1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Koment: Gardhi i Orbanit ndryshoi Europën

Zoran Arbutina15 Shtator 2016

Para një viti u ndërtua gardhi në kufirin hungareo-serb. Viktor Orban donte të ndalonte ardhjen e refugjatëve. Kështu nisi fundi i BE-së, që ne njihnim, mendon Zoran Arbutina.

https://p.dw.com/p/1K22Y
Ungarisch-serbische Grenze in Röszke ist geschlossen
Fotografi: DW/N. Rujević

Kur pikërisht para një viti autoritetet hungareze deklaruan, se tani do të mbyllet edhe boshllëku i fundit i kalimit kufitar, e gardhi në kufirin me Serbinë është ndërtuar,- gjithkush mund ta shihte, se për çfarë bëhej fjalë ato ditë në Europë: ndërkohë që në njërën anë kryeministri hungarez Viktor Orban punonte me zell për ta kthyer Europën në një fortifikatë, nga ana tjetër bota shihte ímazhet nga Gjermania. Mijëra njerëz u uronin mirëseardhjen me lule dhe lodra fëmijësh nëpër stacionet e trenave dhjetra mijëra refugjatëve. Dhe kancelaja Merkel i dha politikës një dimension etik me fjalët: "Nëse tani do të bëjmë, që të na duhet të kërkojmë falje, se po tregojmë një fytyrë njerëzore në situatë emergjence, atëherë ky nuk është vendi im."

Ato ditë natyrisht bëhej fjalë për refugjatët: për njerëzit, që kërkonin strehë në Europë pasi kishin marrë arratinë prej luftrave në Siri, në Afganistan apo në Irak, si dhe për qindra mijëra të tjerë, që kishin marrë arratinë prej urisë e përndjekjes në vendin e tyre. Bëhej fjalë edhe për çështjen: se në cilën Europë duam të jetojmë ne?

Një Europë e hapur

Për dekada me radhë përgjigja europiane ndaj çdo krize brenda apo jashtë BE-së kishte të njëjtën moto: ne na duhet më shumë Europë! Komuniteti i dikurshëm ekonomik europian nga viti në vit u forcua edhe më shumë duke u shndërruar në një union, me një treg të përbashkët, një Komision ligjvënës dhe me një Parlament Europian që u fuqizua gjithnjë e më shumë. Edhe një kushtetutë europiane ka qenë përkohësisht në funksion. Po punohej madje edhe për një politkë të përbashkët europiane për marrëdhëniet me jashtë, mbrojtjen dhe çështjet sociale. E ajo që është edhe më e rëndësishmja: në pjesën më të madhe të BE-së nuk kishte më kufi! Qarkullimi i lirë i njerëzve dhe i mallrave u kthye në parim - e për këtë krenohej BE-ja. Bëhej fjalë për "shtëpinë e përbashkët Europa" dhe për "hapësirën Shengen pa kufij".

Kur Merkeli vendosi, që t'i lejojë refugjatët në vend duke i lënë mënjanë të gjitha rregullat ekzistuese, ajo veproi në këtë frymë të vetëkuptueshme europiane. Ajo vuri aktivisht në jetë vlerat, që BE-ja është një shoqëri e hapur e përveç kësaj ka detyrime ndaj refugjatëve, që rrjedhin si prej Konventës së Gjenevës për Refugjatët edhe prej parimeve të BE-së. E kjo shoqëri bazohet tek solidariteti europian.

Arbutina Zoran Kommentarbild App
Zoran Arbutina

Rinacionalizimi i politikës europiane

Koncepti i kundërt ndaj atij të Merkelit është: sa më pak Europë të jetë e mundur, për këtë synohet që të ketë liri veprimi sipas motos: "secili do të shohë të mirën e vet pa menduar për tjetrin". Politika e përbashkët europiane duhet të rinacionalizohet sipas këtij koncepti. Europa është mirë, vetëm për aq kohë sa ajo është e dobishme - e në radhë të parë në aspektin ekonomik.

Orban sipas kësaj logjike atëherë e tha qartë, se çfarë synon: në të njëjtën ditë kur Merkeli foli për humanizëm, për të cilin ajo s'ka përse të shfajësohet, Orbani deklaroi kufijtë e rinj - edhe në kufijtë e vet me partnerët europianë të BE-së si Rumania dhe Kroacia. Ideja e "Shengenit" kësisoj nuk ishte më një parim i pakthyeshëm, por vetëm një mundësi pa detyrime, që mund të shfrytëzohet ose jo - sipas rastit.

Një vit më pas është e qartë, që Orbani me politikën e tij nuk është i vetëm në shtëpinë europiane. Ndërkohë në mbarë Europën janë vendosur gardhe kufiri: Sllovenia ka ngritur barrierat kufitare me Kroacinë, Austria deklaroi vendosjen e kufirit me Italinë, Bullgaria ka vendosur gardh kufitar me Turqinë, Maqedonia me ndihmën e BE-së ka ngritur gardh kufiri me Greqinë. Njëkohësisht disa vende - kryesisht në Lindje të Europës - kanë deklaruar, se nuk duan të pranojnë refugjatë, në asnjë mënyrë myslimanë. Solidariteti europian këtu është i dukshëm vetëm për përdorimin e fondeve strukturore të BE-së.

Një "Europë e re"

Por ndërkohë është zbehur edhe politika fillestare e Merkelit për refugjatët: aleatët e dikurshëm i janë larguar asaj, si brenda edhe jashtë Gjermanisë. Nën presionin e partnerëve të BE-së si dhe të fitoreve elektrorale të partisë së djathtë, AfD në Gjermani ajo e ka ndryshuar dukshëm politikën e saj. Në akordin për refugjatët me Turqinë synohej kryesisht, që sa më shumë refugjatë të jetë e mundur të mbahen larg Gjermanisë. Përmes ashpërsimit të ligjeve të ndryshme është vështirësuar ardhja e migrantëve të rinj, ndërsa është lehtësuar dëbimi i atyre që ndërkohë kanë ardhur. Merkel nuk do ta pranojë asnjëherë, por faktikisht në BE ka fituar kursi i Orbanit.

Rezultati i luftës për frymën e Europës, që u zhvillua vitin e kaluar në mënyrë simbolike me një gardh kufiri dhe tufat me lule për refugjatët, tashmë është i qartë: lulet janë vyshkur prej kohësh. Atëherë nisi fundi i BE-së, në formën që e njihnim ne. Natyrisht unioni do të vazhdojë të ekzistojë dhe ai vazhdon të ketë tërheqës për shumë vende dhe njerëz në mbarë botën. Por në thelb tani kemi një tjetër BE - dhe vetëm pjesërisht ajo është ashtu siç u shpreh Merkeli një vit më parë "vendi im".