pra Bundeswehr-i (ushtria gjermane) do të marrë pjesë në misionin ushtarak kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik (IS). Franca pas terrorit në Paris kërkoi sipas marrëveshjes mbështetjen e partnerëve të BE-së. Gjermania edhe vet do ta pretendonte një ndihmë të tillë. Megjithatë nxitimi i panevojshëm që po kërkon tani qeveria në procedurën parlamentare është irritues.
Dhuna ushtarake në një konflikt nuk duhet të jetë gjithmonë mjeti i fundit dhe duhet t'i shërbejë vetëm qëllimit për të ndalur dhunën e padrejtë dhe mizore si dhe të nxisë një të ardhme paqësore. Shumë indikatorë flasin për atë, që ndërhyrja ushtarake kundër luftëtarëve terroristë të IS-it, të cilët e celebrojnë vet vdekjen dhe duan luftë, i shërben këtij qëllimi dhe është e justifikueshme nga pikëpamja etike. Por në këtë kontekst duhet të ketë një lloj proporcionaliteti.
Pasojat e solidaritetit
Kushdo që si politikane dhe politikan në orët pas 13 nëntorit ka deklaruar, se terrori i Parisit kishte në shënjestër të gjithë europianët e se ai prek Berlinin, Vjenën ashtu si edhe Parisin, i ka pasur parasysh pasojat. Në aleanca - në BE si edhe në NATO - ka forca dhe kapacitete të ndryshme. Kërkesa parimore e palës franceze për mbështetje mjekësore nga Bundeswehr-i në rast "të një dëmi të madh" e dëshmon këtë. Franca vet prej kohësh kryen misione luftarake në Mali, gjë që i është kursyer Bundeswehr-it (dhe qeverisë fedrale).
"Në rast të një sulmi të armatosur ndaj territorit të një vendi anëtar, anëtarët e tjerë janë të detyruar ta mbështesin atë me të gjitha ndihmat e mundshme, në përputhje me nenin 51 të Kartës së OKB-së", thuhet në Marrëveshjen e BE-së. E tani bëhet fjalë për vënien në dispozicion të avionëve zbulues Tornado, të një fregate gjermane në krah të aeroplanmbajtëses franceze në Mesdhe, si dhe për kualifikimin e mëtejshëm gjerman të luftëtarëve peshmerga në veri të Irakut.
Miratimi politik për angazhimin e Bundeswehr-it në luftë kundër milicëve terroristë të "Shtetit Islamik" i tejkalon kufijtë e kampit të koalicionit me bazë të gjerë. Ndaj është edhe më shumë irritues, madje i dyshimtë, nxitimi që po bëhet për marrjen e mandatit në Bundestag. Të martën (01.12) vendosi kabineti qeveritar, të mërkurën në mbrëmje bëhet leximi i parë në plenumin e Bundestagut, të enjten pasojnë konsultimet në komisionet parlamentare dhe të premten parlamenti duhet të vendosë në leximin e dytë dhe të tretë. Mund të vesh bast, se ka deputetë që as nuk e dinë, se sa avionë dhe sa ushtarë do të vihen në dispozicion. E kjo për një çështje, për të cilën nuk është e mjaftueshme që vetëm të informohesh para votimit për pozicionimin e grupit parlamentar.
Kohë për të refletkuar
Kur gjendja është serioze në politkën gjermane gjithmonë ka tension. Si në rastin e masave për shpëtimin e Euros, paketat e ndihmës për Greqinë, apo në ndryshimin e parë të ligjit për azilin. Në njërin apo tjetrin rast ndoshta ky tension është i justifikueshëm me domosdoshmërinë për t'iu përmbajtur afateve të përcaktuara. Në rastin aktual të misionit të Bundeswehr-it kundër IS-it ky nxitim duket si injorim i parlamentit dhe i opinionit publik. Tornadot nuk do të nisen brenda këtij viti - e pra mjafton edhe një vendim i Bundestagut në javën e fundit të sesionit parlamentar para Krishtlindjeve, pas dy javësh. Përse nuk duhet t'u jepet kohë deputetëve të reflektojnë?
Kushdo i di rrethanat e vështira të misionit ushtarak në konfliktin aktual. Këtë çdo ditë na e sjell në vëmendje konflikti mes Ankarasë dhe Moskës pas rrëzimit të avionit bombardues rus prej turqve. Kushdo e ka të qartë dramatikën e misionit të aviacionit luftarak - këtë na e sjell në kujtesë bombardimi i SHBA-së ndaj dy mauneve çisternë të talibanëve në afërsi të Kundushit në shtator 2009 i nxitur prej palës gjermane si dhe bombardimi (gabimisht?) i SHBA-së në fillim të tetorit sivjet në një klinikë "të mjekëve pa kufij". Veprimet me armatime janë gjithmonë të vështira të përballohen. Por ndonjëherë ato duhet t'i përballosh. Aq më e rëndësishme është në këtë kontekst, që parlamentit gjerman t'i lihet kohë për vendimin.