Koment: Kancelarja qëndron e qetë
28 Korrik 2016Atentatit të parë kamikaz islamist në Gjermani, sulmit me sëpatë të një xhihadisti të ri, një vrasës mysliman, që vraponte rrugëve duke vringëlluar një thikë të madhe mishi në hell (dyner), iu shtua edhe vrasja në amok. Ndërsa kancelarja është me pushime. Kështu paraqitet gjendja për shumë gjermanë në këtë verë 2016. Në fakt Angela Merkel ndodhet në Uckermark dhe përmes zëdhënëses së saj ajo komunikoi, se me mendime është pranë viktimave dhe të afërmve të tyre në Reutlingen dhe Ansbah. Asnjë dalje para kamerave. Edhe pas sulmit në amok në Mynih asaj i paraprinë me daljet në publik Hollande dhe Obama. A nuk e vë re Merkeli, se çfarë po ndodh në vend?
Merkeli del nga natyra e saj analitike
Natyrisht ajo e kupton situatën. Kancelarja që në fundjavë së paku u përpoq ta vlerësojë atmosferën në vend dhe doli prej natyrës së saj analitike. Studiuesja e shkencave të natyrës e orinetuar nga faktet me siguri që është përpjekur të mos pranojë vendosjen në një kontekst të vrasjes në amok të përgatitur për vite me radhë të një djali të lindur në Mynih dhe sulmeve të frynëzuara nga IS-i të një refugjati. Megjithatë ajo iu referua ndjenjës së pasigurisë të gjermanëve, shprehu ngushëllimet dhe premtoi zbardhje. Tani papritur ajo vendosi të dalë në një konferencë shtypi të enjten.
Reutlingeni ishte sipas stadit të tanishëm një akt në kontekstin e marrëdhënieve mes një çifti - pra shprehja e ngushëllimeve nga kancelarja në një rast të tillë është mjaft e pazakontë. Por Merkeli e di, se çfarë i perokupon shumë njerëz. Reutlingeni, Ansbahu dhe Vyrcburgu ishin krime nga refugjatë. Qeveria edhe pse me të drejtë thekson, që sulmet e fundit të mëdha terroriste në Europë pa përjashtim janë kryer nga vendas dhe njerëz që jetojnë për një kohë të gjatë në Europë; por tre akte të dhunshme shokuese në Gjermani janë kryer nga njerëz, që kanë ardhur në dy tre vitet e fundit nga Afganistani dhe Siria dhe që këtu janë pranuar në mënyrë miqësore. Ky është terreni delikat politik ku e sulmojnë Merkelin, sepse ajo është si askush tjetër për "një kulturë të mirëseardhjes".
Një debat që nuk i duhet aspak Merkelit
Natyrisht kancelarja mund të kishte shprehur më shpesh trishtim, ndoshta ajo do të duhej ta ndërpriste më përpara pushimin - siç bëri në mënyrë demonstrative ministri i Brendshëm (ndonëse pas Brexit, krizës së Turqisë etj. ajo e ka mëse të nevojshëm këtë pushim). Por kjo s'do të ndryshonte gjë sa u përket kritikave ndaj kancelares. Përkundrazi: Merkel do të gjallëronte një debat, që asaj nuk i duhet aspak - debatin mbi politikën ndaj refugjatëve. Tri fjali janë ato, që duan të dëgjojnë tani kritikët e Merkelit: "Politika ime për refugjatët ka dështuar. Pranimi i një milionë myslimanëve ishte një risk i pakalkulueshëm. Ngjarjet e javëve të fundit e provojnë këtë në mënyrë të tmerrshme."
Qetësi dhe kthjelltësi - jo histeri dhe kaos
Por, nga Angela Merkel ata nuk do t'i dëgjojnë këto fjali - as të enjten jo. Së pari, sepse ajo e di, që as vrasësi në amok i Mynihut, as dorasit në Vyrcburg, në Ansbah dhe në Reutlingen nuk kanë ardhur në Gjermani në vjeshtën e shumë diskutuar 2015. Së dyti, sepse kjo do të ishte pikërisht ajo, që dëshirojnë jo vetëm kundërshtarët e saj këtu në vend, por në radhë të parë fanatikët e Shtetit islamik. Dhe së treti, sepse Merkel e di, që pikërisht tani kërkohet, ajo çfarë ka me bollëk në Uckermark: qetësi dhe kthjelltësi - e jo histeri dhe kaos.