1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ndërtues urash në një Evropë të përçarë

Robert Schwartz22 Qershor 2016

Presidenti gjerman bëri thirrje në Rumani, për një Evropë të përbashkët dhe kujtoi se shumë gjëra nuk janë të vetëkuptueshme. BE ka nevojë për më shumë politikanë të formatit të tij, mendon Robert Schwartz.

https://p.dw.com/p/1JBNG
Fotografi: picture-alliance/dpa/R. Jensen

Ishte sikur t'i bije pragut që të dëgjonte dera, pak para një katastrofe të mundshme në periferinë perëndimore të Evropës. Pa e përmendur konkretisht referendumin në prag në Britaninë e Madhe, Presidenti gjerman Joachim Gauck kundërshtoi në një deklarim impresionues çdo formë nacionalizmi dhe izolimi. Do të ishte "absurde dhe shkatërrimtare", tha Gauck, "sikur njëri kufi i madh përmes Evropës, të cilin para një çerek shekulli e kapërcyem fatmirësisht së bashku, të zëvendësohej tani prej shumë kufijve të rinj."

Gauck foli pa bërë zikzake për "ofensivën e çuditshme dhe tepër të rrezikshme të emocioneve negative", ndaj të cilave është e ekspozuar sot Evropa. Kësaj gjendjeje të eksituar, tha Presidenti i Gjermanisë, i jep rrugë vetëm arsyeja. Dhe prandaj nevojitet para së gjitash "pasion për arsyen".

Një Evropë e partnerëve të barabartë

Që Joachim Gauck zgjodhi pikërisht Bukureshtin, në periferinë lindore të Bashkimit Evropian për të ritheksuar qëndrimin e tij proevropian, interpretohet prej mikpritësve rumunë si një shenjë e qartë, që Presidenti gjerman e vështron edhe Rumaninë dhe shtetet e tjera anëtare të BE si partnerë plotësisht të barabaratë në Evropën e përbashkët. "Askush nuk duhet të ketë përshtypjen, se në Evropë ka ustallarë dhe çirakë" - kjo fjali e tij u regjistrua me kënaqësi të madhe në të gjitha shtetet e reja anëtare të BE.

Kur Gauck flet për një pjesëmarrje me të drejta të barabarta në zhvillimin e BE, për të drejta, por edhe detyrime të shteteve anëtare, kjo tingëllon bindëse. Para së gjithash edhe sepse kredoja e tij mbështetet jo në fjalë politike. I lirë nga kornizat ideologjike, Presidenti gjerman foli hapur për pikëpamjet e ndryshme madje edhe kontradiktore, për frikërat dhe për zhgënjimet e evropianëve. Por ai kujtoi herë pas here shanset e panumërta, të cilat janë krijuar me procesin e bashkimit evropian. Dhe me sa duket, duke pasur parasysh gjendjen e tensionuar gjeopolitike në Evropën Lindore, Gauck foli në formë paralajmëruese: paqja në Evropë nuk është gjë e vetëkuptueshme. Dhe kuptimi dhe synimi i BE është që ta ruajë në mënyrë të vazhdueshme pikërisht këtë paqe. Jo vetëm për spektatorët në sallë, fjalimi i Gauckut tingëlloi si një deklaratë përmbyllëse e fundit e madhe për Evropën, pak para një shpërbërjeje eventuale të bashkësisë. Për Gauckun vetë ishte me siguri nja nga shanset e tij të fundit si President i Gjermanisë, që me forcën e fjalëve të tij të hedhë ura nga një periferi e kontinentit të përfshirë nga krizat, në tjetrën.

Joachim Gauck, i besueshmi

Hedhja e urave ishte motoja e udhëtimit të tij në Rumani, që u dëgjua herë pas here: në bisedë me Presidentin rumun Klaus Iohannis në Bukuresht dhe në qytetin e tij të lindjes Sibiu / Hermannstadt, një qendër e minoritetit gjerman në Rumani. Ose në takime me politikanë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, me qytetarë të thjeshtë duke shëtitur në qendrën mesjetare të Hermannstadt-it.

Joachim Gauck konsiderohet në Rumani si simbol i luftës kundër diktaturës komuniste në ish-RDGJ dhe për rivlerësimin e së kaluarës të sigurimit të shtetit Stasi. Historia e tij impresionuese dhe perspektiva e krijuar në përvojë me diktaturën ishin në Bukuresht përzierja e duhur, me të cilën Gauck mundi ta mbrojë besueshëm BE si bashkësi vlerash. Evropa e tronditur nga kriza do të kishte nevojë edhe për disa mendje të tjera të formatit të tij.