1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: kështu ne nuk ia dalim!

12 Janar 2016

Ditë kaosi në Gjermani. Në verë filluam të eksperimentojmë. Ndërkohë po zien lidhur me politikën e refugjatëve. Politikisht ne po shkasim në skajet e një gjendjeje të brendshme emergjence, mendon Volker Wagener.

https://p.dw.com/p/1HbWT
Flüchtlinge Österreich Grenze Schnee Winter
Fotografi: picture-alliance/dpa/A.Weigel

Lista e mëkateve në politikën gjermane ndaj refugjatëve po zgjatet e po zgjatet. Nëse në fillim të pranimit të refugjatëve verën e kaluar ende kishte diçka fisnike, e bazuar në një ndjenjë morale mirësie, ndërkohë në Berlinin politik po mbizotëron paniku. Të gjitha partitë e Bundestagut - madje edhe vet ekologjistët dhe të majtët - kërkojnë njëzëri "ashpërsinë e plotë të shtetit ligjor", bëjnë fjalë për dëbime dhe ligje më të ashpra. Por në fakt shumë pak prej këtyre kërkesave do të mund të vihen në jetë - sepse në shtet asnjë gjykatës nuk lejon që ndarja e pushtetit të diktohet nga politika. E dëbime nuk mund të jepen pa u paraprirë nga një aktgjykim.

Problemi thelbësor qendron, se qeveria ka hequr dorë nga kontrolli në kufijtë gjermanë. Ende mijëra njerëz vazhdojnë të futen në vend pa u regjistruar dhe pa u pyetur se nga vijnë ata në fakt.

Ne nuk e dimë se kush ndodhet mes nesh

Kësaj i shtohet fakti, se qeveria duket sheshit që i shmanget pyetjes, nëse ndër më shumë se njëmilionë të porsaardhurit ndoshta mund të ketë edhe terroristë. Ajo gjen mbështetje për këtë në media dhe në establishmentin politik prej shumicës së aplogjetëve që përkrahin shoqërinë multikulturaliste. Por vetëm atentati i një ithtari të IS me sëpatë i parandaluar në Paris nxjerr në pah pikën e dobët: ne nuk e dimë, se kë kemi në vend. Islamisti përkohësisht ka qenë i regjistruar në një strehimore azilkërkuesish në landin e Renanisë Veriore -Vestfalisë, ka qenë në një burg gjerman dhe xhonglonte me disa identitete. E ne nuk e kemi ditur këtë.

Edhe romantikut më të fundit të multikulturalizmit ndërkohë duhet t'i jetë bërë e qartë, se vala masive e burrave të rinj nga bota afrikano veriore - arabe rrezikon paqen e brendëshme në Gjermani. E kjo, jo sepse ata ndodhen nën dyshim përgjithësues e kolektiv për terror dhe kriminalitet, por sepse masa e madhe e të porsaardhurve e intensifikon në vend problemin e integrimit pjesërisht të dështuar të migrantëve më të hershëm. Minus herë minus në matematikë rezulton një plus.

Wagener Volker Kommentarbild App
Volker Wagener

Ne ndodhemi në mes të një kthese të klimës politiko-emocionale. Fryma në republikë po prishet - e madje furishëm. Ndjenja e të qenit i hequr nga hunda e kontaminon atmosferën gjithësesi të acaruar nëpër rrugë, nëpër bashki e në Berlinin politik. Jo vetëm në Këln, por edhe në qytete të tjera, faktet evidente janë shtrembëruar e heshtur. Kjo nën moton: ju lutem mos vendosni korrelacion mes sulmeve masive kriminale dhe seksuale, që nuk ka pasur vetëm në Këln, dhe politikës së qeverisë ndaj refugjatëve. Eshtë mëse e qartë: frika, se mund të krijohet përshtypja e të qenit ksenofobë, ka qenë më e madhe nga shqetësimi për humbjen e kontrollit shtetëror. Modeli i qendrimit ka qenë gjithmonë i njëjti: thjeshtë nuk mund të jetë, çfarë nuk duhet të jetë!

Kampionët e rregullit janë të mbingarkuar

E si rastësisht nata e Vitit të Ri në Këln dëshmon një problem të mëtejshëm: pikërisht ne gjermanët, kampionët e rregullit, dështojmë fort bukur në organizim. Në Ballkan vëzhguesit fërkojnë të habitur sytë prej pazotësisë në ditët e kaosit gjerman. Qindra mijëra kërkesa për azil të papërpunuara, asnjë kontroll kufitar, asnjë regjistrim. Por në vend të këtyre vullnet i mirë, mbyllje e syve dhe një shpresë naive se, gjtihçka do të bëhet mirë.

Prej kohësh është e qartë: duhet të ndodhë diçka. Ministri Müller qysh tani ka deklaruar mbërritjen afatmesëm të tetë deri në dhjetë milionë refugjatëve. Ai duhet ta dijë, sepse drejton dikasterin e ndihmës së zhvillimit dhe e ka parasysh, që ata në Afrikë e në Azi presin me valixhe në dorë. Në aspektin politik ndërkohë as që mund të imagjinohet një koncept për refugjatët në nivelin e BE-së. Koniunkturë ka tani parimi i mbylljes së dyerve. Askush - qoftë Polonia, Britania e Madhe, Franca apo Hungaria - nuk do të na mbështesë ne. Ne duhet ta përballojmë këtë vet. Kjo duhet nisur së pari që më në fund të jemi të sinqertë. Ne jemi të mbingarkuar dhe do të mbingarkohemi edhe më shumë, nëse nuk e frenojmë fluksin. Ne duhet të vendosim nëse duam të shpëtojmë Shengenin, parimin e kufijve të hapur, apo të drejtën individuale të veçantë në mbarë botën gjermane të azilit. Të dyja nuk i shpëtojmë dot.

Ju mund të shprehni mendimin tuaj në fund të këtij artikulli. Ne i mirëpresim komentet tuaja!