1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: IS duhet të luftohet - fillimisht ushtarakisht

Alexander Kudascheff8 Shtator 2014

Zagarët e "Shtetit Islamik" vazhdojnë të vrasin. Lufta kundër milicisë terroriste duhet të zhvillohet me të gjithë ashpërsinë, por në shumë kuptime është një thikë me dy presa, mendon Alexander Kudascheff.

https://p.dw.com/p/1D8pj
Kämpfer des IS in der syrischen Stadt Raqqa
Fotografi: picture alliance/AP Photo

"Shteti Islamik" nuk duhet frenuar, ai duhet të shkatërrohet. Dhe kjo duhet të ndodhë në radhë të parë ushtarakisht, por edhe politikisht, duke e thyer magjinë e xhihadizmit dhe duke e tharë ambjentin e simpatizuesve të tij. Por më parë milicia terroriste IS duhet të luftohet. Dhe në një mënyrë si të vetëkuptueshme sytë drejtohen nga SHBA dhe pastaj tek gjithë Perëndimi. NATO-ja gjithsesi ka themeluar një koalicion prej dhjetë shtetesh, i cili do ta luftojë IS - midis tyre edhe Gjermania, e cila deri tani do ta shoqërojë eventualisht vetëm politikisht atë që do të vihet në jetë ushtarakisht.

Lënda prej së cilës përbëhen ëndrrat e këqia

Kjo në një kohë kur të gjithë e kanë të qartë. Lufta kundër "Shtetit Islamik" në Irak dhe në Siri nuk mund të zhvillohet vetëm nga Perëndimi, por vetëm së bashku me partnerët - sepse nëse SHBA do të vepronin të vetme, ose së bashku me Britaninë e Madhe, atëherë propaganda do të fliste menjëherë për një "kryqëzatë". Pra nevojiten aleatë nga rajoni: së pari vetë në Irak dhe qeveria shiite e vlerësuar nga pak vetë. Megjithatë, ushtria irakiane është e demoralizuar dhe e dobët. Veç kësaj, qeveria qendrore në Bagdad ka shumë kundërshtarë: midis tyre fise sunite dhe me siguri edhe pjesën që vepron në ilegalitet të partisë së Sadam Husseinit, Baath. Qeverisë qendrore do t'i duhej në këtë situatë që të zhvillonte një luftë në dy fronte, gjë që ajo nuk është në gjendje ta bëjë.

Një partner tjetër potencial në luftë kundër milicëve IS është pikërisht në Damask: Presidenti sirian, Bashar al Assad, kundër të cilit Perëndimi ka luftuar deri tani. Një bashkëpunim me diktatorin do të ishte me pasoja dhe në fakt është i papërfytyrueshëm. Por pa Assadin nuk do të jetë e mundur të luftohet "Shteti Islamik". Kjo është një ëndërr e keqe politike - në fund të fundit Perëndimi angazhohet prej kohësh për rrëzimin e Assadit - por me siguri një realpolitikë e pashmangshme.

Alexander Kudascheff DW Chefredakteur Kommentar Bild
Alexander Kudascheff , kryeredaktor i DWFotografi: DW/M. Müller

E keqe e nevojshme - aleancat me kundërshtarët e së keqes

Kësaj i shtohen kurdët - të cilët tani furnizohen me armë. Por - dhe kjo mund të merret me mend - nëse ata fitojnë, dëshira e kurdëve për të pasur një shtet të vetin do të bëhet tepër e fuqishme, gjë të cilën nuk e do askush tamam. Dhe në fund Irani, i cili rri ende i tërhequr, por që do të ndërhynte, nëse shiitët e Irakut do të ishin vërtet në vështirësi ose nëse do të përdhoseshin shenjtorë shiitë. Po vendet arabe ku janë? Egjipti, Jordania, Arabia Saudite. Për ta është e papërfytyrueshme që të luftojnë papritur në anën e Assadit ose të shiitëve të Irakut, prandaj rrinë të tërhequr.

Një koalicion i fortë kundër IS

Megjithatë: "Shtetit Islamik" mund t'i dalë përballë vetëm një koalicion i madh, edhe për të treguar se të gjithë luftojnë kundër çmendurisë fondamentaliste të "kalifit" Abu Bakr al-Bagdadi. Që askush nuk e do tiraninë e një feje islame antimoderne dhe të kohëve të hershme. Që lufta kundër xhihadizmit është një luftë e justifikuar. Dhe që të gjithë duan që Lindja e Afërt dhe e Mesme të mbetet një hapësirë e bashkëjetesës fetare, në të cilën myslimanët, të krishterët, jezidët dhe besime të tjera të jetojnë krahas njëri-tjetrit. Përndryshe, një kulturë 1200 vjeçare do të merrte fund në ekstazën e shtetit fetar islamik.