Koment: Epoka e narcistëve
6 Janar 2020Donald Trump si Rocky, Vladimir Putini i zhveshur deri në bel, Boris Johnsoni sillet si shok. Ishte fundi i nëntorit kur një tweet nga Presidenti i SHBA tërhoqi më shumë vëmendje se zakonisht. Ai ishte një montazh fotografik, në të cilin koka e Donald Trump-it ishte montuar artificialisht në një trup të zhveshur muskulor. Sigurisht ai nuk ishte trupi i vërtetë i Trumpit
(i cili dihet se është i shëndoshë), por i boksierit të filmit Rocky Balboa. Gazeta me drejtim transatlantik "Die Welt" shkroi në Twitter se ky mesazh "është dëshmia më e fundit e tezës: në Shtëpinë e Bardhë rri një djalë me bagazhin emocional të një 15-vjeçari". Por një kritikë e tillë nuk e prek një si Trumpi.
Pse kanë sukses ata?
Presidenti amerikan nuk është sigurisht i vetmi që i shfaq publikisht fantazitë e tij të gjithëfuqisë. Kur është fjala për të demonstruar mashkullësi të paskajshme, Vladimir Putini është i pakonkurrueshëm - të paktën ai e arrin këtë pa Photoshop. Studentit ish elitar, Boris Johnson i pëlqen ta portretizojë veten si mik të dashur, Rexhep Tajip Erdogani hiqet si sulltan, Kim Jong Un-i e portretizon veten si orakull. Po Silvio "Bunga-Bunga" Berlusconi, i kujtohet njeriu?
Puna nuk është, se këta pak a shumë të moshuar e luajnë këtë lojë vetëm për argëtimin e tyre. Ata luajnë kryesisht sepse janë të suksesshëm me të - madje edhe në demokraci: Boris Johnsoni ishte në gjendje të gënjente pa fund për Brexitin - kjo nuk ndikoi në suksesin e tij elektoral në mes të dhjetorit. Edhe sjellja adoleshente e Trumpit gjen edhe pasues besnikë, rizgjedhja e tij është më me gjasa se kurrë.
Dhe pse ndodh kjo? Pse nuk perceptohet sjellja e këtyre njerëzve ashtu si është - për të të ardhur rëndë? Pse kanë ata sukses me gjërat që ishin të paimagjinueshme deri disa vjet më parë? (Dakord: Berluskoni me sa duket ishte më i avancuar se koha e tij.) Përgjigja është e thjeshtë: narcizmi i këtyre njerëzve ka jehonë, sepse te secili prej nesh fshihet një narcist i vogël. Një narcist i vogël që del në pah kur prezantojmë veten në rrjetet sociale.
Nxitësi i Egos: mediat sociale
Merrni si shembull TikTok, një platformë videoje që përdoret çdo muaj nga më shumë se një miliardë njerëz në të gjithë botën dhe për këtë arsye është më e suksesshme se Instagram-i, Snapchat-i ose Youtube. Në TikTok, njerëzit postojnë video të shkurtra - zakonisht për veten e tyre, shpesh kur imitojnë e këndojnë këngë të njohura pop. Ndonjëherë kjo është zbavitëse, shpesh për të të ardhur turp dhe rrallë me të vërtetë e mirë. TikTok është prova përfundimtare e vërtetësisë së citatit të Andy Warhol-it që në të ardhmen të gjithë do të jenë të famshëm në botë për 15 minuta.
Kjo në një kohë kur është gabim të mendosh që vetëparaqitja është konstituive për ne. Sepse vetja jonë zhvillohet vetëm në bashkëpunim, në ndërveprim shoqëror. Po ta shohim botën vetëm përmes syzeve të selfie-t, po të shohim vetëm veten dhe jo më njerëzit e tjerë pranë nesh, po t'i ngatërrojmë rrjetet sociale me bashkëjetesë sociale, atëherë nuk duhet të çuditemi, që njerëz si Trumpi ose Johnsoni vijnë në pushtet.