1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Logjika cinike e talibanëve

Florian Weigand17 Dhjetor 2014

Sulmi brutal ndaj një shkolle ushtarake në Peshavar me më shumë se 100 fëmijë të vrarë, tregon se edhe vendet konservatore islamike si Pakistani nuk shpëtojnë nga militantët islamikë, mendon Florian Weigand.

https://p.dw.com/p/1E63s
Fotografi: AFP/Getty Images/R. Tabassum

Edhe vetë ata, që raportojnë nga zonat e luftës, zbehen nga përmasat e kësaj dhune të pakuptimtë. Dhe pikërisht kjo ka qenë pjesë e llogarisë cinike të vrasësve. Me sulmin ndaj shkollës dhe me vrasjen e fëmijëve, talibanët arritën të tërheqin vemendjen maksimale të gjithë botës. Edhe zgjedhja e një shkolle ushtarake është pjesë e planit të paramenduar. Talibanët qëllojnë kështu në qendrën e shoqërisë pakistaneze.

Një shkollë për fëmijët e shtresës së lartë dhe të mesme

Sepse, ndryshe nga ç'mund të supozohej, shkollat ushtarake në Pakistan nuk janë shkolla kadetësh. Përveç fëmijëve të ushtarakëve kjo shkollë ndiqet edhe nga fëmijët e shtresave të larta dhe të mesme. Bijtë dhe bijat e mjekëve, profesorëve, sipërmarrësve, apo artistëve janë të regjistruar atje, për arsyen se ata janë ndër shkollat më të mira në vend.

Me këtë sulm talibanët marrin hak brutalisht si kundër ushtarakëve, ashtu edhe ndaj vendimmarrësve në politikë dhe shoqëri. Sepse forcat ushtarake pakistaneze bëjnë prej disa muajsh luftë në territoret fisnore. Herë pas here gjeneralët njoftojnë për suksese, por ata nuk kanë mundur t'i mposhtin plotësisht terroristët. Në të njëjtën kohë dhjetëramijëra civilë, shumica e tyre pashtunë si vetë talibanët, kanë rënë në mes dy zjarreve dhe ikin me kolona të gjata nga zonat e luftimeve. Sipas logjikës mizore të talibanëve kjo gjë thërret për hakmarrje.

Florian Weigand
Florian WeigandFotografi: DW/P. Henriksen

Islamabadi u kthye nga mbështetës në kundërshtar

Dhe aksionet ushtarake kanë patur edhe një tjetër ndikim: Dikur ka patur grupe, të cilat e kishin drejtuar vështrimin më tepër në Afganistan, në luftën kundër trupave ndërkombëtare dhe qeverisë në Kabul, ndërsa nga Islamabadi kishin së paku pranim të heshtur. Të kërcënuar nga ushtria pakistaneze dhe me grupet e tjera të kërcënuara në ekzistencën e tyre, ata i bashkangjiten gjithashtu luftës kundër qeverisë pakistaneze.

Spiralja e dhunës dhe e kundërdhunës do të rrotullohet. Zgjidhje të thjeshta, për t'i shpëtuar rrethit vicioz, nuk ka. Edhe Pakistani duhet të marrë tani të njëjtin mësim të hidhur si trupat ndërkombëtare në vendin fqinj Afganistan: Ai që fshihet në Hindukushin malor dhe nuk trembet nga aktet terroriste, është vështirë të mundet. Dhe përderisa për masën e njerëzve në zonat fisnore nuk hapet një perspektivë ekonomike me shanse për mirëqëniet e familjeve, talibanët do të mund të rekrutojnë gjithmonë ithtarë të rinj me premtimin apokaliptik për një jetë në parajsë. Terrorizmi islamik është sfida më e madhe, globale e shekullit të 21-të. As vendet konservatore-islamike si Pakistani nuk i shpëtojunë dot.

LINK: http://www.dw.de/dw/article/0,,18134647,00.html