1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Jo sinjal për qetësimin e situatës në Ukrainë!

Ingo Mannteufel3 Maj 2014

Lirimi i inspektorëve ushtarakë duhet përshëndetur, por nuk është shenjë e çtensionimit të konfliktit në Ukrainë, mendon Ingo Mannteufel.

https://p.dw.com/p/1BtKs
Ingo Mannteufel
Fotografi: DW

Pas plot një jave forcat separatiste proruse në lindje të Ukrainës, lanë të lirë vazhguesit ushtarakë perëndimorë dhe ukrainas, të cilët ndodheshin atje mbi bazën e një marrëveshjeje të OSBE-së. Vladimir Lukin, i dërguari i posaçëm i Presidentit rus Vladimir Putin, ia doli mbanë të arrinte lirimin pa kushte.

Është për t'u përshëndetur që forcat separatiste, lanë të lirë inspektorët, të cilët i kishin cilësuar "spiunë të NATO-s" dhe "robër lufte". Po kështu duhet vlerësuar që në fund Rusia, pas presionit perëndimor dhe një angazhimi të ish kancelarit gjerman Gerhard Schröder, mori pjesë në ndërmjetësim. E megjithatë lirimi i tyre, për fat të keq, nuk është sinjal për një qetësim të konfliktit.

Pamje lufte

Luftimet mes trupave qeveritare ukrainase dhe milicëve separatistë të armatosur rëndë në rajonin Doneck në lindje të Ukrainës, vazhdojnë me të njëjtin intensitet: ministri i Brendshëm ukrainas Arsen Avakov bëri të ditur të shtunën në mëngjes (3.5.) vazhdimin e operacioneve ushtarake kundër forcave proruse në Kramatorsk, pak kilometra larg Slovjanskit.

Po kështu ngjarjet e orëve të fundit në qytetin port Odesa në jugperëndim të Ukrainës, flasin për një ashpërsim të mëtejshëm të konfliktit. Atje natën mes së premtes dhe të shtunës, pati përleshje në rrugë mes grupeve proukrainase dhe proruse dhe si pasojë e zjarrit në një ndërtesë, për kontrollin e së cilës grupet luftonin, u vranë shumë vetë.

Në të dy anët e konfliktit ka forca, të cilat çojnë përpara shkallëzimin e situatës ose synojnë një zgjidhje të dhunshme. Zgjidhja paqësore e krizës në Ukrainë, e kërkuar nga Perëndimi, po has gjithnjë e më shumë në vesh të shkurdhër tek palët në konflikt. Forcat separatiste proruse kërkojnë qartë një destabilizim të mëtejshëm të Ukrainës, për të penguar zgjedhjet presidenciale të planfikuara të mbahen në 25 maj. Përballë humbjes gjithnjë e më shumë të kontrollit në lindje të Ukrainës, lidershipi ukrainas gjendet në një situatë të vështirë. Opinioni publik në Ukrainë ushtron trysni që qeveria të tregojë forcë dhe të përdorë dhunën kundër forcave separatiste. Sidoqoftë për qeverinë ukrainase nuk është e lehtë të shohë duarkryq shpërbërjen e shtetit. Kjo përzierje shpërthyese mes mungesës së kompromisit, ngjalljes së frikës dhe fajësimeve reciproke, është receta për një luftë civile në Ukrainë, për më tepër që vendi fqinj, Rusia, luan në këtë mes një rol djallëzor.

Taktika perfide e Rusisë

Pushteti shtetëror properëndimor, rreth Turçinovit dhe Jazenjukut, që u instalua në Ukrainë pas rrëzimit të Janukoviçit, ka ngjallur në Kremlin frikën se mund të humbasë Ukrainën, e cila do t'i drejtohej BE-së dhe në periudhë afatmesme edhe NATO-s. Për këtë arsye udhëheqja ruse shfrytëzoi dobësinë e qeverisë qendrore ukrainase dhe aneksoi në mars Krimenë. Tani politika ruse synon të pengojë zgjedhjet presidenciale në 25 maj, që do të legjitimonin pushtetit të ri shtetëror në Ukrainë.

Moska pranon me vetëdije rrezikun, që me këtë taktikë ta shtyjë Ukrainën drejt një të ardhmeje me lufte, për të mos thënë që kjo është pjesë e llogarisë së saj. Që Kremlini ka një ndikim më të madh mbi forcat separatiste nga sa pranon dhe që mund t'i zbusë ato, nëse do të përpiqej vërtet, e tregon pikërisht lirimi i vëzhguesve ushtarakë të OSBE-së, që u arrit nga i dërguari i posaçëm rus.